Botë

Ish-këshilltari i Johnsonit e akuzon Qeverinë për keqmenaxhimin e pandemisë

 

Ish-këshilltari i kryeministrit britanik, Boris Johnson, ka akuzuar të mërkurën Qeverinë për dështim në menaxhimin e pandemisë. Dominic Cummings ka nisur serinë e akuzave ndaj Qeverisë, pjesë e së cilës ishte edhe vetë ai.

Në dëshminë para deputetëve që po e hetojnë mënyrën e menaxhimit të pandemisë, ai ka thënë se ministrat dhe zyrtarët e Qeverisë kishin shkuar në pushime teksa virusi kishte nisur që të bënte kërdi në Britaninë e Madhe. Ka dëshmuar se skenat e kaosit në qeveri ishin “si nëpër filma”. Qeveria, sipas ish-këshilltarit të kryeministrit, në muajin shkurt nuk po merrej me pandeminë ngase zyrtarët ishin për skijim. Që prej fillimit të pandemisë, Britania ka regjistruar 128 mijë të vdekur, shifër kjo prej më të lartave në Evropë. Një prej arkitektëve të fushatës për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Cummings u emërua këshilltar kryesor kur Johnsoni mori detyrën e kryeministrit gjatë vitit 2019. Mori vëmendje të madhe në majin e vitit 2020, kur gazetat britanike raportuan se i infektuar me koronavirus kishte udhëtuar 400 kilometra larg shtëpisë, duke thyer të gjitha masat e izolimit.