Botë

Nën petkun e pandemisë, qeveritë gërryen të drejtat dhe liritë themelore

Raporti “Atlas of Civil Society” ka treguar se shumë qeveri ua kanë kufizuar qytetarëve të tyre liritë themelore nën maskimin e betejës kundër virusit. Është i mbushur me shembuj të lirive të kufizuara: burgjet e stërmbushura në Filipine, gazetarët e arrestuar në Zimbabve, aktivistët e kërcënuar të të drejtave të njeriut në Meksikë

Pandemia e koronavirusit ka çuar drejt gërryerjes së të drejtave themelore qytetare kudo nëpër botë.

Raporti “Atlas of Civil Society” ka treguar se shumë qeveri ua kanë kufizuar qytetarëve të tyre liritë themelore nën maskimin e betejës kundër virusit. Është i mbushur me shembuj të lirive të kufizuara: burgjet e stërmbushura në Filipine, gazetarët e arrestuar në Zimbabve, aktivistët e kërcënuar të të drejtave të njeriut në Meksikë.

Për të katërtën herë radhazi, organizatat “Bread for the World” dhe “Civicus” kanë publikuar përmbledhjen gjithëpërfshirëse mbi gjendjen e organizatave të shoqërisë civile dhe të anëtarëve të tyre në pothuajse 200 vende të botës.

“2019-a ishte vit i protestave”, ka thënë Dagmar Pruin, kryesues i “Bread for the World”. “Kudo në botë njerëzit kishin rrokur rrugët. Dhe ky mobilizim ka vazhduar edhe më 2020, për shembull në SHBA apo në Bjellorusi”.

Protesta ka pasur edhe lidhur me pandeminë, me ç’rast qytetarët kanë bërë thirrje për asistencë financiare dhe për më pak korrupsion. “Por, në përgjigje ndaj tyre, qeveritë në shumë vende nuk i kanë luftuar shkaktarët e protestave, por protestuesit”, ka theksuar Pruin.

Pasqyra për 2021-n është e zymtë. Sipas raportit, 88 për qind e popullsisë së botës jeton në shoqëri të kufizuara, të shtypura dhe të mbyllura. Pjesa e mbetur janë klasifikuar si shoqëri të dëmtuara apo të hapura.

Vetëm 43 nga 196 vendet e ekzaminuara janë kategorizuar si shoqëri të hapura. Dhe në mesin e tyre nuk janë përfshirë të gjitha 27 anëtaret e Bashkimit Evropian.

Sipas raportit, pandemia ka shërbyer njëkohësisht si katalizator për përkeqësimin e pasqyrës.

“Ajo që mund të shohim është se pandemia faktikisht i ka ekspozuar dobësitë e gjetura në disa sisteme dhe regjime”, ka theksuar Silke Pfeiffer, shef i departamentit për të drejta të njeriut dhe paqe në “Bread for the World”. “Dhe në shumë vende ka pasur tendenca për luftimin e problemeve të shpërfaqura nga pandemia me autoritet të tepruar, i cili ka tmerruar qytetarët”.

Për shembull, 100.000 persona janë arrestuar në Filipine me pretendimin se nuk i kanë respektuar masat kundër koronavirusit, 17.000 arrestime arbitrare në qendra të karantinimit janë ndërmarrë në El Salvador, duke e përfshirë edhe një aktivist të të drejtave të njeriut që është mbajtur i mbyllur për tri javë para se të testohej për COVID-19.

Një sondazh me pothuajse 400 gazetarë ka treguar se qytetarët në 59 vende të botës janë ballafaquar me dhunë policore lidhur me virusin. Në Kolumbi, pothuajse 50 organizata joqeveritare kanë nënshkruar një ankesë kundër dhunës policore.

Në shumë vende, masat për frenimin e pandemisë janë abuzuar gjithashtu për ta minuar demokracinë dhe për t’i vënë nën presion aktivistët e të drejtave të njeriut dhe gazetarët.

Në Meksikë, aktivistja e të drejtave të njeriut, Clemencia Salas Salazar, ka qenë për një kohë të gjatë nën mbrojtjen policore. Në marsin e 2020-s, mbrojtja e saj është tkurrur nën pretekstin se policët janë të nevojshëm për luftimin e pandemisë.

Rregullimet e reja shkaku i pandemisë kanë vënë nën presion gazetarët në shumë shtete. Në Filipine, licenca transmetuese për transmetuesin më të madh “ABS-CBN” nuk është zgjatur. Stacioni televiziv vazhdimisht ishte kritikuar nga qeveria e presidentit Rodrigo Duterte. Gjetkë janë miratuar ligje që kanë minuar dhe kanë pezulluar proceset demokratike.

Ndërkaq, “Atlas of Civil Society” nuk gjen shenja shprese për përmirësim të shpejtë.

“Më 2020 gjendja është përkeqësuar theksueshëm”, ka thënë Pruin. Ka pasur, megjithëkëtë, edhe një zhvillim më pozitiv: shumë organizata të shoqërisë civile kanë qenë në gjendje që ta mbushin hendekun, të cilin qeveritë e tyre kanë dështuar ta mbushin, dhe janë ballafaquar me krizën e koronës në mënyrë kreative.

Një shembull i kësaj është dhënë në Brazil. Organizata “Assesoria e Servicios a Projetos em Agricultura Alterantiva” (ASPTA) ka blerë ushqime nga bujqit që nuk mund t’i shisnin më produktet e tyre sherri i tregjeve dhe shtigjeve të mbyllura transportuese. Organizata më pas ua ka shpërndarë ushqimet punëtorëve që i kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë periudhës së izolimit.