Pavarësisht se shumë vende afrikane po kanë vështirësi të sigurojnë mjaftueshëm vaksina kundër COVID-19, disa të tjerave u kanë tepruar mijëra doza të skaduara, që nuk kanë mundur t’i përdornin
Cilat vende kanë vaksina të papërdorura?
Malavit i kanë tepruar 16,400 doza të vaksinës “AstraZeneca”, ndërsa Sudanit të Jugut 59,000 – të gjitha tani e kanë kaluar datën e skadimit, 13 prill. Të dyja vendet thonë se kanë vendosur t’i shkatërrojnë këto vaksina që u janë dhuruar përmes Bashkimit Afrikan, pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kërkon që të ruhen, derisa po hetohet nëse data e skadimit mund të zgjatet.
Ndërkohë, Republika Demokratike e Kongos thotë se nuk mund ta përdorë shumicën e 1.7 milionë dozave “AstraZeneca” që mori sipas planit global “Covax” për vendet e varfra.
Vetëm afro 1.000 doza ishin administruar deri në fund të prillit. Dhe pjesa dërrmuese e tyre – me datën e skadimit më 24 qershor – tani po dërgohen në Togo dhe Ganë, një nga vendet që ka përdorur tashmë pjesën e parë të vaksinave.
Pse nuk janë përdorur vaksinat?
Vaksina “AstraZeneca” mund të ruhet me shumë siguri në frigorifer deri në gjashtë muaj pas prodhimit. Por, Bashkimi Afrikan tani po i rishpërndan vaksinat që ishin dërguar fillimisht në Afrikën e Jugut në shkurt, që datën e skadimit e kanë më 13 prill. Qeveria e Afrikës së Jugut vendosi të mos i përdorë, e shqetësuar se nëse vaksina ofronte mbrojtje të pamjaftueshme nga varianti i përhapur në vend.
Në fund të marsit, një milion doza iu shitën Bashkimit Afrikan për t'ua dhënë vendeve të tjera afrikane. Por, disa si Sudani i Jugut thonë se nuk ishin në dijeni për datën e skadimit. Ndërkaq, Nigeria tha se nuk do të ishte në gjendje t’i përdorte të gjitha dozat në kohë. Kështu që disa u caktuan të shkojnë në Togo dhe Ganë. Disa madje u dërguan në Xhamajkë. OBSH-ja thotë se vetëm Togo dhe Gambia kanë konfirmuar se i kanë përdorur tërë këto doza deri në datën e skadimit. Se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër, aktualisht nuk dihet.
Çfarë ka shkaktuar vonesa në përdorimin e vaksinave?
Shumë vende nuk arritën të përgatiteshin në mënyrë të duhur para se t’i pranonin vaksinat, ka thënë Phionah Atuhebwe nga dega e OBSH-së në Afrikë. “Kjo është një nga arsyet që po shohim ritëm të ngadaltë të shpërndarjes”, ka thënë ajo. Po ashtu, disa vende janë përballur me sfida financiare. Udhëheqësi i Qendrave të Afrikës për Kontrollim të Sëmundjeve, John Nkengasong, ka thënë se vendet kanë nevojë për më shumë mbështetje për ta rritur numrin e punonjësve shëndetësorë dhe për t’u furnizuar me gjëra të tilla si mjetet mbrojtëse personale.
Kurse vendet që kanë vaksina që po i afrohen datës së skadimit apo e kanë kaluar, duhet ta kontaktojnë OBSH-në ose qendrat e Afrikës. “Kontinenti në tërësi di të vaksinojë dhe ka organizuar vaksinime edhe për sëmundje të tjera”, ka thënë ai. “Por, çelësi është se si ta shtojë numrin e vaksinimeve dhe shpejtësinë e procedurave për vaksinim?”
Për Republikën Demokratike të Kongos, dikur Zaire, problem nuk është vetëm shërbimi i dobët shëndetësor, por edhe rrjeti shumë i dobët i transportit, i cili ndikon që dërgimi i vaksinave në vendet e largëta të jetë problem i madh.
Për ta ndërlikuar situatën edhe më shumë, vendi pezulloi shpërndarjen e vaksinave “AstraZeneca” në mes të marsit, shkaku i shqetësimeve për siguri dhe nuk rifilloi deri më 19 prill – më shumë se një muaj më vonë.
Çfarë sa i përket ngurrimit për marrjen e vaksinave?
Disa ekspertë dhe politikanë ua ngarkojnë këtë barrë të fajit në përgjithësi shqetësimeve rreth sigurisë dhe efikasitetit të vaksinave për përdorimin e ngadaltë në shumë vende në Afrikë, por është e vështirë të përcaktohet sasia e këtij ndikimi. "U desh pak kohë për t’i bindur njerëzit", ka thënë ministri i Shëndetësisë së Sierra Leones, Austin Demby, për BBC News. "Pra, nuk është vetëm ngurrimi për ta marrë vaksinën, tani kemi edhe skepticizmin ndaj saj”.