Botë

BE-ja zbut masat për turistët e huaj, prioritet të vaksinuarit

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’i zbusin kufizimet e udhëtimeve për vizitorët që nuk janë qytetarë të bllokut politik, në prag të stinës turistike të verës.

Ambasadorët nga 27 shtetet anëtare kanë miratuar një propozim të 8 majit nga Komisioni Evropian për zbutjen e kriterit që i përcakton vendet “e sigurta” nga COVID-19 dhe që ua lejon hyrjen turistëve që kanë kryer vaksinimin. Pritet që të caktohet edhe një listë e re gjatë kësaj dhe javës së ardhshme.

Bazuar në të dhënat nga Qendra Evropiane për Kontrollim dhe Parandalim të sëmundjeve, Britania e Madhe dhe një mori vendesh tjera do të përmbushnin këtë kriter. Por jo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ani pse amerikanët e vaksinuar do të mirëpriten në Evropë.

Një diplomat i BE-së ka thënë se rastet e variantit të ri indian në Britani duhet të merren seriozisht, megjithëse shtetet individuale të bllokut tashmë po zbatojnë politika të tyre. Portugalia ka shfuqizuar ndalesën katërmujore të udhëtimit për turistët britanikë.

Sipas kufizimeve aktuale, qytetarët nga vetëm shtatë shtete, përfshirë Australinë, Izraelin dhe Singaporin, mund të hyjnë në BE për pushime, pavarësisht nëse janë të vaksinuar apo jo.