Botë

Njohja e gjenocidit armen nga Bideni, shuplakë morale për Erdoganin

Pas shmangies nga tema për vite me radhë, Qeveria amerikane tani zyrtarisht e njeh vrasjen e 1.5 milion armenëve nga Perandoria Osmane një shekull më parë si gjenocid. Dhe gazeta amerikane “New York Times” në një analizë të gjatë shkruan se çfarë do të thotë e gjithë kjo

Pavarësisht rrezikut të zemërimit të Turqisë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi zyrtarisht të shtunën se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë vrasjen e 1.5 milion armenëve nga turqit më shumë se një shekull më parë si gjenocid - më monstruozi prej krimeve.

Biden ishte presidenti i parë amerikan që u deklarua kështu, duke u shkëputur nga paraardhësit që nuk dëshironin të armiqësonin Turqinë, një aleate të NATO-s dhe një vend strategjikisht thelbësor që shtrihet ndërmjet Evropës dhe Lindjes së Mesme, shkruan gazeta amerikane “New York Times”.

Njoftimi mbart një peshë të madhe simbolike, duke barazuar dhunën anti-armene me mizoritë në shkallën e atyre që janë kryer në Evropën e pushtuar nga nazistët, në Kamboxhia dhe në Ruandë.

Përdorimi i termit është një shuplakë morale ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, mohues i flaktë i gjenocidit. Ai ka shpërthyer kundër udhëheqësve tjerë, përfshirë Papa Françeskun, për përshkrimin e vrasjeve armene në atë mënyrë.

Cili ishte gjenocidi armen?

Dhuna ndaj armenëve filloi gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane, paraardhëse e Turqisë moderne, e cila përfshinte edhe Armeninë, vend pa dalje në det, rrethuar nga Turqia, Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Irani.

Duke filluar nga viti 1915, osmanët, të rreshtuar me Gjermaninë në Luftën e Parë Botërore, u përpoqën të parandalonin armenët nga bashkëpunimi me Rusinë dhe urdhëruan dëbimet masive. Rreth 1.5 milion armenë etnikë vdiqën nga uria, vrasjet nga ushtarët dhe policia turke. Ata u detyruan të përballeshin me eksode në jug në atë që tani është Siri dhe gjetkë në Lindjen e Mesme.

Rreth 500,000 armenë mbijetuan dhe shumë prej tyre përfundimisht u shpërndanë në Rusi, Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë në atë që u kthye një nga diasporat më të largëta në botë.

Shumë historianë tani e konsiderojnë vdekjen e armenëve si gjenocidin e parë të shekullit 20. Për shumë armenë, është një histori e bartur nëpër breza, duke ngjallur ende emocione të forta, të përkeqësuara nga këmbëngulja e Turqisë se gjenocidi është një trillim.

Cila është origjina dhe kuptimi i termit gjenocid?

Gjenocidi përgjithësisht përcaktohet si vrasje e qëllimshme e njerëzve që i përkasin një grupi të caktuar racor, politik ose kulturor, me qëllim për ta shkatërruar atë grup.

Termi nuk ekzistonte deri në vitin 1944, kur një avokat hebre polak, Raphael Lemkin, ndërthuri fjalën greke për racë ose fis, "geno", me "-cide", nga fjala latine për vrasje. Lemkin tha se vrasjet e armenëve dhe Holokausti të kryera nga nazistët formësuan mendimin e tij.

Ndërsa gjenocidi nuk ishte ende një koncept ligjor kur gjykata e Nurembergut gjykoi nazistët pas Luftës së Dytë Botërore, procedurat ndihmuan në hedhjen e bazave për gjykatat që më vonë do të ndiqnin gjenocidin.

Termi u përfshi në një traktat të Kombeve të Bashkuara më 1948 që e bëri gjenocidin një krim sipas së drejtës ndërkombëtare.

Image

Megjithëse partizanët në një numër konfliktesh aktuale shpesh kanë përdorur termin për të diskredituar dhe stigmatizuar kundërshtarët, ndjekjet penale të gjenocidit janë të rralla. Gjykata speciale u krijuan për të ndjekur penalisht krimet, përfshirë gjenocidin 1975-1979 në Kamboxhia, gjenocidin e 1994-ës në Ruandë dhe mizoritë, përfshirë gjenocidin në ish-Jugosllavi.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila u themelua më 2002 pjesërisht për të gjykuar krime të tilla, ka vetëm një rast në pritje të gjenocidit - Omar Hassan Ahmad al-Bashir, ish-presidenti i Sudanit, i cili kërkohet me dy urdhra për krime, përfshirë gjenocidin në rajonin e Darfurit nga 2003 deri në 2008. Gjykata nuk mund të ndjekë penalisht krimet e kryera para fillimit të saj.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara, vendosi në janar 2020 që Birmania duhet të ndërmarrë veprime për të mbrojtur myslimanët rohingya, të cilët janë vrarë dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre në atë që akuzuesit e vendit e kanë quajtur fushatë gjenocidi. Vendimi, i cili nuk ka fuqi ekzekutimi, ishte rezultati i një procesi gjyqësor të ngritur në emër të vendeve myslimane që donin që gjykata të dënonte Birmaninë për shkeljen e traktatit të gjenocidit.

Pse Turqia e mohon se ishte gjenocid?

Qeveria e Turqisë ka pranuar se mizoritë ishin kryer gjatë asaj periudhe, por ka argumentuar se një numër i madh i turqve u vranë gjithashtu dhe se shifrat armene të viktimave janë ekzagjeruar shumë. Udhëheqësit e njëpasnjëshëm turq kanë denoncuar gjenocidin si një gënjeshtër që synon të minojë llogarinë e tyre për krijimin e Turqisë moderne.

Mohimi i gjenocidit nga Turqia është ngulitur në shoqërinë turke. Shkrimtarët që kanë guxuar të përdorin termin janë ndjekur penalisht sipas nenit 301 të kodit penal të Turqisë, i cili ndalon "denigrimin e turqizmit".

Mohimi mësohet që në moshë të hershme, me librat shkollorë që e quajnë gënjeshtër, duke i përshkruar armenët e asaj periudhe si tradhtarë dhe duke i shpallur veprimet e turqve osmanë si "masa të domosdoshme" kundër separatizmit armen

Pse presidentët amerikanë u përmbajtën deri tani?

Disa i janë afruar goxha shumë. Presidenti Ronald Reagan iu referua tërthorazi "gjenocidit të armenëve" në një deklaratë të 22 prillit 1981, duke përkujtuar çlirimin e kampeve të vdekjes naziste.

Por presidentët amerikanë përgjithësisht kanë shmangur përshkrimin e vrasjeve në këtë mënyrë për të shmangur çdo reagim nga Turqia që do të rrezikonte bashkëpunimin e saj në konfliktet rajonale ose në diplomaci.

Çfarë ka ndryshuar?

Si kandidat presidencial, Biden sinjalizoi synimet e tij një vit më parë në një fjalim në 24 prill, dita zyrtare e Armenisë për përkujtimin e gjenocidit. Ai përdori termin "gjenocid armen" dhe pohoi se "ne kurrë nuk duhet të harrojmë ose të heshtim për këtë fushatë të tmerrshme dhe sistematike të shfarosjes". Dhe në vitet e fundit, zemërimi dypartiak ndaj Erdoganit është rritur. Në 2019, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati aprovuan rezoluta duke e quajtur vrasjen armene gjenocid.

Si nënkryetar në administratën e Obamës, Biden kurrë nuk gëzoi marrëdhënie të lehtë me Erdoganin, një udhëheqës autokrat që i bëri atij një pritje të akullt në gusht 2016. Të dy u takuan një muaj pas grushtit të shtetit të dështuar në Turqi për të cilin Erdogani fajësoi një klerik turk që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara.

Ndoshta më e rëndësishmja është afërsia e Erdoganit me presidentin rus, Vladimir V. Putin, marrëdhëniet testuese të Turqisë me aleatët e tjerë të NATO-s dhe blerja turke e raketave kundërajrore ruse, kanë irrituar administratën e Bidenit dhe të dy dhomat e Kongresit. Dhe problemet në rritje ekonomike të Turqisë nën Erdoganin mund ta kenë bërë atë më pak të ngjarë të hakmerret ndaj çdo deklarate amerikane që e ofendon atë.

Biden dhe Erdogan nuk zhvilluan asnjë diskutim thelbësor për tre muajt e parë të mandatit të Bidenit, një tregues që Shtëpia e Bardhë i kushton më pak rëndësi Erdoganit si partner.

Erdogan kishte lobuar shumë për të parandaluar vendimin, por kur të dy udhëheqësit folën të premten, ranë dakord vetëm për një "menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve", sipas një përmbledhje të bisedës të siguruar nga Shtëpia e Bardhë.

Në lidhje me vendimin e Bidenit mbi gjenocidin, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, tha në një intervistë për mediat turke ditët e fundit se "nëse Shtetet e Bashkuara duan të përkeqësojnë lidhjet, vendimi është i tyre".

Sa vende e njohin gjenocidin armen?

Sipas një vlerësimi nga Instituti Kombëtar Armen, një grup me bazë në Uashington, të paktën 30 vende e kanë bërë këtë.

Përgjigjja është më e komplikuar në lidhje me Kombet e Bashkuara, të cilat luajtën një rol qendror në traktatin që e bëri gjenocidin një krim, por nuk ka marrë një pozicion për atë që ndodhi në 1915 - 30 vjet para se të krijohej organi global. Uebfaqja e Zyrës për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësinë për të Mbrojtur, në përshkrimin e origjinës së termit gjenocid, nuk përmend Armeninë. António Guterres, sekretari i përgjithshëm, e ka zgjidhur çështjen.

I pyetur të enjten në lidhje me pikëpamjen e Guterresit, zëdhënësi i tij, Stéphane Dujarric, tha: "Ne nuk kemi asnjë koment, si rregull i përgjithshëm, mbi ngjarjet që ndodhën para themelimit të OKB-së." Gjenocidi, tha Dujarric, "duhet të përcaktohet nga një organ i përshtatshëm gjyqësor, sipas OKB-së”.

Përktheu: Rexhep Maloku