“Kishte humbur peshë dhe kishte iluzione, halucinacione, sjellje të dhunshme dhe përsëriste fjalët. Në një pikë as nuk mund të ecte. Kështu, pas tre muajsh sorollatje, në një spital mjekët na thanë se po vdiste, por askush nuk e dinte pse”
Mjekët kanadezë kanë hasur në pacientë që po shfaqin simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes Creutzfeldt-Jakob, një sëmundje e rrallë fatale që e sulmon trurin. Por, kur e analizuan më afër, ajo që zbuluan i la gojëhapur.
Pothuajse dy vjet më parë, Roger Ellisit i ra të fikët në shtëpi pas një goditjeje në tru, në ditën e 40-vjetorit të martesës. Në fillim të të gjashtëdhjetave, Ellis, që ka lindur dhe është rritur përreth gadishullit Akadian në New Brunswick, gëzonte shëndet të mirë deri në atë qershor dhe po shijonte pensionimin, pas disa dekadash pune si mekanik. Djali i tij, Steve Ellis, thotë se pas asaj dite fatkeqe shëndeti i babait të tij u përkeqësua. “Kishte humbur peshë dhe kishte iluzione, halucinacione, sjellje të dhunshme dhe përsëriste fjalët”, ka thënë ai. “Në një pikë as nuk mund të ecte. Kështu, pas tre muajsh sorollatje, në një spital mjekët na thanë se po vdiste, por askush nuk e dinte pse”.
Mjekët e Roger Ellisit fillimisht dyshuan për sëmundjen Creutzfeldt-Jakob (CJD). CJD-ja është sëmundje me çrregullim degjenerues fatal dhe të rrallë në tru, që te pacientët shfaqet me simptoma si humbja e kujtesës, ndryshimet e sjelljes dhe vështirësitë me koordinim. Një kategori e njohur nga të gjithë është varianti CJD, që lidhet me ngrënien e mishit të kontaminuar, të infektuar me sëmundjen e lopës së çmendur. CJD-ja i përket edhe një kategorie më të madhe të çrregullimeve të trurit si Alzheimer, Parkinson dhe ALS-ja, ku proteina në sistemin nervor mblidhet dhe formësohet gabimisht.
Por, testi i Ellisit për CJD-në rezultoi negativ, sikurse edhe një breshëri testesh të tjera që mjekët ia bënë teksa përpiqeshin ta caktonin shkakun e sëmundjes. Djali i tij thotë se ekipi mjekësor bëri të pamundurën për t’i lehtësuar simptomat e ndryshme të babait, por misteri mbeti: çfarë qëndronte prapa gjendjes shëndetësore të Ellisit? Në mars të këtij viti, Steve Ellis gjeti një përgjigje të mundshme. Radio-Canada, transmetuesi publik, mori një kopje të një dokumenti të shëndetit publik që ua ishte dërguar profesionistëve mjekësorë të krahinës, duke paralajmëruar një grup pacientësh që kishin sëmundje të panjohur degjenerative të trurit.
“Gjëja e parë që thashë ishte: ‘Ky është babai im’”, kujton ai. Roger Ellis tani besohet të jetë një nga të prekurit me sëmundjen dhe është nën kujdesin e Dr. Alier Marrero. Neurologu me Qendrën Spitalore Universitare Dr Georges-L-Dumont në Moncton thotë se mjekët u ndeshën për herë të parë me sëmundjen e çuditshme më 2015. Në atë kohë ishte një pacient, një “rast i izoluar dhe atipik”, ka thënë ai. Por, që nga ajo kohë ka pasur më shumë pacientë si i pari – mjaftueshëm që mjekët të jenë në gjendje ta identifikojnë grupin si sëmundje ose sindromë tjetër “që nuk është parë më herët”.
Krahina ka njoftuar se aktualisht po përcjell 48 raste, të ndara në mënyrë të barabartë midis burrave dhe grave, me 18 deri në 85-vjeçarë. Pacientët janë nga gadishulli Akadian dhe zonat e Monctonit në New Brunswick. Besohet se gjashtë persona kanë vdekur nga sëmundja.
Dr. Marrero thotë se ka shumë simptoma dhe ato mund të ndryshojnë mes pacientëve. Në fillim mund të ketë ndryshime të sjelljes, si ankthi, depresioni dhe nervozizmi, së bashku me dhimbje të pashpjegueshme, dhimbje të muskujve dhe spazma te personat që më parë kanë qenë të shëndetshëm. Shpeshherë, pacientët kanë probleme me gjumë – pagjumësi të rëndë ose hipersomni – dhe probleme me kujtesën. Mund të dëmtohet shumë shpejt edhe gjuha, gjë që e vështirëson komunikimin dhe zhvillimin e një bisede të rrjedhshme – probleme si belbëzimi apo përsëritja e fjalëve.
Simptomë tjetër është humbja e shpejtë e peshës dhe atrofia e muskujve, si dhe problemet me shikim dhe ato të koordinimit, po ashtu dridhjet e pavullnetshme të muskujve. Shumë pacientë kanë nevojë për ndihmën e këmbësorëve ose karrocave. Disa prej tyre kanë edhe ëndrra shqetësuese me halucinacione ose shohin halucinacione. Te pacientët është paraqitur edhe "Deluzioni Capgras" kalimtar, një çrregullim psikiatrik ku personi beson se një person i afërt është zëvendësuar nga një mashtrues.
“Është mjaft shqetësuese sepse, për shembull, një pacient do t’i thotë bashkëshortes së tij: “Më vjen keq zonjë, nuk mund të shtrihesh në shtrat. Unë jam burrë i martuar” dhe edhe nëse bashkëshortja ia tregon emrin, ai do të thotë: “Ti nuk je e vërteta”, ka thënë Dr. Marrero.
Neurologu që punon në Moncton po e udhëheq studimin e sëmundjes me ndihmën e një ekipi studiuesish dhe Agjencisë federale të shëndetit publik. Pacientët e dyshuar u nënshtrohen testeve të sëmundjes së prionit dhe testeve për gjendjen gjenetike, testeve që analizojnë çrregullimet autoimune ose format e kancerit dhe kontrolleve për gjëra të tilla si viruset, bakteret, kërpudhat, metalet e rënda dhe antitrupat jonormalë.