Botë

Vdes në vijë të frontit presidenti i Çadit, Idriss Deby

Presidenti i Çadit, Idriss Deby, ka vdekur të martën teksa po i vizitonte trupat ushtarake në vijën e frontit të betejës kundër rebelëve veriorë, vetëm një ditë pas që ishte shpallur fitues në zgjedhjet presidenciale.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar një zëdhënës ushtarak. 68-vjeçari Deby kishte ardhur në pushtet gjatë rebelimit të vitit 1990 dhe ishte njëri prej liderëve me qeverisjen më të gjatë në Afrikë.

Ai gjatë së hënës u ishte bashkuar trupave që po luftonin kundër atyre që Deby i quante terroristë, pasi që rebelët e vendosur përgjatë kufirit verior të vendit me Libinë kanë avancuar me qindra kilometra drejt jugut të kryeqytet, N’Djamena.

Shkaku i vdekjes së tij ende nuk është bërë i ditur. Qeveritë perëndimore e konsideronin Debyn si një aleat në luftën kundër grupeve ekstremiste islamike, si Boko Haram dhe grupet e lidhura me “Al-Qaedan” dhe Shtetin Islamik në Sahel. Fitorja në zgjedhje ia kishte siguruar atij mandatin e gjashtë në detyrë, por votimet e 11 prillit ishin bojkotuar nga liderët opozitarë.