Gjatë një telefonate të së hënës vonë me Netanyahun, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Izraeli ka të drejtë që ta mbrojë veten karshi sulmeve diskriminuese raketore, por ka trimëruar vendin që të bëjë çdo përpjekje të mundshme për t’i mbrojtur civilët, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Ndërkaq, Gjermania ka bërë thirrje për armëpushim dhe ka ofruar më shumë ndihma për palestinezët para bisedimeve emergjente të Bashkimit Evropian
Bombardimet ajrore izraelite mbi Gazë dhe lansimi i raketave nga grupet militante palestineze kanë vazhduar të martën në zonat ndërkufitare, pas një qetësie të shkurtër gjatë naftës gjatë së cilës periudhë OKB-ja ka dërguar një kontingjent të vogël me karburante në enklavën palestineze, ku më shumë se 52 mijë persona tanimë janë zhvendosur.
Liderët izraelitë kanë bërë të ditur se do ta ashpërsojnë ofensivën për t’i asgjësuar kapacitetet e fraksioneve të armatosura të “Hamasit” dhe “Xhihadit Islamik”, midis thirrjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive të tjera botërore për përfundimin e konfliktit.
Dy punëtorë tajlandezë janë vrarë dhe shtatë persona të tjerë janë lënduar nga sulmi me raketë në një fermë izraelite përtej kufirit me Gazën, ka njoftuar policia. Grupi islamik “Hamas” që e qeverisë Gazën dhe “Xhihadi Islamik” kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Raketat janë lansuar gjithashtu në qytetet Ashdod dhe Beersheba, më tutje në veri.
Banorët e Gazës kanë bërë të ditur se Izraeli ka vazhduar sulmet intensive ajrore. Dëshmitarët okularë kanë njoftuar se një tank izraelit ka marrë në shënjestër një fabrikë të bojërave në jug të Rripit të Gazës, duke ia vënë flakën.
“Vazhdim i ofensivës deri në qetësi për izraelitët”
“Do të vazhdojmë aq sa duhet që ta rikthejmë qetësinë për të gjithë qytetarët izraelitë”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke i përsëritur qëndrimet që i ka mbajtur gjatë disa ditëve të fundit. “Edhe një gjë: Jam i sigurt se të gjithë armiqtë përreth nesh po e shohin çmimin që po ua shkaktojmë për agresionin ndaj nesh dhe jam i bindur se e kanë hapur këtë mësim”, ka thënë ai nëpërmjet një videoje të postuar në Twitter nga një bazë ajrore.
“Hamasi” ka nisur sulmet raketore tetë ditë më parë në kundërpërgjigje ndaj asaj që e quajti shkelje prej anës së Izraelit të të drejtave të palestinezëve në Jerusalem, gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit. Armiqësitë aktuale përbëjnë përshkallëzimin më serioz të situatës midis grupit militant dhe Izraelit ndër vite si dhe shkëputje prej konflikteve të mëhershme në Gaza që kanë ushqyer dhunën në qytetet izraelite midis hebraikëve dhe arabëve.
Zyrtarët shëndetësorë në Gaza kanë thënë se 215 palestinezë janë vrarë, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra, dhe se mbi 1.400 të tjerë janë lënduar deri më tani. Autoritetet izraelite kanë konfirmuar se 12 persona kanë mbetur të vdekur në Izrael, mes të cilëve dy fëmijë.
Pothuajse 450 ndërtesa në Rripin e Gazës janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë, gjashtë prej të cilave spitale dhe nëntë qendra të përkujdesjes shëndetësore, ka njoftuar agjencia humanitare e OKB-së. Rreth 47.000 nga 52.000 palestinezët e zhvendosur kanë gjetur strehim në shkollat e OKB-së.
Thirrjet për armëpushim

Në Twitter, Netanyahu ka thënë se sulmet izraelite ndaj militantëve të Gazës kanë “kthyer ‘Hamasin’ prapa për vite të tëra”. Këtë deklaratë disa komentues izraelitë e kanë cilësuar si prelud të mundshëm të një armëpushimi brenda ditësh, kur ai mund ta shpallë edhe fitoren.
Por Amos Yadlin, ish-shef i inteligjencës ushtarake izraelite, ka thënë se pasqyra është dukshëm më e ndërlikuare, duke cituar trazimet civile në Izrael, protestat e vazhdueshme të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe sulmet raketore nga Libani.
“Për aq sa i përket (Hamasit), ajo që po ndodh në Bregun Perëndimor dhe mbase me (grupin libanez) ‘Hezbollahun’ e me qytetarët arabë të Izraelit – kjo është pika ku ajo ka fituar”, ka thënë Yadlin për televizionin “Channel 12”. “Në lojën ushtarake, ata kanë humbur”.
Gjatë vizitës në Islandë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Washingtoni i ka pranuar informacionet shtesë të kërkuara nga Izraeli rreth skatërrimit të ndërtesës së lartë në Gazë ku ndodheshin selitë e mediave “Associated Press” dhe “Al-Jazeera”. Ai nuk ka ofruar hollësi rreth informatave që ka thënë se kanë mbërritur nëpërmjet kanaleve të inteligjencës.
Në anën tjetër, gjatë një telefonate të së hënës vonë me Netanyahun, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Izraeli ka të drejtë që ta mbrojë veten karshi sulmeve diskriminuese raketore, por ka trimëruar vendin që të bëjë çdo përpjekje të mundshme për t’i mbrojtur civilët, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Egjipti dhe ndërmjetësit e OKB-së kanë intensifikuar gjithashtu përpjekjet diplomatike ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do ta diskutojë dhunën në rajon gjatë së enjtes.
Gjermania ka bërë thirrje për armëpushim dhe ka ofruar më shumë ndihma për palestinezët para bisedimeve emergjente të Bashkimit Evropian.
Bombardimet izraelite në Gazë, përleshjet gjatë Ramazanit midis policisë dhe besimtarëve në xhaminë “al-Aqsa” në Jerusalem dhe vendimi i gjykatës izraelite për dëbimin e palestinezëve nga lagjja Sheikh Jarrah, në Jerusalemin Lindor të aneksuar nga Izraeli, kanë nxitur zemërim mes palestinezëve.
Në Bregun Perëndimor, forcat izraelite kanë qëlluar për vdekje një palestinezë që bëri përpjekje për t’i sulmuar me armë zjarri dhe eksploziv. Një tjetër palestinez është vrarë nga forcat izraelite gjatë protestës në Bregun Perëndimor. Gjatë së martës janë mbajtur protesta në pjesën më të madhe të Jerusalemit Lindor, qyteteve arabe përreth Izraelit dhe nëpër qytetet e Bregut Perëndimor. \ AP-Reuters
Përktheu: Nita Lleshi