Botë

Tensionet me Rusinë, Zelenskiy nënshkruan Ligjin për thirrjen e rezervistëve në shërbim ushtarak

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka nënshkruar të mërkurën Ligjin që e lejon thirrjen e rezervistëve për shërbim ushtarak, pa shpalljen e mobilizimit.

E miratuar nga Parlamenti në fund të marsit, masa e bën të mundur shtimin e theksueshëm të numrit të forcave të armatosura, midis tensioneve me Rusinë në lindje të Ukrainës.

Zyra e presidentit ka bërë të ditur se me këtë masë do të mundësohet pajisja e shpejtë e njësiteve ushtarake dhe rritja e kapaciteteve të tyre luftarake në rast të agresionit ushtarak.

Zelenskiy ka sfiduar të martën homologun e tij rus, Vladimir Putin, për një takim në rajonin e Donbasit me qëllim të mbajtjes së bisedimeve rreth përfundimit të konfliktit dhe zbutjes së tensioneve mes dy vendeve fqinje.

Kievi dhe Moska kanë fajësuar njëra-tjetrën për shtimin e përleshjeve në Donbas, ku trupat ukrainase janë ndeshur me forcat e mbështetura nga Rusia në konfliktin që, sipas autoriteteve ukrainase, ka rezultuar me vdekjen e 14 mijë personave që nga viti 2014.

Tensionet në rajon janë thelluar pas grumbullimit masiv të forcave ruse përgjatë linjës kufitare Rusi-Ukrainë.