Botë

Në garën e superioritetit të armëve, Rusia sfidon hegjemoninë e SHBA-së

Shitja e shtuar e armëve i gjeneron para dhe ndikim gjeopolitik Moskës, në përpjekjen për ta sfiduar hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Pesë vjet pas rikthimit në Lindjen e Mesme me vendosjen e një baze ushtarake në Siri, Rusia ka mbushur vendin vakant të lënë në tregun e armëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka shtuar shitjet mes klientëve tradicionalë.

Shitja e shtuar e armëve i gjeneron para dhe ndikim gjeopolitik Moskës, në përpjekjen për ta sfiduar hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara, ka shkruar agjencia “Al-Jazeera” në një analizë.

Më 25 të shkurtit, Rusia zyrtarisht ka njoftuar se Egjipti ka pranuar pesë aeroplanë të avancuar Sukhol Su-35. Këta aeroplanë Egjipti i kishte porositur me gjithë kërcënimet amerikane për sanksione, pasi që Washingtoni refuzoi që t’ia shiste Kajros aeroplanët luftarakë të gjeneratës së pestë F-35.

Turqia, një aleate në NATO, është në bisedime me Rusinë për të blerë Su-35 dhe mbase edhe gjeneratën më të fundit të aeroplanëve Su-57, pasi që është larguar nga programi amerikan i trajnimit për aeroplanët F-35. Përveç kësaj, sipas “Al-Jazeeras”, edhe Algjeria – konsumatorja më e madhe e Rusisë – do të pranojë 14 Sukhoi-34 të ripërpunuar gjatë këtij viti përderisa në radhë për shitje është edhe Irani. Ky klient historik i armatimit rus qysh prej kohëve të Shahut është më i lirë në shqyrtimin e mundësisë së pajisjes ushtarake nga Rusia, pasi që embargoja njëdekadëshe e OKB-së për armë e vendosur ndaj Republikës Islamike ka skaduar në tetor.

“Rusia është duke i tregtuar armët e saja ngase ato janë burimi kryesor i valutave të huaja për të”, kanë thënë ekspertët, duke folur për “Al-Jazeera”. “Eksportet e armëve janë esenciale për ekonominë ruse, për dallim prej SHBA-së që është një treg kaq i madh në vetvete që nuk brengoset përnjëmend për eksporte”, ka thënë Kostas Grivas, profesor i sistemit të armatimit në Akademik Helene Ushtarake.

Hisja e Rusisë në eksportet globale të armëve ka qenë plot 21 për qind në vitet 2015-2019, duke u bërë kësisoj eksportuesi i dytë më i madh i armëve në botë pas SHBA-së, kanë treguar të dhënat e Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI).

Egjipti, si i dyti më i miri!

Që prej marrëveshjeve të 1979-s në Camp David, me të cilat u krijuan marrëdhëniet diplomatike midis Izraelit dhe Egjiptit, SHBA-ja ka siguruar ndihma ushtarake dhe ekonomike prej 80 miliardë dollarësh për Egjiptin. Një gjë e tillë është sfiduar më 2011, kur presidenti i atëhershëm Hosni Mubarak u rrëzua nga pushteti me kryengritjen popullore dhe më 2012 u zgjodh në vend të tij Mohamed Morsi.

“Atëkohë, SHBA-ja u zmbraps nga dërgesa e sistemeve të armatimit, nga frika e kërcënimit të Izraelit”, ka shkruar transmetuesi nga Katari.

Në ndërkohë, Rusia ka shfrytëzuar të gjitha iniciativat diplomatike dhe është përfshirë në Egjipt. Më 2014, Egjipti dhe Rusia kanë arritur marrëveshje 3.5 miliardë dollarësh për ta furnizuar Egjiptin me 46 helikopterë Ka-52 dhe 46 aeroplanë luftarakë MiG-29.

E në ndërkohë në lojë ruse të armëve është përfshirë edhe Algjeria.

Gjatë një vizite në Algjer më 2006, presidenti rus, Vladimir Putin, ia kishte falur vendit borxhin prej 2.7 miliardë dollarësh në këmbim të kontratave të armatimit me vlerë prej 7.5 miliardë dollarësh.

Algjeria, e cila shpenzon 15.5 për qind të bruto prodhimit të saj për kokë banori në mbrojtje, tani duket se ka ambicie të veta gjeopolitike në Mesdhe, e fuqizuar pothuajse krejtësisht nga armatimet e Rusisë.

Turqia, në kërkim të miqve të rinj

Nga ana tjetër, Turqia është duke u transformuar në një akter rajonal nëpërmjet eksportit të armëve, pak a shumë sikurse Rusia. Dronët e saj kanë pasur ndikim në luftën në Libi si dhe në konfliktin në Nagorno-Karabakh midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, gjatë vitit të shkuar.

Në dhjetorin e 2019-s, Kongresi amerikan kishte sanksionuar Turqinë për blerjen e raketave ruse tokë-qiell S-400, duke pretenduar se ato përbëjnë kërcënim për programin e Turqisë në F-35.

Midis krejt kësaj, Turqia ka qenë e përfshirë në një konflikt të hapur me Greqinë rreth pjesëve të Mesdheut Lindor dhe Egjeut teksa Athina, si pasojë e kësaj, është duke u armatosur.

“Midis qershorit të atij viti dhe qershorit të 2022-s, Greqia do të pranojë 18 aeroplanë luftarakë ‘Rafael’ të gjeneratës së katërt nga Franca. Edhe gjashtë të tjera mund të pasojnë”, ka shkruar “Al-Jazeera”.

“Kur ‘Rafal’ të hyjnë në shërbim brenda pak muajsh, Turqia do ta ketë problem vërtet serioz baraspeshimin e fuqisë karshi Greqisë. Dhe në rast se embargoja e amerikanëve vazhdon, atëherë problemi do të bëhet jashtëzakonisht serioz, të paktën në aspektin afatmesëm”, ka thënë Grivas. “Nëse i blenë Sukhoi-t, atëherë ky do të jetë një hap akoma më ndarës prej arkitekturës perëndimore se sa në rastin e blerjes së S-400-shave... Jemi në fillim të një Lufte të Ftohtë. Veprimi i Turqisë do të ishte një çarje e pakthyeshme me Perëndimin”.

Por Grivas beson gjithashtu se ekziston një mundësi për paqe.

Derisa Greqia gëzon një avantazh në konkurrencën në Egje, dy vendet mund akoma t’i zgjidhin mospajtimet e tyre të kahershme detare, ka theksuar ai për “AJ”.

Por derisa konflikti në Mesdhe zien, a e ka ndier Rusia mundësinë për ta lajkatuar aleatin kyç të NATO-s drejt orbitës së saj?

“Rusia po i ofron Turqisë që t’i zhvillojë bashkërisht Su-57-shat, aeroplanët më të avancuar të Rusisë. Do t’i heqin të gjitha barrierat kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ushtarak me Rusinë”, kanë thënë ekspertët.