Botë

“Vijat e kuqe” të Putinit ndeshen me protestat masive nëpër Rusi

Shefi i Kremlinit ka paralajmëruar vendet perëndimore që mos t’i kalojnë “vijat e kuqe” me Rusinë derisa forcat policore kanë arrestuar të paktën 1.000 protestues gjatë demonstratave masive për ta kërkuar lirimin e liderit opozitar, Alexei Navalny, të mbajtura në Moskë dhe në më se 160 qytete të tjera

Presidenti Vladimir Putin ka kërcënuar të mërkurën Perëndimin që të mos i kalojë “vijat e kuqe” me Rusinë, duke paralajmëruar se Moska do të përgjigjet me vendosmëri dhe ashpër ndaj çfarëdo provokimi teksa ka theksuar se përgjegjësit do të pendohen rëndë.

Një kërcënim të tillë Putini e bëri teksa para sallës, prej ku po e mbante adresimin vjetor para kombit, me mijëra qytetarë ishin mbledhur për protestën masive në kërkim të lirimit të liderit opozitar, Alexei Navalny, gjendja shëndetësore e të cilit është rënduar gjatë mbajtjes në një burg në periferi të Moskës.

Në kohën e krizës së thelluar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropës, kryesisht sherri i grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës dhe trajtimit të Navalnyt në burgim, lideri i Kremlimi ka shfrytëzuar fjalimin për ta projektuar mesazhin e fuqisë së Rusisë dhe vendosmërisë së saj për ballafaqimin me kërcënimet e jashtme.

“Duam marrëdhënie të mira... dhe përnjëmend nuk duam që t’i djegim urat lidhëse”, ka thënë Putini para përfaqësuesve të dy Dhomave të Parlamentit. “Por nëse dikush i ngatërron synimet tona të mira për indiferencë apo gabim dhe synon që t’i djegë apo madje t’i rrënojë këto urra, atëherë duhet ta dinë se përgjigjja e Rusisë do të jetë asimetrike, e ashpër dhe e shpejtë”.

Image

Rusia do të tregojë se ku qëndrojnë vijat e saja të kuqe në akëcilin rast specifik, ka vazhduar ai, duke i krahasuar ata që i sulmojnë ato me “hiena të udhëhequra nga një tigër”.

Pjesën më të madhe të adresimit Putini të mërkurën e përqendroi në përgjigjen e Rusisë ndaj pandemisë COVID-19 dhe telashet rezultuese ekonomike. Por tone më të ashpra përdori kur u fokusua në politikat e jashtme.

“Disa vende kanë zhvilluar njëfarë shprehie tejet të pahijshme për t’iu kthyer Rusisë për çdo arsye dhe shpesh edhe pa arsye fare – si një lloj sporti”, ka thënë ai.

Derisa po e mbante adresimin e tij, vetëm pak metra larg sallës ku ai po fliste, me qindra mbështetës të Navalnyt të burgosur kanë protestuar në demonstratën masive mbarëkombëtare për lirimin e tij. Forcat e rendit kanë arrestuar të paktën 1.000 syresh përreth vendit lidhur me protestën, kanë bërë të ditur grupet e të drejtave të njeriut që kanë monitoruar represionin policor. Shumë prej tyre janë kapur qysh para fillimit të protestave, përfshirë dy bashkëpunëtorët më të afërt të Navalnyt.

Ekipi i opozitarit kishte bërë thirrje për demonstrata të papenguara, pas raportimeve në fundjavë se shëndeti i Navalnyt është rënduar theksueshëm në burg dhe se atij nuk po i ofrohet trajtimi i duhur.

Javëve të fundit janë intensifikuar konfrontimet midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, të cilat janë të alarmuara për çështjet që lidhen me Navalnin, si dhe Ukrainën. Washingtoni zyrtar ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë javën e shkuar, shkaku i akuzave për hakimet ruse dhe për ndërhyrje në zgjedhjet, ndërsa Republika Çeke ka akuzuar Moskën për përfshirje në shpërthimin në një depo të armëve më 2014. Të dy vendet kanë dëbuar diplomatët rusë, ndërsa Rusia ka zbatuar masa reciproke ndaj tyre.