Për Anna Dudichun gjërat më kurrë nuk do të jenë njëjtë.
Vajza e saj, Sofia Sepaga, ishte në aeroplanin e Ryanairit që kishte planin e fluturimit nga Athina për në Vilnius, itinerari i të cilit u devijua detyrueshëm dhe u ndal në Minsk.
Sofia dhe i dashuri i saj, aktivisti i njohur bjellorus, Roman Protasevich, u arrestuan në Minsk.
“Ne jemi në një gjendje që nuk po besojmë se çfarë na ka ndodhur, çfarë i ka ndodhur vajzës sonë”, thotë Dudich, raporton BBC.
Mesazhi i fundit që ajo mori nga vajza, ishte vetëm një fjalë, “nënë”, para se t’i ndalej telefoni.
“Jam e gatshme ta lus këdo për ndihmë, në mënyrë që jeta e vajzës sime të mos thyhet”, thotë Dudich.
Dudich lë rroba, ushqim dhe gjëra higjienike në një burg të KGB-së, ku gjendet 23-vjeçare Sapega.
Vizitat familjare nuk lejohen, kështu që Dudich mundi ta shohë vajzën vetëm në një video,në të cilën Sapega ka pranuar se ka publikuar të dhëna personale të Forcave të Sigurisë së Bjellorusisë.
Ajo është e shqetësuar kur e ka parë vajzën në atë gjendje dhe është e bindur se po flet ashtu për shkak se është detyruar. Sofia bën lëvizje të ndryshme në video, i rrotullon sytë, veprime për të cilat Anna thotë se nuk janë normale.
Ajo tregon se Sofia Sapega, që është lindur në Rusi, nuk është aktiviste dhe nuk donte t’u bashkohej protestave vitin e kaluar pas zgjedhjeve presidenciale të kontestuara. Sapega u largua për në Vilnius të Lituanisë në muajin gusht. Anna beson se vajza e saj është arrestuar për shkak të lidhjes me Roman Protasevichin, me të cilin ka filluar të takohet gjashtë muaj më parë.
“Nuk e di pse është arrestuar vajza ime. Ajo, thjesht, po e jeton jetën si një vajzë e re normale – po studion, po argëtohet dhe është në lidhje dashurie. Asnjërit nuk i ndalohet kjo. Nuk po mund ta marr veten”, ka thënë Dudich.
Të mërkurën, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë se vendimi i tij për të devijuar itinerarin e aeroplanit, ishte thjesht për shkaqe sigurie, e jo kidnapim siç është quajtur nga komuniteti ndërkombëtar.
Ai ka thënë se, vërtet, ka pasur një kërcënim me bombë dhe se ka vepruar në mënyrë të ligjshme.
Lukashenklo ka folur për një “terrorist” në aeroplan, një referencë për Roman Protasevichin dhe e ka quajtur atë dhe bashkëshorten e tij si “agjentë të inteligjencës perëndimore”.