Botë

BE-ja e përçarë, Izraeli e Hamasi nuk i respektojnë thirrjet për armëpushim

Bashkimi Evropian pritet që t’i bashkohet thirrjes së presidentit amerikan, Joe Biden, për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Megjithëkëtë, diplomatët evropianë i kanë thënë Reutersit se shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të kenë ndasi lidhur me rolin e mundshëm të bllokut në krizën më të madhe të viteve të fundit në konfliktin izraelito-palestinez.

Bideni, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, ka shprehur përkrahjen e tij për ndaljen e menjëhershme të luftimeve. Edhe shefi i politikës së jashtme dhe të sigurisë i Bashkimit Evropian, Jozef Borell, ka thënë se shpreson që 27 shtetet anëtare do të arrijnë pajtim për rolin kontribuues në krizën e re në Lindjen e Mesme.

Por, pavarësisht kësaj, diplomatët nuk kanë pritshmëri të mëdha nga video-konferenca e BE-së, e cila është partneri tregtar dhe donatori më i madh i palestinezëve. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka kritikuar BE-në për mungesën e një reagimi karshi zhvillimeve të fundit në Gazë.

Por, Izraeli ka intensifikuar bombardimet ajrore, derisa Hamasi ka vazhduar shkrepjen e raketave. Në Rripin e Gazës tashmë raportohet për 52 mijë palestinezë të zhvendosur.

Dy punëtorë tajlandezë raportohet se janë vrarë dhe shtatë persona të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketë në afërsi të kufirit me Gazën. Hamasi dhe Xhihadi Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin.