Botë

“Kroacinë s’e detyron arbitrazhi për kufirin me Slloveninë”

Në prag të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, Zagrebi përkujton se e ka braktisur arbitrazhin, ndërsa Sllovenia thotë se ky vendim duhet të respektohet, transmeton Koha.net.

Kryetari i Bashkësisë demokrate kroate dhe i Qeverisë së Kroacisë Andrej Plenkoviq ka thënë se Kroacia e pret publikimin e aktgjykimit të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë për kontestin territorial me Slloveninë në përputhje me vendimin e Kuvendit kroat të korrikut të vitit 2015, kur u vendos për daljen e saj nga procesi i arbitrazhit, prandaj në asnjë mënyrë ajo nuk do të jetë e lidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Arbitrazhit, përcjell al jazeera.

"Me aktet e Kuvendit të Kroacisë nga fundi i korrikut 2015, shumë qartë kemi thënë se dalim nga ai proces dhe Kroacia në asnjë mënyrë nuk do të jetë e ndërlidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Arbitrazhit për ndryshimin dhe rikonfigurimin e përbërjes. Në këtë mënyrë edhe e presim këtë akt i cili do të merret më 29 qershor pasdite. Mbetemi të hapur për bisedime me Slloveninë për të gjitha çështjet e hapura, përfshirë edhe çështjen e kufirit”, ka deklaruar Plenkoviq.

Ministri slloven i Punëve të Jashtme Karl Erjavec ka deklaruar se “është vështirë të mendohet" situata në të cilën Kroacia nuk do ta pranonte vendimin e paralajmëruar të arbitrazhi ndërkombëtar për zgjidhjen e kontestit kufitar me Slloveninë.