Botë

Izraeli grumbullon trupat përreth Gazës

Izraeli ka mbledhur trupat luftarake përgjatë kufirit të Gazës dhe është në

Militantët palestinezë kanë shkrepur një mori raketash në drejtim të zemrës së territorit tregtar izraelit, derisa Izraeli vazhdoi fushatën e bombardimit në Gaza dhe grumbulloi tanke dhe trupa në kufirin e enklavës.

Edhe pas katër ditësh nuk ka shenja të uljes së dhunës, ndërkaq kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se fushata "do të marrë më shumë kohë".

Dhuna është përhapur gjithashtu në komunitetet e përziera të hebrenjve dhe arabëve në Izrael, duke hapur një front të ri në konfliktin e gjatë.

Sinagogat u sulmuan, dhe luftimet filluan në rrugët e disa komuniteteve, duke e nxitur presidentin e Izraelit të paralajmëronte për rrezikun e luftës civile.

Frika e përshkallëzimit të dhunës në rajon

Të shqetësuar se armiqësia më e madhe e rajonit ndër vite mund të dalë jashtë kontrollit, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar emisarin Hady Amr në Izrael. Përpjekjet për armëpushim nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara deri më tani nuk kanë dhënë rezultate konkrete.

Në sulmet e reja ajrore në Gaza, aeroplanët luftarakë të Izraelit goditën një ndërtesë banimi gjashtëkatëshe, që besohet se i përkiste “Hamasit”, grupi islamik që kontrollon enklavën palestineze. Netanyahu tha se Izraeli ka goditur gjithsej afër një mijë objektiva militantësh në Gaza.

Të paktën 83 persona janë vrarë në Gaza qëkur dhuna u përshkallëzua të hënën, njoftuan mjekët, duke ngarkuar më tej spitalet tashmë nën presion të madh gjatë pandemisë COVID-19.

“Ne jemi përballë Izraelit dhe Covid-19. Jemi mes dy armiqve”, tha Asad Karam, 20 vjeç, një punëtor ndërtimi, duke qëndruar pranë një rruge të dëmtuar gjatë sulmeve ajrore. Një shtyllë elektrike ishte shembur nga rruga, telat iu prenë.

Një raketë palestineze ishte përplasur më herët në një ndërtesë pranë kryeqytetit tregtar të Izraelit në Tel-Aviv, duke plagosur pesë izraelitë, njoftoi policia. Shtatë njerëz janë vrarë në Izrael që nga fillimi i luftimeve, njoftoi ushtria izraelite.

Izraeli ka përgatitur trupa luftarake përgjatë kufirit të Gazës dhe është në "faza të ndryshme të përgatitjes së operacioneve tokësore", tha një zëdhënës ushtarak, një veprim që sjell ndërmend inkursionet e ngjashme gjatë luftërave Izrael-Gazë në 2014 dhe 2008-2009.

Shpresat e Bidenit

Zëdhënësi i krahut të armatosur të “Hamasit”, Abu Ubaida, iu përgjigj ndërtimit të trupave me kundërshtim, duke u bërë thirrje palestinezëve të ngriheshin.

“Maskohuni siç dëshironi, nga deti, toka dhe qielli. Ne jemi përgatitur për llojet tuaja të vdekjeve, që do t'ju bëjnë të mallkoni veten”, tha ai.

Autoritetet shëndetësore në Gaza thanë se po hetonin vdekjet e disa njerëzve, të cilët mund të kenë thithur gaz helmues.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se shpresonte që luftimet "do të përfundojnë" sa më shpejt. Kryeministri britanik, Boris Johnson, bëri thirrje për një "çpërshkallëzim urgjent" të dhunës.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli do të vazhdojë sulmet kundër caqeve ushtarake të “Hamasit” dhe grupeve të tjera të Gazës. “Hamasi” konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Të mërkurën, forcat izraelite vranë një komandant të lartë të “Hamasit” dhe bombarduan disa ndërtesa, për të cilat Izraeli tha se ishin të lidhura me aktivitetet e fraksionit.

Izraeli nisi ofensivën pasi “Hamasi” hapi raketa në Jerusalem dhe Tel-Aviv si hakmarrje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë “Al-Aqsa” në Jerusalemin Lindor gjatë muajit të agjërimit mysliman të Ramazanit.

Fron i ri

Armiqësitë kanë hapur një front të ri duke nxitur tensionin midis hebrenjve izraelitë dhe 21 për qind të pakicës arabe të vendit, që jeton së bashku me izraelitët në disa komunitete.

Grupet hebraike dhe arabe sulmuan njerëzit dhe dëmtuan dyqanet, hotelet dhe makinat brenda natës. Në Bat Yam, në jug të Tel-Avivit, dhjetëra hebrenj rrahën dhe shqelmuan një burrë që mendohej të ishte arab derisa u shtri përtokë.

Një person u qëllua dhe u plagos rëndë nga arabët në qytetin Lod, ku autoritetet vendosën një shtetrrethim dhe mbi 150 arrestime u bënë në Lod dhe qytete arabe në Izraelin Verior, njoftoi policia.

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, bëri thirrje për t'i dhënë fund "kësaj çmendurie".

"Ne jemi të rrezikuar nga raketat që po lëshohen drejt qytetarëve dhe rrugëve tona, dhe ne jemi duke kurthuar veten me një luftë civile të pakuptimtë midis nesh", tha ai.

Një numër kompanish të huaja ajrore kanë anuluar fluturimet për në Izrael për shkak të trazirave.

Në mesin e të vrarëve në Izrael janë një ushtar i vrarë gjatë patrullimit në kufirin e Gazës dhe gjashtë civilë, përfshirë dy fëmijë dhe një punëtor indian, njoftuan autoritetet mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se 17 nga njerëzit e vrarë në enklavë ishin fëmijë dhe shtatë gra. Ushtria izraelite njoftoi se rreth 400 nga 1.600 raketa të shkrepura nga fraksionet e Gazës kishin shkrepur, duke shkaktuar potencialisht disa viktima civile palestineze.

Konflikti ka çuar në ngrirjen e bisedimeve nga kundërshtarët e Netanyahut për formimin e një koalicioni qeverisës pas zgjedhjeve të Izraelit më 23 mars.

Megjithëse problemet e fundit në Jerusalem ishin shkas i menjëhershëm për armiqësi, palestinezët janë të irrituar nga pengesat në aspiratat e tyre për një shtet të pavarur, duke përfshirë njohjen nga Washingtoni të Jerusalemit të diskutueshëm si kryeqytet i Izraelit.