Botë

Kidnapohen mbi 150 nxënës në një shkollë në Nigeri

Zyrtarët nigerianë kanë njoftuar se persona të armatosur kanë kidnapuar afro 150 nxënës në një shkollë islamike në Nigeri, që është sulmi i radhës i tillë nëpër shkolla, raporton BBC.

Autoritetet në shtetin e Nigerit kanë njoftuar për BBC-në se personat e armatosur kanë kidnapuar të dielën disa nxënës nga shkolla në qytetin Tegina.

Një mësues ka thënë se janë kidnapuar afro 150 nxënës, ndërsa raportohet për shifra edhe rreth 200.

Kidnapimet për të kërkuar shpërblesë po rriten në shtetet veriore të Nigerisë.

Në shkurt afro 300 vajza janë marrë nga persona të armatosur nga një shkollë në shtetin Zamfara. Shumica u liruan më pas.

Në rastin e të dielës thuhet se persona të armatosur me motoçikleta kanë shtënë me armë. Më pas janë futur në shkollën islamike dhe kanë kidnapuar nxënësit. Në shkollë ka djem e vajza të moshave nga 6 deri 18 vjet.

Autoritetet raportojnë se dy persona janë qëlluar gjatë sulmit dhe një prej tyre ka vdekur më pas.