Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i Rusisë kanë mbajtur të enjten takimin e parë sy më sy në Islandë, në bisedimet që u përcollën me një debat të cilësuar si të qetë, në kohën kur raportet ndërmjet dy vendeve janë vënë në pikën më të ulët ndonjëherë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka vlerësuar bisedimet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si konstruktive.
Ndërsa ka shtuar se ekziston një lloj pajtimi për tejkalimin e tensioneve në vitet e fundit ndërmjet Moskës dhe Washingtonit.
Takimi ka ndodhur në Islandë, shtet ky që ka shërbyer përherë si stacion për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Bisedimet janë mbajtur pak kohë pasi administrata e presidentit Joe Biden, ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë lidhur me ndërhyrjen në zgjedhje dhe sulmet kibernetike ndaj institucioneve qeveritare amerikane.
Pas takimit më se 45-minutësh, Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se Blinkeni i ka kërkuar Rusisë lirimin e dy shtetasve amerikanë.
Ndërkaq, zyrtarë të tjerë amerikanë e kanë cilësuar takimin si një fillim i mirë që u ka mundësuar dy palëve të rrëfehen rreth problemeve.