Botë

Merkeli duhet ta mposhtë pandeminë për ta shpëtuar trashëgiminë e saj

Derisa Britania e Madhe po e çon përpara planin e rihapjes, e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kthyer sytë kah liria gjatë verës, Gjermania e Merkelit po përballet me një tjetër izolim të ashpër – ndërsa gjermanët po pyeten se si gjithçka shkoi për keq

Angela Merkeli ka qenë në krye të pozitës më të lartë për afro 16 vjet, por sfidën më të madhe të karrierës mund ta ketë ende para vetes.

Kancelarja gjermane është duke garuar me kohën për ta mposhtur koronavirusin, para se të tërhiqet përfundimisht në shtator. Por, sipas një analize të agjencisë CNN, përreth saj po ndodhin shumë gjëra.

Gjermania po mundohet që ta frenojë valën më të fundit të pandemisë. Ngritja e shkallës së infeksionit është nxitur nga varianti i ri, më bartës i virusit që ishte identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe i cili është bërë dominues në Gjermani qysh fillimin e marsit.

“Asociacioni gjerman me ndikim për Përkujdesjen Intensive dhe Mjekësinë Emergjente ka paralajmëruar se shumica e njësiteve të përkujdesjes intensive në vend janë buzë apo në fund të kapaciteteve. Të hënën, numri i gjermanëve që kanë humbur betejën me virusin ka tejkaluar 80.000-shin”, ka shkruar CNN.

Dhe, derisa Britania e Madhe po e çon përpara planin e rihapjes, e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kthyer sytë kah liria gjatë verës, Gjermania e Merkelit po përballet me një tjetër izolim të ashpër – ndërsa gjermanët po pyeten se si gjithçka shkoi për keq.

“Viktimë e suksesit”

Kai Arzheimer, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Mainzit, ka thënë se vendi është bërë viktimë e vetë suksesit të tij.

“Përgjigja fillestare e Gjermanisë ishte e vendosur, e suksesshme dhe e bazuar në informata shkencore”, ka thënë ai për CNN.

Vendi – dhe Merkeli në veçanti – ishte lavdëruar për mënyrën e menaxhimit të valës së parë të pandemisë. Teksa virusi po mbërthente Evropën, Gjermania e mbante epideminë nën kontroll. Spitalet e saj, madje, ishin në gjendje që të pranonin pacientë me COVID-19 nga Franca fqinje.

“Ky sukses i hershëm shpiu qartë drejt vetëkënaqësisë”, ka thënë Azheimer. “Politikanët ishin tejet ngurrues në rizbatimin e masave të izolimit”.

Merkeli ka pasur telashe në kundërshtimin e këtij hezitimi, qasja e saj e bazuar në të dhëna binte ndesh me realitetet politike në terren. Ajo vazhdimisht ka dështuar që t’i bindë liderët e 16 shteteve federale se kufizimet shtesë ishin të domosdoshme për frenimin e pandemisë. Derisa Merkeli e udhëheqë Qeverinë federale, janë kryeministrat e shteteve ata që janë përgjegjës për zbatimin e masave të izolimit.

“Momenti më turpërues për Merkelin ka ndodhur në fund të marsit, kur ishte shtrënguar ta bënte një kthesë të plotë në izolimin e sertë që ajo donte ta zbatonte në vend gjatë festës për Pashkë. Ajo tha se izolimi ishte i domosdoshëm shkaku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri të virusit. E, vetëm një ditë më vonë dhe pas shumë kritikash, u zmbraps nga vendimi, duke thënë se ishte e pamundur të zbatohej. I kërkoi falje vendit dhe tha se ngatërresa ishte ‘gabim ekskluzivisht i saj dhe vetëm i saj’”, vlerësohet në analizën e agjencisë amerikane.

Midis shkencës dhe popullit

“Kancelarja Merkel është shkencëtare dhe e di mirë se vetëm shkencëtarët e dinë atë që e dinë për atë moment, ata mund të thonë ‘në një moment, një e një bëjnë dy, por nuk e dinë nëse një e një nesër prapë do të bëjnë dy, andaj duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Gero Neugebauer, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Berlinit. “Andaj, në nivel kombëtar, ajo u jep udhëzime shteteve dhe popullatës, dhe thotë do ta bëjmë këtë dhe atë, por varemi në rezultatet e procesit shkencor”, ka shtuar ajo për CNN-in.

Neugebaueri ka thënë se kjo qasje nuk ishte zbatuar në nivel shtetëror, ku politikanët ndiheshin më të detyruar që t’i kënaqin pritjet e popullit.

Në mënyrë kritike, shumë prej liderëve rajonalë janë përballur apo ende përballen me zgjedhje – dhe janë më se të vetëdijshëm për faktin se pas një viti të të jetuarit nëpër pandemi, votuesit nuk duan më shumë kufizime.

“Njerëzit janë lodhur prej tyre dhe politikanët e dinë këtë gjë”, ka thënë Wolfgang Merkel (pa ndonjë lidhje familjare me kancelaren), profesor i Shkencave Politike në Universitetin Humboldt në Berlin. “Ata nuk u munduan t’i zbatojnë masat e propozuara nga shkencëtarët dhe epidemiologët, për shkak se druanin se do ta shterojnë durimin e popullit”.

Dy shtete, Baden-Württembergu dhe Rhineland-Palatinate, i mbajtën votimet e tyre rajonale në mars. Partia e Merkelit ka pësuar humbje të theksueshme në që të dyja.

Katër shtete të tjera - Mecklenburg-Vorpommern, Saxony-Anhalt, Thuringia dhe Berlini – do t’i mbajnë zgjedhjet gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, teksa ato federale janë në shtator.

Rezistenca në nivelin shtetëror, sipas CNN-it, e ka lënë Merkelin në përplasje. Kancelarja e kahershme përherë kishte favorizuar ndërtimin e konsensusit dhe udhëheqjen nga mesi, gjë kjo që nuk i ka funksionuar kësaj radhe.

“Sistemi politik i Gjermanisë është i decentralizuar dhe ka shumë pika vetoje, kështu që pas një përgjigjeje fillestare uniforme, reagimi ndaj valës së dytë ishte shumë më ngurrues dhe i matur”, ka thënë Arzheimer.

E ballafaquar me krizë të thelluar, Merkeli e paraqiti javën e shkuar një ligj të ri emergjent që i jep Qeverisë federale më shumë kompetenca për zbatimin e kufizimeve. Nën ligjin e propozuar, i cili do të duhet që të miratohet nga Parlamenti, masat e izolimit mbarëkombëtar do të shtrëngoheshin automatikisht, po qe se shkalla e rritjes shtatëditore të infeksioneve me koronavirus rritet mbi 100 për 100.000 banorë.

Neugebaueri ka thënë për CNN-in se gabimi i Merkelit ishte që të priste deri më tani për të dalë me një ndryshim të tillë.

“Ky proces mund të ishte kryer qysh në vjeshtën e vitit të shkuar. Por, në vend të kësaj, ata kanë folur për spitalet, për shifrat, kanë folur për njerëzit që po vdisnin, por nuk kishin vendosur për ndonjë gjë”, ka thënë ai.

I pyetur për t’i komentuar kritikat ndaj Qeverisë për menaxhimin e krizës, një zëdhënës i Qeverisë gjermane iu referua vlerësimeve të Merkelit në Parlament gjatë së premtes, duke thënë se është përkrahëse e ndryshimit të ligjit.

“Duhet që ta thyejmë valën e tretë të pandemisë dhe t’i japim fund ngritjes së shpejtë të numrit të rasteve të reja. Për ta arritur këtë, duhet të përqendrohemi në forcat e qeverive federale, shtetërore dhe lokale, si dhe të autoriteteve shumë më mirë se sa në të kaluarën”, ka thënë kancelarja në Bundestag. “Nuk mund t’i injorojmë thirrjet e emergjencës, nuk mund t’i lëmë mjekët dhe infermierët në mëshirë të fatit, për shkak se ata nuk mund që ta mposhtin virusin të vetëm”, ka thënë ajo.

Shpëtimi i trashëgimisë

Merkeli vazhdimisht u ka thënë gjermanëve se shpreson që deri në tërheqjen e saj në vjeshtë, më e keqja do të ngelet prapa tyre. Ka premtuar, po ashtu, se deri atëherë gjithsecili do ta marrë nga një dozë të vaksinave kundër COVID-19, një zotim ky që ka pësuar një goditje të rëndë shkaku i çështjeve të furnizimit.

“Nëse më pyesni çfarë nuk ka shkuar për së mbari, e një nxitës qartazi ka ekzistuar, atëherë ky është dështimi i Bashkimit Evropian për të siguruar në mënyrë efikase dhe të shpejtë të vaksinave... kjo ka shënuar prapakthim në Gjermani, dhe mu atëherë politikanët në Gjermani u nervozuan”, ka thënë Wolfgang Merkel, duke folur për transmetuesin amerikan.

Ai ka shtuar se BE-ja nuk është e vetme në ballafaqimin me fajin.

“Gjermania e ka mbajtur presidencën e Këshillit Bashkimit Evropian, kishte përfaqësues aty, të ulur në Komision”, ka shpjeguar ai.

Merkeli më herët i ka pranuar dështimet në shpejtësinë e shpërndarjes së vaksinave, por ka thënë se ende pret që 50 milionë gjermanë do të marrin të paktën një dozë vaksine deri në fund të qershorit.

Çfarëdo që ndodh brenda pesë muajve të ardhshëm do ta përcaktojë, në një masë goxha të madhe, trashëgiminë e ardhshme të Merkelit.

“Rejtingu i Merkelit është ende relativisht i lartë, por qartazi, reputacioni i Qeverisë federale ka pësuar një goditje dhe besimi në përgjigjen e Gjermanisë ndaj pandemisë ka rënë”, ka specifikuar Arzheimer.

Si kancelare për katër mandate, Merkeli shpesh është krahasuar me dy liderët me qeverisjen më të gjatë në vend, Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl.

Wolfgang Merkel ka thënë se dy vjetët e fundit i kanë shpërfaqur dobësitë e sistemit gjerman, i cili ua lejon kancelarëve shërbimin në numër të pakufizuar mandatesh.

“Do të qëndronte shumë më mirë në librat e historisë sikur të mos e shërbente mandatin e fundit”, ka thënë ai.

Neugebaueri ka shtuar se trashëgimia e ardhshme e Merkelit është pak a shumë më e definuar se ajo e Adenauerit apo Kohlit. I pari ishte kancelar “i integrimit perëndimor”, që e ktheu Gjermaninë në strukturat evropiane të pushtetit, ndërsa i dyti ishte “kancelar i ribashkimit”.

“Për Merkelin është thënë se do të bëhet ‘kancelare e integrimit evropian’ dhe pastaj edhe ‘kancelare e humanizmit’ kur tha se ‘refugjatët janë të mirëseardhur’ dhe tani ajo e ka rastin që të bëhet ‘kancelarja që e mposhti pandeminë’”, ka thënë Neugebaueri. “Rreziku, natyrisht, është se pandemia do të jetë ende këtu, edhe pas shtatorit”, ka shtuar ai për CNN-in.