Botë

Serbia e bën të detyrueshëm vaksinimin e ushtarëve kundër COVID-19

Ushtria e Serbisë e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin e pjesëtarëve të saj kundër koronavirusit, duke theksuar se masa është ndërmarrë për shkak se ushtarët po e refuzojnë vaksinimin vullnetar.

Një sindikatë e pavarur ushtarake e ka cilësuar urdhrin e komandantit të shtabit të përgjithshëm si “diskriminues”, për shkak se ata që e refuzojnë vaksinimin, do të përballen me masa ndëshkuese në rastet e ngritjes në detyrë e gradë.

Mund të ketë edhe ndalim të pjesëmarrjes në trajnime të avancuara. Presidenti, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar të premten qendrën e vaksinimit të trupave ushtarake, ku iu ka thënë gazetarëve se beson se çdo vaksinë shpëton jetë.

Ushtria ka njoftuar se masa është marrë me qëllim të ngritjes së gatishmërisë luftarake dhe mbrojtjes së ushtarëve nga infektimi me virus. Serbia po e zbaton me sukses programin e vaksinimit, kryesisht me vaksinën kineze, por së fundmi ka rënë numri i atyre që po vaksinohen.

Autoritete fajësojnë grupet anti-vaksinim për rënien e interesimit. Deri më tani, Serbia ka vaksinuar 30 për qind të popullsisë me nga dy doza të vaksinave “Pfizer”, “Sputnik V” dhe “AstraZeneca”.