Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë pati vendosur javë më parë për mbyllje totale në mënyrë që njerëzit të qëndrojnë brenda shtëpive, për të evituar kështu përhapjen më të madhe të infektimeve me COVID-19.
Mirëpo, kjo Ministri, ka vendosur të lehtësojë disa prej masave duke filluar nga e hëna e ardhshme e deri më 1 qershor, duke e quajtur këtë një “normalizim gradual” të situatës me pandeminë.
Sipas vendimit të ri, nga e hëna do të mund të hapen qendrat tregtare, disa biznese si kafenetë dhe qendrat e fitnesit do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura ndërkaq, restorantet do të mund të funksionojnë vetëm me shërbimin “take away” dhe “delivery”.
Qytetarët turq do të mund t’u kthehen punave të tyre, mirëpo nga ora 21:00 deri në ora 05:00 do të duhet të qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpi, ndërkaq gjatë fundjavave mbyllja është tërë ditore, më përjashtim të daljes për të blerë ushqime apo gjëra të tjera elementare, raporton AP, transmeton Koha.net. Ndërkaq, personat mbi moshën 65 vjeç e të cilët ende nuk janë vaksinuar, do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm nga ora 10:00 deri në ora 14:00, ditëve të javës.
Rritja e numrit të të vdekurve dhe të prekurve me koronavirus ka ndodhur në Turqi që nga muaji mars, kur ky shtet pati vendosur të lironte masat.
Ndërkohë, masat e reja të vendosura në fund të muajit prill, janë masat më strikte deri më tani në këtë shtet që kur ka nisur pandemia, pasi në këtë valë të saj, numri ditor i infektimeve kishte arritur deri në 60,000 sosh.
Presidenti i Turqisë, Erdogan pati thënë se masat strikte të vendosur në fund të muajit prill kishin për qëllim uljen e numrit ditor të rasteve pozitive në rreth 5,000, në mënyrë që turizmi veror i Turqisë sivjet, të mos dëmtohet për të dytin vit me radhë.