Rastet enorme të vdekjeve shkaku i koronavirusit në Indi kanë shtrënguar autoritetet që të krijojnë hapësira të hapura krematoriumi, ku trupat po digjen nën përcjelljen e familjarëve. Vala e dytë e pandemisë ka bllokuar tërësisht sistemin shëndetësor në Indi, duke i stërmbushur spitalet dhe hapësirat e trajtimit të pacientëve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit India ka raportuar për mbi 323 mijë raste të reja të infektimit dhe 380 të vdekur vetëm në Delhi, si pasojë e COVID-19
India, shteti me shpërthimin më të madh të koronavirusin aktualisht në botë, ka raportuar 17.6 milionë raste prejse nisi pandemia. Por numri i vërtetë, druajnë ekspertët, mund të jetë edhe tridhjetëfish më i lartë – apo rreth gjysmëmiliardi raste më shumë.
Rastet enorme të vdekjeve shkaku i koronavirusit në Indi kanë shtrënguar autoritetet që të krijojnë hapësira të hapura krematoriumi, ku trupat po digjen nën përcjelljen e familjarëve. Vala e dytë e pandemisë ka bllokuar tërësisht sistemin shëndetësor në Indi, duke i stërmbushur spitalet dhe hapësirat e trajtimit të pacientëve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit India ka raportuar për mbi 323 mijë raste të reja të infektimit dhe 380 të vdekur vetëm në Delhi, si pasojë e COVID-19.
Punëtorët shëndetësorë dhe shkencëtarët në Indi kanë paralajmëruar qëmoti se infektimet me COVID-19 dhe vdekjet e lidhura me të nuk po raportohen fare për arsye të ndryshme, përfshirë infrastrukturën e dobët, gabimet njerëzore dhe nivelet e ulëta të testimit.
Kërdia e valës së dytë
Disa gjëra kanë ndryshuar prej atëherë – testimet janë ngritur theksueshëm në kulmin e valës së parë. Megjithatë, përmasat e vërteta të valës së dytë që tani po bën kërdi në Indi, pritet të jenë larg më të këqija sesa sugjerojnë shifrat.
“Dihet mirëfilli se edhe shifrat e rasteve, edhe të dhënat e vdekjeve nuk janë të sakta, sepse gjithnjë janë evidentuar shumë më pak se ndodhte në të vërtetë”, ka thënë Rmanam Laxminrayan, drejtor i Qendrës për Dinamikën, Ekonominë dhe Politikën e Sëmundjeve Ngjitëse në Delhi. “Vjet ne llogarisnim se vetëm një në tridhjetë infektime ishin hetuar prej testimit, kështu që rastet e raportuara janë një nënvlerësim serioz i infektimeve të vërteta”, ka shtuar ai. “Kësaj here të dhënat e vdekshmërisë në terren janë larg më të larta sesa e tregojnë të dhënat zyrtare”.
Televizioni ka kërkuar edhe vlerësimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Indisë lidhur me këto pretendimet.
Shkallën e ulët të vdekjeve të raportuara në valën e parë, Qeveria e kishte konsideruar rezultat të menaxhimit të suksesshëm pas shpërthimit të pandemisë. Mbi këtë bazë, edhe e kishte mbështetur vendimin për zbutjen e masave.
Festa e parakohshme
Kryeministri Narendra Modi lartësoi të dhënat, duke e lidhur edhe me “besueshmërinë e njerëzve” dhe parashikoi se “krejt vendi do të dalë fitimtar në luftën kundër COVID-19”, thuhej në një deklaratë të shkruar të zyrës kryeministrore të gushtit të vitit të kaluar.
Dhe beteja ende po vazhdon. Numri i vdekjeve ditore në vend pritet të shënojë kulmin në mesmaj, tregojnë të dhënat projektuese të Institutit të Metrikave dhe Vlerësimeve Shëndetësore të Universitetit të Washingtonit.
Maja e të ligave mund të shkojë deri në 13 mijë vdekje në ditë – apo katërfish më shumë se shifra e tanishme e vdekjeve ditore.
“Nuk mendoj se ka ndonjë familje që ka shpëtuar pa i vdekur ndonjë anëtar”, ka deklaruar Laxminrayan. “Mungon nga një anëtar në secilën familje që më bie ndërmend”.
Kapaciteti testues i Indisë është ngritur dramatikisht prej valës së parë. Në të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar, vendi testonte më pak se gjysmë milioni qytetarë në ditë, derisa “tani po testohen rreth dy milionë qytetarë në ditë”, ka deklaruar dr. Soumya Svaminathan, kryeshkencëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Kapacitetet e kufizuara”
“Por kjo ende nuk është e mjaftueshme, sepse shkalla mesatare e rasteve pozitive është rreth 15 për qind – në disa qytete si Delhi shkon mbi 30 për qind, ose më shumë”, ka deklaruar ajo. “Kjo nënkupton se shumë njerëz atje janë infektuar dhe nuk po detektohen për shkak të kapacitetit të kufizuar të testimit... vetëm më vonë do ta marrim vesh tamam numrin e qytetarëve të infektuar”.
Ka pak arsye për testim të pamjaftueshëm, thekson Bhramar Mukherjee, profesor biostatistike dhe epidemiologjie në Universitetin e Michiganit. Më e qarta është se pacientët asimptomatikë – të njohura edhe si “infeksione të heshtura” – thjesht mund të mos e marrin vesh kurrë se ishin infektuar, dhe kështu nuk do të testohen kurrë.
Mungesa e të dhënave
Ka gjithashtu struktura të ndryshme raportimi në qytete dhe në shtete të ndryshme, dhe testimi mund të ofrohet më pak në zona rurale. Banorët më të varfër mund të mos kenë kohë për të lënë punën e për t’u testuar, ose të udhëtojnë deri në një qendër testimi.
“Të gjitha shtetet deri në njëfarë shkalle janë përballur me problemin e saktësisë për klasifikimin e vdekjeve të lidhura me COVID-in, por mendoj se në Indi problemi është goxha akut”. Por testet serologjike, që tregojnë shkallën e antitrupave në sistemin imunitar për të treguar nëse dikush i ishte ekspozuar virusit, u krijojnë shkencëtarëve një pasqyrë më të qartë se sa njerëz mund të kenë qenë të infektuar.
Anketimet e mëhershme kanë treguar se numri i këtyre njerëzve është “20 deri në 30 herë më i lartë sesa është raportuar”, ka thënë Svaminathan i OBSH-së.
Dhe kur u shtohet të dhënave të fundit të raportuara të martën, shifra mund të ngrejë të përgjithshmen e Indisë në më shumë se 529 milionë raste.