“Nëse Turqia vazhdon me shkeljen e të drejtave tona sovrane, atëherë sanksionet, masat që janë në tryezë, do të rikthehen në agjendë”, ka paralajmëruar ai. Ndërkaq Çavushoglu iu kundërpërgjigj: “Nikos Dendias fatkeqësisht ka bërë disa akuza jashtëzakonisht të papranueshme kundër vendit tim... Ai ka thënë se ‘Turqia ka shkelur të drejtat sovrane të Greqisë’. Kjo gjë është krejtësisht e papranueshme për ne”
Takimi që synonte përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara midis dy aleatëve në NATO – Greqisë dhe Turqisë – është përmbyllur të enjten me akuzat dhe kundërakuzat e ashpra të shkëmbyera mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka udhëtuar në Ankara për t’i diskutuar marrëdhëniet me homologun e tij turk, Mevlut Çavushoglu, pas një zbutjeje të theksueshme të tensioneve.
Me të dalë para kamerave për t’i shpalosur deklaratat e tyre për shtyp, dy burrat fillimisht folën për mbajtjen hapur të kanaleve të dialogimit dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik në përpjekje të avancimit të relacioneve. Por takimi i tyre shumë shpejt mori shije të hidhur, pasi që Dendiasi e akuzoi Turqinë për shkeljen e të drejtave sovrane të Greqisë në lindje të Mesdheut dhe paralajmëroi se Ankaraja do të ballafaqohet me sanksionet e Bashkimit Evropian po qe se i vazhdon shkeljet. Çavushoglu u kundërpërgjigj menjëherë, duke i quajtur komentet e Dendiasit si “të papranueshme”.
Dy ministrat më pas vazhduan me listimin e ankesave kundër vendeve të njëri-tjetrit.
Vizita e së enjtes ishte e para e një ministri grek në Turqi, pas një viti plot trazime. Nga zemërimi për atë që është perceptuar si mungesë e mbështetje për politikat e saj në Siri, Turqia ka njoftuar vitin e shkuar se do t’i hapë kufijtë e saj perëndimorë, duke i nxitur me mijëra emigrantët e mbledhur në vend që të nisen drejt pikëkalimeve me Greqinë. Veprimi kishte gjeneruar skena kaotike në zonat kufitare.
Tensionet u përshkallëzuan sërish gjatë verës sherri i kufijve detarë dhe të drejtave të eksploatimit energjetik në Mesdheun lindor, duke çuar në vendosjen e luftanijeve në ballafaqimin e rrezikshëm mes dy vendeve. Kjo përplasje ka goditur marrëdhëniet e Ankarasë me Bashkimin Evropian, në tërësi.
Megjithëkëtë, tensionet u zbutën pasi që Turqia u zmbraps nga kërkimet e saja detare dhe përdori tone më pajtuese karshi Greqisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
“Pikë së pari, duhet të largohemi nga diskursi dhe veprimet që ngërthejnë provokime dhe që i rrisin tensionet, një kusht ky për përmirësimin e marrëdhënieve tona”, ka thënë Dendias të enjten. “Shkeljet janë shtuar së fundi dhe ato përbëjnë një pengesë në krijimin e një mjedisi të besimit”.
“Nëse Turqia vazhdon me shkeljen e të drejtave tona sovrane, atëherë sanksionet, masat që janë në tryezë, do të rikthehen në agjendë”, ka paralajmëruar ai. Ndërkaq Çavushoglu iu kundërpërgjigj: “Nikos Dendias fatkeqësisht ka bërë disa akuza jashtëzakonisht të papranueshme kundër vendit tim... Ai ka thënë se ‘Turqia ka shkelur të drejtat sovrane të Greqisë’. Kjo gjë është krejtësisht e papranueshme për ne”.
“Turqia është e obliguar që t’i mbrojë të drejtat e saja, veçmas në lindje të Mesdheut, dhe ato të turqve të Qipros; të gjithë hapat që i ndërmarrim kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave tona”, ka thënë kryediplomati turk. “Ne jemi një vend që nuk ia ka frikën Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.
Vizita e Dendiasit kishte për qëllim gjithashtu që ta hapte rrugën për një takim midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis. Në një indikacion të rëndësisë së takimit, Dendiasi ka mbajtur takim edhe me Erdoganin.
Me gjithë përplasjet, ka pasur edhe momente më të qeta kah fundi i takimit të dy ministrave, të cilët me gjithë ndasitë midis shteteve të tyre, i janë referuar njëri-tjetrit me “miku”.
“Meqë ra fjala, shpresoj se mospajtimi ynë nuk të ka shtyrë që ta anulosh ftesën për darkë. Ngase jam jashtëzakonisht i uritur”, ka thënë Dendiasi, në një referencë për iftarin që dy ministrat ishte paraparë që ta kishin së bashku.