Sigurisht se Shtetet e Bashkuara janë përballur me këtë dilemë që prej vitit 2016, kur u bë e qartë ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane dhe për shumë vjet para kësaj ndërhyrjeje. Por së paku në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara mezi u përgjigjën ndaj këtyre ndërhyrjeve. Një prej arsyeve ishte se atëherë presidenti Donald Trump nuk ishte aq i nxehtë për të ndëshkuar Rusinë, por tjetra ishte se si një demokraci liberale mund t’i hakmerrej një agresioni të tillë në zonën gri që përbëhet nga vrasjet, ndërhyrjet në zgjedhje dhe sulmet kibernetike?
Margaret Thatcheri nuk ishte grua me gjysmëmasa. Në shtatorin e vitit 1985, e bindur se Bashkimi Sovjetik e kishte tepruar me spiunimin ndaj Mbretërisë së Bashkuar, kryeministrja britanike i përmendi 31 sovjetikë që konsideroheshin spiunë. Bashkimi Sovjetik u hakmor me shpejtësi, kur listoi 25 britanikë për të njëjtin aktivitet.
Revista politike amerikane “Foreign Policy”, në një analizë për përplasjet e Evropës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Rusinë ka përmendur operacionin edhe më të guximshëm të fundjavës së shkuar të ndërmarrë nga Republika Çeke, e cila dëboi hiç më pak se 18 rusë. (Nuk ishte aspak befasi kur Moska u përgjigj me dëbimin e 20 çekëve).
Veprimet e njëpasnjëshme, sipas revistës, erdhën pasi presidenti Joe Biden njoftoi për koktejin e ri të ndëshkimeve të regjimit të Rusisë.
“Të dyja, SHBA-ja dhe Republika Çeke, po i përgjigjeshin agresionit të shkurtër të luftës dhe veprimet e tyre tregojnë për një dilemë urgjente: si t’i kundërpërgjigjesh agresionit të patolerueshëm, por të shmangësh luftën”, ka vlerësuar “Foreign Policy”.
“Me siguri kemi thyer zemrën e aktiviteteve të papranueshme të inteligjencës së Bashkimit Sovjetik në Londër”, kishte thënë Thatcheri menjëherë pasi dëboi spiunët e dyshuar.
Guximi çek
Fundjavën që shkoi autoritetet çeke, që ende po hetojnë shpërthimin misterioz në një depo të municioneve që ndodhi në vitin 2014, njoftuan se kishin identifikuar shkaktarët: askush tjetër përveç oficerëve nga agjencia e inteligjencës ruse GRU, Ruslan Boshirov (emri i vërtetë: Anatoly Chepiga) dhe Alexander Petrov (emri i vërtetë: Alexander Mishkin). Të dy akuzohen për tentim vrasjen e shtetasve rusë Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Anglisë gjatë vitit 2018. Kryeministri çek, Andrej Babis, ka mundur ta parafrazonte ish-kryeministren britanike në njoftimin e dëbimeve të zyrtarëve rusë, teksa ishin të papranueshme aktivitetet e Rusisë në depon e armëve.
“Por kur Thatcheri thjesht po u përgjigjej spiunimeve të tepruara, Qeverisë çeke iu desh të hakmerrej për shpërthimin që vrau dy shtetas të saj. Kthimi në shtëpi i 18 diplomatëve nga një vend goxha i vogël, siç është Republika Çeke (me 10 milionë banorë), është një hap i guximshëm. Ama është hap logjik”, vlerëson revista amerikane.
“Ambasada ruse në Pragë është një nga vendet me përqendrim të lartë të personelit të Inteligjencës ruse”, thotë Jan Padourek, ish-zëvendësdrejtor i Zyrës Çeke për Marrëdhëniet me Jashtë në Agjencinë e inteligjencës. “Sipas informacionit publik nga shërbimet e Inteligjencës çeke, personeli i Inteligjencës mund të përbëjë deri në 50 për qind të numrit të përgjithshëm të punonjësve të Ambasadës ruse [në Pragë] dhe dy konsullatave të përgjithshme në Brno dhe Karlovy Vary, prej të cilave ka rreth 130 punëtorë”, shton ai.
Falë këtij përqendrimi, Republika Çeke ka pasur një mënyrë të drejtpërdrejtë për të sinjalizuar Rusinë se shpërthimet vdekjeprurëse nga oficerët rusë në territorin e saj nuk do të tolerohen. “Aftësia e inteligjencës së Rusisë në Republikën Çeke është goditur ndjeshëm, por sigurisht që nuk është paralizuar ende”, thotë Padourek.
“Mirëpo vendet perëndimore pa mjete kaq të dukshme në dispozicion përballen me një dilemë edhe më urgjente: Si hakmerreni për aktivitete që nuk janë luftë, por janë të patolerueshme në të njëjtën kohë?” ngre këtë pyetje revista amerikane “Foreign Policy”.
Heshtja amerikane
Sigurisht se Shtetet e Bashkuara janë përballur me këtë dilemë që prej vitit 2016, kur u bë e qartë ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane dhe për shumë vjet para kësaj ndërhyrjeje. Por së paku në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara mezi u përgjigjën ndaj këtyre ndërhyrjeve. Një prej arsyeve ishte se atëherë presidenti Donald Trump nuk ishte aq i nxehtë për të ndëshkuar Rusinë, por tjetra ishte se si një demokraci liberale mund t’i hakmerrej një agresioni të tillë në zonën gri që përbëhet nga vrasjet, ndërhyrjet në zgjedhje dhe sulmet kibernetike?
“Sa për siguri, SHBA-ja mund të kryejë sulme kibernetike si shenjë hakmarrjeje ndaj atij shteti, por nuk është nevoja që një demokraci liberale të hakmerret për një vrasje, duke kryer vrasje në një shtet tjetër. Qeveritë që vrasin njerëz në një vend tjetër në kohë paqeje janë natyrisht të paligjshme, ani pse kjo nuk u ka penguar CIA-s dhe agjencive tjera që të bëjnë përpjekje. Tjetër sfidë është kur agresioni i zonës gri është mjaft serioz sa shtetit të sulmuar i duhet të kundërpërgjigjet, dhe kur duhet të pranojë thjesht agresionin si çmimin që duhet paguar për lehtësinë e një bote të globalizuar?”, shkruan “Foreign Policy”.
Javën e kaluar Bideni deklaroi se nuk do të pranonte më pikimin e ngadaltë të inkursioneve ruse, të paktën për këtë raund. Ndërhyrja kibernetike ndaj “SolarWinds”, kompanisë softuerike që disa burokraci qeveritare e përdorin, kombinuar me ndërhyrjet e zgjedhjeve në 2020 dhe veçanërisht ato të vitit 2016 nuk është e pranueshme. Është e rëndësishme të përmendet se sulmi kibernetik që dyshohet se e realizuan rusët nuk kishte plan shkatërrimin e softuerit, por mbledhjen e inteligjencës dhe SHBA-ja së bashku me një mori shtetesh perëndimore janë të përfshira në lloje të tilla të spiunazhit kibernetik. Ashtu si me Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 1985, edhe ndaj SHBA-së spiunazhi ishte tepruar. Qeverisë amerikane i duhej të vepronte pa dënuar praktikën e vet.
Në deklaratën e tij, Biden përmendi dëbimin e dhjetë diplomatëve të Ambasadës së Rusisë në Washington dhe sanksionimin e gjashtë kompanive ruse - tarifë standarde kur një vend përpiqet të shfaqë pakënaqësinë ndaj një vendi tjetër.
“Por Bideni gjithashtu sanksionoi borxhin e Qeverisë ruse, që do të thotë se bankat amerikane nuk do të jenë në gjendje të blejnë bono të Qeverisë ruse. Kjo do ta dëmtojë Rusinë më shumë sesa dëbimet e diplomatëve, të cilat janë aq të zakonshme sa vendet praktikisht supozojnë se do të ndodhin në një moment të caktuar. Në një kuptim më të gjerë, sidoqoftë, Biden demonstroi se demokracitë liberale mund të jenë inovative kur bëhet fjalë për hakmarrje ndaj agresionit të zonës gri dhe se mund ta bëjnë këtë duke përdorur mjete rreptësishtë të ligjshme”, shkruan revista politike “Foreign Policy”.
Mësimi britanik
Dënimi më inovativ i deritanishëm, në fakt, ka ardhur nga Britania - jo nën drejtimin e Thatcherit, por nga një pasardhëse e saj grua, Theresa May. Brenda disa ditësh pas tentim vrasjes së Skripalit nga agjentët Chepiga dhe Mishkin, Qeveria britanike e kryeministres May e cilësoi si akt të Qeverisë ruse dhe thirri koalicionin ndërkombëtar që kolektivisht dëboi 153 diplomatë rusë; Shtetet e Bashkuara dëbuan më së shumti, fiks 60, pasuar nga Mbretëria e Bashkuar me 23. Rusia u hakmor duke dëbuar 189 diplomatë nga ato vende dhe të tjerët që dëbuan rusët në solidaritet me Perëndimin. Mirëpo kjo nuk është pjesa kreative.
“Në të vërtetë, më vonë u mor vesh se britanikët kishin bërë shumë më tepër”, shkruan “Foreign Policy”.
“Dëbuam gjithë rrjetin e Inteligjencës ruse në Mbretërinë e Bashkuar”, kishte thënë Mark Sedwill menjëherë pas vendimit. “Por gjithashtu morëm një sërë masash të tjera diskrete”, kishte treguar Sedwill që çuditërisht ishte goxha diskret për t’i përmendur këto masa, por kishte shpjeguar se “ne do të përdorim teknika të ndryshme. Ne duhet të luajmë në pikat tona të forta dhe ta përqendrojmë vëmendjen tonë në dobësitë e tyre. Ne nuk do të kryejmë operacione të paligjshme, por ka gjëra që mund të bëjmë. Ka disa dobësi që ne gjithashtu mund t'i shfrytëzojmë”. Dobësitë përfshinin “trajtimin e disa prej flukseve të paligjshme të parave nga Rusia, dhe masa të fshehta gjithashtu”. Qeveria britanike kurrë nuk ka zbuluar masat e marra ndaj Rusisë.
Duke marrë parasysh aktivitetin e paligjshëm financiar endemik për vendet autoritare, trajtimi i flukseve të paligjshme të parave është një strategji premtuese kur bëhet fjalë për marrëveshje me Rusinë, Kinën dhe cilindo shtet tjetër autoritar që përpiqet të dëmtojë vendet perëndimore. Përjashtimet e diplomatëve nuk janë thjesht të parashikueshme; vendet gjithashtu rrezikojnë që të shpenzojnë krejt diplomatët e dëbuar dhe ambasadat e tyre mund të mbesin të thata.
Taktika të reja
“Dëbimi i 20 punonjësve të Ambasadës çeke në Moskë do të dëmtojë plotësisht aktivitetet e misionit diplomatik çek në Rusi”, thotë ai. “Të gjithë diplomatët nga sektorët politikë dhe ekonomikë të ambasadës, përfshirë edhe zëvendësambasadorin, u dërguan në shtëpi. Vetëm personeli konsullor mbeti. Diplomatët e dëbuar duhej të largoheshin nga Moska brenda 24 orësh”.
Një goditje e tillë është e vështirë të pranohet nga një komb sovran. Këtë javë Republika Çeke njoftoi se do të përjashtojë Rosatom, gjigandin rus të energjisë që është në pronësi të shtetit, nga ofertat për tenderin e centralit bërthamor çek.
“Kjo ka mundësi të shkaktojë një kundërgoditje tjetër nga Moska, qoftë vetëm për hir të spektaklit publik. Zona gri është, në fakt, po aq fushëbetejë e ndërlikuar sesa tradicionalja. Republika Çeke nuk sheh qartë të njëjtin vëllim të flukseve të paligjshme të parave me origjinë ruse si Britania e Madhe. Por shteti çek ka aleatë: Në të vërtetë, këtë javë kërkoi nga aleatët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të dëbojnë edhe diplomatët rusë. Por mund të marrë hua një faqe nga plani i kryeministres May dhe t’u kërkojë aleatëve ndihma të llojeve të ndryshme. Për çështjet e agresionit të shkurtër të luftës, aleatët mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në mënyra të reja dhe të papritura”, shkruan “Foreign Policy”.
Përgatiti: Gent Mehmeti