Botë

Rusia dërgon Navalnyn në spitalin e burgut

Lideri opozitar rus Alexei Navalny është duke u dërguar në spital të burgut dhe autoritetet thonë se gjendja e tij është “e kënaqshme”, njofton BBC.

Ai është në grevë urie për 20 ditë, duke u ankuar për trajtim joadekuat mjekësor. Ai gjendet në koloninë penale Pokrov rreth 100 kilometra në lindje të Moskës.

Shërbimi i burgjeve në Rusi ka thënë se ai po kontrollohet çdo ditë nga një mjek dhe se është pajtuar të marrë vitaminat.

Navalny ishte helmuar me një agjent nervor në gusht të vitit të kaluar dhe mezi shpëtoi.

Mjekët e Navalnyt kanë paralajmëruar se “ai do të vdesë brenda disa ditëve” nëse nuk i kushtohet vëmendje urgjente mjekësore për dhembjet në shpinë dhe mpirjen e këmbëve.

Ai nisi grevën e urisë më 31 mars si reagim pasi nuk ishte në gjendje të shihte skuadrën e tij mjekësore dhe mjekët e tij kanë thënë se testet e fundit të gjakut japin indikacion se ai mund të pësojë dështim të veshkave dhe sulm kardiak në çdo moment.

Më herët, SHBA-ja ka paralajmëruar Rusinë se do të ketë pasoja nëse Navalny 44-vjeçar – kritiku më i madh i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin – do të vdesë në burg.

Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian po ashtu kanë shprehur shqetësimin në lidhje me tretmanin dhe kanë kërkuar lirimin e Navalnyt.

Navalny është burgosur në shkurt në lidhje me akuzat e vjetra për përvetësim, për të cilat thotë se janë të motivuara politikisht.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka zbuluar shkelje të drejtësisë në rastin kundër tij.