Botë

Palestinezët ikin nga bombardimet izraelite prej qiellit, tokës dhe detit

Konflikti në përshkallëzim ka nxitur protesta në Bregun e okupuar Perëndimor, ku shtatë palestinezë janë vrarë në zjarrin e ushtrisë izraelite, duke e zgjeruar diametrin e dhunës midis arabëve dhe hebrenjve në Izrael. “Hamasi” ka lavdëruar përleshjet midis të rinjve që hidhnin gurë dhe ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor, duke u bërë thirrje palestinezëve që “t’ia vënë flakën tokës nën këmbët e okupatorit

Palestinezët në Gazë kanë braktisur shtëpitë e tyre, duke bartur në krahë fëmijët dhe gjërat e çmueshme, teksa forcat izraelite kanë vërshuar të premten territorin me bomba të hedhura nga ajri, toka dhe deti.

Konflikti në përshkallëzim ka nxitur protesta në Bregun e okupuar Perëndimor, ku shtatë palestinezë janë vrarë në zjarrin e ushtrisë izraelite, duke e zgjeruar diametrin e dhunës midis arabëve dhe hebrenjve në Izrael. “Hamasi” ka lavdëruar përleshjet midis të rinjve që hidhnin gurë dhe ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor, duke u bërë thirrje palestinezëve që “t’ia vënë flakën tokës nën këmbët e okupatorit”.

Në përshkallëzimin dramatik të luftimeve më të rënda midis Izraelit dhe “Hamasit” gjatë shtatë vjetëve të fundit, ushtria izraelite ka ndërmarrë sulme të ashpra artilerie ndaj atyre që i cilësoi si rrjete tunelesh militante. Me dhjetëra operues të “Hamasit” janë vrarë gjatë këtyre sulmeve, ka bërë të ditur Forca izraelite e Mbrojtjes. Ka shkaktuar konfuzion gjatë natës një deklaratë e IDF-së që specifikonte se këmbësoria “aktualisht po ndërmerr sulme në Rripin e Gazës”. Mirëpo ngatërresa është qartësuar me anë të një deklarate të dytë, në të cilën thuhej se nuk ka okupim tokësor, por zjarr artilerie dhe tankesh nga kufiri. “Forcat ajrore dhe ato tokësore izraelite janë duke kryer sulme mbi caqet në Rripin e Gazës”, thuhej në njoftimin e ri.

Analistët kanë sugjeruar se ishte ky një “gabim” i qëllimshëm që synonte t’i trimëronte figurat e larta të “Hamasit” për t’u tërhequr në rrjetet e tuneleve nëntokësore, të njohura si “metro”. Forcat izraelite më vonë kanë vënë në shënjestër këto tunele, të cilat ishin ndërtuar pas luftës së 2014-s. 160 sulme ajrore kanë goditur 150 caqe nëntokësore në veri të Rripit të Gazës, teksa janë shkatërruar “shumë kilometra” tunele gjatë sulmeve, ka specifikuar ushtria.

“Tmerrimi”

Palestinezët që jetonin në zonat afër kufirit të Gazës me Izraelin kanë ikur nga shtëpitë e tyre me kamion të vegjël, me karroca, me kuaj dhe në këmbë. Disa janë strehuar nëpër shkollat e menaxhuara prej Kombeve të Bashkuara në qytetin e Gazës, duke bartur me vete fëmijët, gjërat esenciale dhe sasi të vogla ushqimi.

Hadaia Maaeouf, i cili ka braktisur shtëpinë e tij bashkë me familjen 19- anëtarëshe, 13 prej të cilëve fëmijë, ka thënë: “Ishim të tmerruar për katër fëmijët tanë, të cilët po bërtisnin dhe dridheshin”.

Në veri të Gazës, Rafat Tanani, një grua shtatzënë dhe katër fëmijë janë vrarë pasi që një aeroplan luftarak izraelit e rrafshoi përtokë një ndërtesë banimi, kanë bërë të ditur banorët. Bilanci i të vdekurve në Gazë është rritur të premten në mbi 120, bashkë me atë të të lënduarve nga bombardimet gjatë orëve të natës, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Të paktën 27 fëmijë janë vrarë.

Spitalet që veçse përballeshin me vështirësi për trajtimin e pacientëve me COVID-19 janë ballafaquar me fluks të shtuar të personave të plagosur nga bombat dhe nga lëndimet e tjera. Disa kishin nevojë për amputim të gjymtyrëve.

“Krejt çka mund të bëj është të lutem”, ka thënë drejtori i një spitali. OKB-ja ka bërë të ditur se më shumë se 200 shtëpi dhe 24 shkolla në Gazë janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore izraelite të pesë ditëve të fundit. Edhe qasja e banorëve në ujë të pijshëm mund të kufizohet shkaku i reduktimit të furnizimit me rrymë dhe dëmtimit në rrjetet e furnizimit. Shumica e familjeve të zonës veçse po përballen me mungesë të rrymës nga katër deri në pesë orë në ditë, teksa spitalet funksionojnë me gjeneratorë.

“Hamasi” dhe grupet e tjera militante kanë vazhduar sulmet raketore drejt, ku sirenat paralajmëruese kanë jehuar nëpër qytete dhe komunitete. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka pritur të paktën pesë dronë të pajisur me eksplozivë, të lansuar nga Gaza, qysh nga e enjtja. Nëntë persona janë vrarë në Izrael, përfshirë një fëmijë dhe një ushtar.

“Nuk ka marrë fund ende”

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka paralajmëruar një takim për të dielën, me qëllim të mbajtjes së diskutimeve rreth krizës, pasi që Washingtoni e ndaloi një iniciativë të tillë të premten, në një veprim që ka nxitur Kinën ta akuzojë SHBA-në për anashkalimin e vuajtjeve të myslimanëve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Washingtoni është “thellësisht i shqetësuar për dhunën në rrugët e Izraelit”, ndërsa Departamenti i tij ka nxitur qytetarët që t’i shqyrtojnë planet për udhëtime në vend. Një zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, ka thënë se shënjestrimet e Izraelit me raketa nga “Hamasi” përbëjnë “sulme terroriste”.

Ushtria izraelite ka shpalosur planet për operacion të mundshëm tokësor në Gazë, duke u bërë thirrje trupave që “të përgatiten për betejë”. Me mijëra rezervistë janë thirrur në detyrë. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka theksuar se Izraeli do t’i sulmojë “Hamasin” dhe grupet e tjera terroriste me “goditje të madhe”.

“Gjatë ditës së fundit kemi sulmuar caqet nëntokësore. ‘Hamasi’ ka menduar se mund të fshihet aty, por nuk mundet. Liderët e tij mendojnë se mund t’i ikin kapjes. Nuk mund të ikin. Mund t’i mbërrijmë ngado. Nuk ka marrë fund ende. Do të bëjmë çmos për ta rikthyer sigurinë për qytetet dhe qytetarët tanë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ka pasur dhunë të re në qytetin izraelit Lod, ku hebrenjtë dhe arabët janë përleshur dhe kanë goditur pronat e njëri-tjetrit gjatë tërë javës. Një sinagoge i është vënë flaka gjatë natës, ndërsa 43 persona janë arrestuar, ka njoftuar policia.

Shërbimi i sigurisë Shin Bet ka bërë të ditur se është përfshirë në reagimin ndaj dhunës në qytetet arabo-hebraike.

“Nuk do t’i lejojmë turmat e dhunshme që të nxisin terror në rrugët e Izraelit, pa marrë parasysh nëse janë arabë apo hebrenj”, ka thënë shefi i Shin Betit, Nadav Argaman.

Liderët politikë kanë thënë se dhuna midis hebrenjve dhe arabëve përbrenda vendit paraqet kërcënim më të madh sesa konflikti i përshkallëzuar ushtarak në Gazë.

Në kufirin verior të Izraelit, ushtarët kanë shkrepur fishekë paralajmërues kundër të rinjve që kanë kaluar në vend, si pjesë e një proteste ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë. Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban ka raportuar se një person ka vdekur me këtë rast. Ushtria ka njoftuar se me dhjetëra të rinj palestinezë dhe libanezë janë mbledhur para një porte kufitare mes dy vendeve dhe një grup i vogël syresh kanë kaluar në Izrael. Grupi ka sabotuar rrethojat dhe ka hapur zjarr në rajon, para se të kthehej në territorin libanez, ka bërë të ditur ushtria.