Disa shtete evropiane kanë raportuar raste të infektimit me variantin e koronavirusit të identifikuar fillimisht në Indi, duke e nxitur kufizimin e udhëtimeve në bllok nga shteti i goditur rëndë nga pandemia. Teksa një vendim të ngjashëm ka marrë të premten edhe administrata e presidentit amerikan Joe Biden
I ashtuquajturi variant “i mutacionit të dyfishtë” të koronavirusit të ri, i detektuar fillimisht në Indi, ka mbërritur tanimë në disa vende të Evropës.
Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Rumani, Zvicër dhe Belgjikë kanë regjistruar raste të të ashtuquajturit variant indian i virusit, i njohur zyrtarisht si B.1.617.
Rastet e kanë ndezur alarmin për përhapjen e mundshme të shpejtë të infeksioneve shkaku i variantit i cili i ngërthen dy mutacione kyç në majën e virusit. B.1.617, përfshirë mutacionet E484Q dhe L452R.
Të dhënat nga studimet kanë sugjeruar se mutacionet e bëjnë këtë lloj të virusit më të bartshëm dhe më rezistent ndaj vaksinave sesa format e tjera të saj, por shkencëtarët janë ende duke bërë përpjekje për ta përcaktuar shtrirjen e saktë të problematikës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar këtë si një “variant me interes”, duke sugjeruar se mund të jetë shumë më e bartshme se variantet e mëhershme, se shkakton sëmundje shumë më të rëndë dhe se e shmang imunitetin nga vaksina në një shkallë më të lartë. Por, variantet e tjera, si ato të evidentuara fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën Jugore, janë kategorizuar si “variante shqetësuese”, një nivel ky që përkon me kërcënim më të lartë.
Varianti i ri është regjistruar tanimë në të paktën 17 shtete në mbarë botën që prej shfaqjes në Indi, vend ky që aktualisht është duke u përballur me valën e dytë shkatërrimtare të pandemisë.
Në Evropë, Britania e Madhe përbën vendin e goditur më së rëndi, ku autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 193 raste me këtë variant. Raste sporadike janë evidentuar edhe në Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Portugali dhe Spanjë. Të enjten, Rumania ka raportuar rastin e saj të parë të tillë.
Në kundërpërgjigje ndaj përhapjes së këtij varianti, një numër i konsiderueshëm i qeverive evropiane – përfshirë ato britanike, franceze, italiane, gjermane, belge dhe spanjolle – kanë ndaluar udhëtimet dhe kanë kufizuar hyrjet në vend nga India.
Veprimi është ndërmarrë teksa një sërë shtetesh anëtare të BE-së janë duke u përballur me valën e tretë masive të përhapjes së pandemisë.
Të premten, Shtëpia e Bardhë në Washington ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i kufizojnë udhëtimet nga India, duke nisur nga 4 maji. Për këtë vendim, administrata ka përmendur shkallën jashtëzakonisht të lartë të rasteve të infektimit në Indi dhe shfaqjen e varianteve potencialisht të rrezikshme të virusit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden e ka marrë një vendim të tillë me rekomandim të Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse.
“Kjo masë do të zbatohet shkaku i numrit jashtëzakonisht të madh të rasteve me COVID-19 dhe varianteve të shumëfishta të virusit që po qarkullojnë në Indi”, ka thënë ajo.
Me 386.452 rastet e reja në 24 orët e fundit, India ka raportuar më shumë se 18.7 milionë të infektuar që nga fillimi i pandemisë, bilanc ky i dyti më i lartë në botë pas SHBA-së. Ministria indiane e Shëndetësisë ka raportuar gjatë së premtes edhe për 3.498 të vdekur, duke e çuar totalin e fataliteteve në 208.330. Ekspertët besojnë se të dhënat janë të nënvlerësuara, porse nuk mund të përcaktohet saktësisht se për sa.
Vendimi amerikan për kufizimin e udhëtimeve është marrë disa ditë pasi që presidenti Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin indian, Narendra Modi, lidhur me krizën shëndetësore në vend dhe është zotuar për dërgimin e menjëhershëm të ndihmave.
Përveç me Indinë, SHBA-ja ka në fuqi kufizime udhëtimi për qytetarët nga Kina, Irani, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Republika e Irlandës, Brazili dhe Afrika e Jugut, vende këto që po konsiderohen aktualisht si vatra të koronavirusit në botë.