Botë

Mallkimi i gazit natyror

Descriptive Text

Ndjekësit e “Shtetit Islamik” po avancojnë në Afrikën Jugore, me ëndrrat se gazi natyror mund t’u japë zemër ambicieve edhe më të mëdha. Dhe në krejt këtë lëmsh, Issa Tarmamade po bën çmos që të mbajë rendin kundrejt dhunës brutale, shkruan “Der Spiegel” në një shkrim të gjatë për zhvillimet e atjeshme

Kur nisën masakrat në Palma më 24 mars, pasi burra të maskuar nisën masakrimin e viktimave me hanxharë, Issa Tarmamade ishte ulur në rrënojat e ishullit të Ibos, i shqetësuar se ai dhe ishulli i tij mund të ishin të radhës, shkruan revista gjermane “Der Spiegel” për hovin që kanë nisur të marrin mbështetësit e “Shtetit Islamik” në Afrikën Jugore. Tarmamade është burrë i sertë, 71 vjeç. Ai është administrator i Ibos, nja 170 kilometra në jug të Palmës, më i rëndësishmi prej shtatë ishujve. Dikur parajsë për pushuesit, tani është kthyer në një rajon të mbërthyer nga frika – dhe emblematikë e konfliktit që ka kapluar mbarë vendin.

Njeriu shtet

Luftëtarët në rajon, të cilët valojnë flamurin e “Shtetit Islamik”, do të donin ta shihnin të vdekur edhe Tarmamaden, meqë ai është përfaqësues i shtetit. Prej vitit 2017, ata kanë ndjellë panik me hanxharë, armë zjarri dhe armë të tjera në krahinën e Cabo Delgados, që përfshin edhe shtatë ishujt e Tarmamades.

“Unë jam njeriu në krye të Ibos”, thekson ai. Ai është përgjegjës për shëndetin, edukimin, ekonominë dhe infrastrukturën e vendit. Në thelb, ai është shteti, shkruan “Der Spiegel”, teksa përshkruan sfidat me të cilat po përballet lideri i zonës. Ai i ka treguar ekipit gjerman të revistës se tashmë shumë administratorë si puna e tij janë vrarë, por Tarmamade thotë: Nuk do të sprapsem. Zyrtarët e tjerë qeveritarë janë arratisur për shkak të rrezikut në ngritje, por “Tarmamade dikur ktheu mbrapsht helikopterin që kishte aterruar për ta evakuuar”.

Tashmë gjashtë herë janë kryer sulme në krahinën e tij. Por çfarë ndodhi më 24 mars, jo fort larg prej kufirit me Tanzaninë, do ta shokonte. Qyteti i peshkatarëve, Palma, me rreth 75 mijë banorë, u kthye në skenë të një prej sulmeve të luftës brutale. Kryengritësit u lëshuan në qytet, duke plaçkitur dyqanet dhe djegur ndërtesa. Kryengritësit ua prenë kokat disa prej banorëve. Dëshmitarët u kanë rrëfyer gazetarëve të “Der Spiegelit” për skenat e tmerrit.

Populli në mjerim, elitat në kamje

Dhuna në veri të Mozambikut është pasojë e dezintegrimit politik, vlerësohet në shkrim. Pas pavarësimit të vendit nga Portugalia më 1975, vendi rrëshqiti në luftë civile brutale, që mori fund vetëm më 1992. Partia në pushtet, FRELIMO, fuqizoi pushtetin në kryeqytetin Maputo, duke krijuar rrjete të korruptuara me ndihmën e ushtrisë, por la pas dore qytetarët që jetonin në brendësi.

“Derisa elita kaloi dekada duke u marrë me pasurimin e vetes dhe me transformimin e vendit në një narko-shtet, duke lejuar trafikuesit e drogës dhe zyrtarët e korruptuar, të përfitonin jashtë mase, Mozambiku mbeti një prej vendeve më të varfra në botë. Njerëzit mbijetuan kryesisht falë agrikulturës, me ngritjen e mjerimit që po i jepte vrull zemërimit kundrejt Qeverisë”, shkruajnë autorët e reportazhit të gërshetuar me analizimin e të dhënave të raporteve të ndryshme ndërkombëtare të Mozambikut të katandisur në mjerim të madh.

Në njërën anë të luftës në Cabo Delgados janë kryengritësit, të cilët mbajnë emrin “Al-Shabaab”, ose “Rinia” në arabisht. Ata nuk kanë lidhje me grupin terrorist në Somali me të njëjtin emër. Janë burra të armatosur plot zemërim, të rrënjosur nga mungesa e kujdesit qeveritar dhe nga vetë mjerimi i tyre. “Disa syresh qartazi kanë lidhje me islamikët e tjerë në Lindje të Afrikës. Nuk vërehet fare dora e shtetit në këtë pjesë të vendit, duke e kthyer Cabo Delgados në një vend ideal që ekstremistët të rekrutojnë të rinj”.

Akuzat për krime lufte

Në anën tjetër është qeveria e korruptuar në kryeqytetin Maputo dhe në krahina, “një qeveri që kaherë është munduar t’i mposhtë kryengritësit me ndihmën e mercenarëve nga Afrika e Jugut. ‘Amnesty International’ ka akuzuar edhe mercenarët, edhe trupat qeveritare për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë ekzekutime, torturë dhe gjymtim”.

“Lufta është përndezur edhe prej konflikteve të shumta fetare, sociale dhe politike. Klerikët myslimanë kanë shikuar duarkryq radikalizmin e shpejtë në disa pjesë të popullsisë. Meqë vetëm një grusht njerëzish kanë përfituar pasurinë e krahinës, që është çerdhe e një ekonomie joformale në lulëzim, përfshirë trafikimin e gurëve të çmuar, lëndën e shtrenjtë drusore, botën e egër shtazore dhe sidomos heroinën. Më 2010 dhe 2011, gjeologët zbuluan sasi të mëdha të rezervave të gazit natyror në brigjet veriore, dhe menjëherë nisën investimet e kompanive perëndimore. Por shumica e njerëzve nuk kanë përfituar as nga ky zhvillim. Dhe zemërimi i tyre është përkthyer në më shumë rekrutime për islamikët”, shkruan “Der Spiegel”, duke iu referuar intervistës me Tarmamaden dhe qytetarët e tjerë të zonës.

Luftë për para

Më 2018, kryengritësit lidhën aleancë me “Shtetin Islamik”. “Der Spiegel” megjithatë vë në dyshim se lidhjet me ISIS-in janë aq të fuqishme sikur se pretendojnë disa ekspertë dhe zyrtarë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka ekspertë që besojnë se aleanca e “Shabaabit” me ISIS-in më shumë është një pretendim se fakt.

“Nuk është luftë për religjionin, është luftë për para”, thekson një prift në kryeqytetin e krahinës së Pembas.

Por edhe nëse dhuna nuk shpërtheu si konflikt fetar, po ngrihet frika se veriu i vendit mund të kthehet në një zonë të përgjakshme për terrorin islamik në Afrikën Jugore. “Për më tepër, rreziku po rritet se kryengritja mund të përhapet brenda Mozambikut. Qeveria amerikane ka deklaruar qëllimin e saj për të dërguar forca speciale për trajnimin e trupave të Mozambikut, qysh ka bërë të ditur edhe Portugalia. Vendet fqinje, njëherësh, janë të shqetësuara se terrori në Mozambik mund të kalojë kufijtë nëse kalon pa u ndëshkuar dhuna që u ushtrua më 24 mars”.

Pasditja e tmerrit

Atë pasdite, krismat e para u dëgjuan në pjesën jugore të qytetit Palma. Disa punëtorë nga një kompani ndërtimi ishin rrugës për treg për të blerë peshk dhe pije për drekë. Dhe me të nisur sulmi i kryengritësve, një rojtar para ndërtesës së degës së “Standard Bank” ishte masakruar me hanxharë nga sulmuesit. Punëtorët e kompanisë së ndërtimit u arratisën në “Amarula Hotel”, që shumë shpejt u mbush prej 200 personave që po kërkonin ndihmë.

“Ata qëndruan aty për tri ditë, të rrethuar nga njerëz në panik që frikësoheshin deri në palcë. Jashtë, më shumë se 300 kryengritës të maskuar po marshonin rrugëve, duke djegur banka dhe ndërtesa qeveritare. Ata mbanin kokën e masakruar të burrit të një gruaje para syve të saj dhe bërtisnin: ‘Ik!’ Luftëtarët po bërtisnin ‘Allahu akbar1’, ose Zoti është Një. ‘Do t’ju ndjekim deri në Pemba’, bërtisnin tjerët”, ka përmbledhur “Der Spiegel” dëshmitë e qytetarëve të zonës.

Krismat ishin dëgjuar në krejt rrugët e qytetit. Helikopterët e kompanisë së mercenarëve jug-afrikanë, DAG, evakuuan pengjet nga kompleksi “Amarula Hotel” dhe qëlluan në drejtim të sulmuesve me mitraloza të kalibrit të madh.

Një grup i të strehuarve në hotel ndanë mendjen që të arratiseshin, ka treguar Tarmamade. Ata do të binin në pusinë e organizuar nga kryengritësit. Dëshmitarët kanë treguar se si kishin parë kokën e prerë të një burri të hedhur në kamion.

Kryengritje me shumë të panjohura

“Kushdo që dëgjoi për këtë, u tmerrua deri në palcë”, ka thënë Issa Tarmamade. Ai ka thënë se assesi nuk mund ta kuptojë brutalitetin e burrave që janë kundërshtarë në këtë luftë.

Ka shumë pak njohuri se kush janë kryengritësit dhe çfarë në të vërtetë përfaqësojnë, ose se si janë organizuar. Nuk dihet shumë as për ndikimin e mundshëm të ndikimeve të jashtme ose luftëtarëve të huaj.

Tarmamade duket i lodhur. Ka goxha kohë prejse është aktiv në politikë – njeri të mirë, e përshkruajnë njerëzit në ishuj. Puna si administrator i krahinës do të jetë detyra e tij e fundit, por nuk e kishte menduar se kështu mund ta mbyllte karrierën politike.

Ai i ka thënë “Der Spiegelit” se dëshironte t’i kthehej peshkimit dhe kultivimit të kafesë. Çfarë po ndodh tani në ishujt e tij ia kujton ngjarjet në deltën e Lumit Niger. Prejse atje u gjet naftë, rajoni nuk po e gjen dot paqen. “Mjedisi është shkatërruar dhe rendi e ligji kanë rënë. Askund në Afrikë, nafta dhe gazi nuk kanë qenë të mira për popullin”, ka thënë Tarmamade. Shikimin e hedh kah uji. Pastaj thotë: “Do të doja të mos ishte gjetur kurrë gazi”.

Përgatiti: Rexhep Maloku