Botë

“Pfizeri” parasheh 26 miliardë dollarë përfitime nga vaksina

Kompania farmaceutike amerikane “Pfizer” ka njoftuar të martën se deri në fund të vitit pret që të gjenerojë 26 miliardë dollarë përfitime nga vaksina e saj kundër COVID-19, shifër kjo për 70 për qind më e lartë sesa që ishte parashikuar.

Përfitimet shtesë janë reflektim i rritjes së kërkesave, si rrjedhojë e përshpejtimit të fushatave të imunizimit ndaj koronavirusit në të gjithë botën. Ky vlerësim i ri konsiston me 1.6 miliardë dozat që kjo kompani ka zhvilluar bashkë me “BioNTechun” gjerman dhe të cilat do të shpërndahen nëpër botë gjatë këtij viti.

Në çerekun e parë të 2021-s, vaksinat kanë qenë produkti më i shitur i “Pfizerit”. Veç kësaj, kompania ka njoftuar se është në negociata me disa shtete për dërgesa të vaksinave edhe për vitin 2022 dhe tutje. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Albert Bourla, ka theksuar se beson që gjatë viteve të ardhshme kërkesa për vaksinat kundër COVID-19 do të jetë e ngjashme sikurse me ato kundër gripit.