3 perditesime
14:27

Arrin në 33 numri i të vdekurve nga sulmet në Gaza vetëm të dielën

Ka shkuar në 33 numri I të vdekurve vetëm gjatë ditës së diele, nga sulmet ajrore të Izraelit në Gaza.

Ushtria izraelite është duke rrënuar shumë ndërtesa, duke hedhur raketa mbi to, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po reagojnë për të nxjerrë njerëz nën rrënojat e tyre.

Sipas autoriteteve mjekësore, në mesin e të vdekurve në Gaza vetëm gjatë të dielës janë 12 gra e 8 fëmijë ndërkohë që më shumë se 50 persona janë të lënduar.

11:57

Shkon në 26 numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Gaza të dielën

Nga sulmet ajrore izraelite ku janë shënjestruar tri ndërtesa, kanë humbur jetën 26 persona të dielën, është njoftuar nga autoritetet shëndetësore në Gaza, raporton agjencia AP.

Kjo e bën sulmin më vrasës që kur shpërthyen luftimet mes Izraelit dhe Hamasit një javë më parë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazas ka raportuar se në mesin e të vdekurve janë dhjetë gra, tetë fëmijë, ndërsa 50 persona tjerë janë lënduar.

Më herët, ushtria izraelite ka njoftuar se ka shënjestruar shtëpinë e një lideri të lartë të Hamasit në Gaza, në një sulm tjetër në qytetin jugor Khan Younis. Është sulmi i tretë i tillë në dy ditët e fundit, ku janë shënjestruar shtëpitë e liderëve të lartë Hamasit.

10:28

Raketat e Izraelit lanë 23 të vdekur në Gaza vetëm gjatë të shtunës

Sulmet izraelite me raketa në qytetin e Gazas kanë rrafshuar tri ndërtesa të larta, dhe kanë lënë të vdekur të paktën 23 persona gjatë të shtunës, kanë bërë të ditura autoritetet shëndetësore.

Sipas tyre, kjo është dita më vdekjeprurëse, që kur kanë nisur sulmet ajrore ndërmjet Izraelit dhe militantëve të Hamasit, gjashtë ditë më parë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazas, ka njoftuar se gjatë të shtunës, nga sulmet kanë mbetur të plagosur rreth 50 persona. Ndërkohë, shpëtimtarët kanë reaguar menjëherë për të shpëtuar njerëzit të cilët kishin mbetur nën rrënojat e ndërtesave të rrënuara.

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka shkatërruar edhe shtëpinë e liderit kryesor të Hamasit, në Gaza, përmes një sulmi të veçantë.

Izraeli ka intensifikuar sulmet me raketa ditëve të fundit, derisa, gjatë të shtunës, ka sulmuar dhe ka rrafshuar edhe ndërtesën në të cilën ndodheshin zyrat e mediave Associated Press e Al-Jazeera, në Gaza.

Gjatë të shtunës, në Tel-Aviv ka arritur një i dërguar i posaçëm i SHBA-së, një tentim ky për të zhvilluar bisedimet dhe për të arritur armëpushimin ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Ndërkohë, Këshilli i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pritet të mblidhet gjatë të dielës për të diskutuar për gjendjen në Lindjes e Mesme.

08:11

Izraeli shënjestron shtëpinë e liderit të lartë të Hamasit

Ushtria izraelite ka thënë të dielën se kishte në shënjestër shtëpinë e liderit të lartë të Hamasit në Gaza pas gati një jave sulmesh të mëdha ajrore dhe raketa në Izrael nga territori i sunduar nga grupi militant islamik.

Gjenerali Hidai Zilberman, zëdhënës i ushtrisë, i ka thënë radios së ushtrisë së Izraelit të dielën se ushtria shënjestroi shtëpinë e Yehiyeh Sinwar, udhëheqësi më i lartë i Hamasit brenda territorit, i cili ka të ngjarë të fshihet së bashku me pjesën tjetër të nivelit të sipërm të grupit.

Shtëpia e tij ndodhet në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës. Ushtria ka thënë se shënjestro gjithashtu shtëpinë e vëllait të Sinwar.

Hamas dhe grupi militant islamik Xhihad kanë pranuar që i janë vrarë 20 persona që kur shpërthyen luftimet të hënën, ndërsa Izraeli thotë se numri real është shumë më i lartë.

Raundi i fundit i luftimeve - më i keq që nga lufta e vitit 2014 në Gaza - ka vrarë të paktën 145 palestinezë në Gaza, përfshirë 41 fëmijë dhe 23 gra. Tetë izraelitë janë vrarë, duke përfshirë një djalë 5-vjeçar dhe një ushtar.

Të shtunën, Izraeli bombardoi shtëpinë e Khalil al-Hayeh, një figurë e vjetër në degën politike të Hamasit, duke thënë se ndërtesa shërbeu si pjesë e "infrastrukturës terroriste" të grupit. Nuk kishte asnjë raport për fatin e al-Hayeh ose për ndonjë viktimë.