Botë

Falet namazi i parë i Fitër Bajramit në Ajasofja pas 87 vjetëve

FOTO: AA
 

Është falur namazi i parë i Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe të Ajasofjas pas 87 viteve.

Namazi u drejtua nga kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbash.

Namazi u fal në kuadër të masave të anti-COVID brenda dhe jashtë xhamisë me pjesëmarrjen e qytetarëve.

Në kuadër të programit të organizuar në xhami u lexua Kur'ani Kerimi pas namazit të sabahut.

Sipas traditës, kreu i Diyanet-it, Erbash, në minber ku e lexoi hutben u ngjit me shpatë.

Në namazin e Bajramit në Ajasofja morën pjesë gjithashtu edhe kryeparlamentari i Turqisë, Mustafa Shentop, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Turqisë, Adil Karaismailoglu si dhe zyrtarë të tjerë.

Ajasofja nga viti 1453 kur u çlirua Stambolli e deri në vitin 1934 shërbeu si xhami. Ndërsa më pas u shndërrua në muze e cila qëndroi në këtë funksion për 86 vite.

Xhamia Ajasofja u ri hap për adhurim më 24 korrik 2020.