Botë

Vrasja “aksidentale” e afro-amerikanit rikthen dhunën në Minnesota

Shefi i policisë në Brooklyn Center, Tim Gannon, e ka përshkruar të hënën rastin e vrasjes së afro-amerikanit 20-vjeçar, Daunte Wright, si “shkrepje aksidentale”. Ngjarja ka ndodhur derisa policja po mundohej që ta arrestonte një burrë, kundër të cilit ishte ngritur një fletarrestim. “Do të të godas me elektroshok! Me elektroshok! Elektroshok! Elektroshok!”, dëgjohet zyrtarja e policisë tek bërtet në pamjet e transmetuara nga kamera e vendosur në trupin e saj

Zyrtarja e policisë që e qëlloi për vdekje një afro-amerikan gjatë ndalesës në trafik në një lagje të Minneapolisit, duket të ketë synuar të përdorte elektroshokun e jo armën e zjarrit, teksa burri po përballej me policinë, ka bërë të ditur të hënën shefi i policisë së qytetit.

Shefi i policisë në Brooklyn Center, Tim Gannon, ka përshkruar të shtënat si “shkrepje aksidentale”. Ngjarja ka ndodhur derisa policia po mundohej që ta arrestonte një burrë, kundër të cilit ishte ngritur një fletarrestim.

“Do të të godas me elektroshok! Me elektroshok! Elektroshok! Elektroshok!”, dëgjohet zyrtarja e policisë tek bërtet në pamjet e transmetuara nga kamera e vendosur në trupin e saj. Pamjet janë publikuar gjatë një konference të së hënës për media. Aty shihet policja tek e nxjerr armën, pasi që burri u ikën policëve jashtë veturës së tij dhe kthehet prapa timonit.

Pasi e shkrep një të shtënë të vetme nga arma e saj e zjarrit, vetura largohet me shpejtësi, ndërsa policja dëgjohet tek thotë: “Dreqin! E qëllova”.

Daunte Wright (20) ka vdekur të dielën pasdite në një zonë metropolitane që veçse ishte e tensionuar shkaku i procesit gjyqësor ndaj të parit prej katër policëve të akuzuar për vdekjen e afroamerikanit, George Floyd. Vdekja e Wrightit ka nxitur protesta të dhunshme, gjatë të cilave policët janë përleshur me protestuesit deri në orët e hershme të së hënës.

Gannon ka thënë gjatë konferencës se policia kishte gabuar dhe i ka transmetuar pamjet nga kamera e saj e vendosur në trup, më pak se 24 orë pas të shtënës.

Xhirimet kanë shfaqur pamjet e tre policëve të mbledhur përreth një veture, për të cilën autoritetet kanë bërë të ditur se ishte ndaluar shkaku i targave të skaduara të regjistrimit. Kur një tjetër polic provon t’ia vërë prangat Wrightit, një polic i dytë i thotë Wrightit se po arrestohet shkaku i fletarrestimit. Në këtë moment zënka fillon, e pasuar nga një e shtënë. Më pas vetura lëviz shpejt disa blloqe përpara se ta godasë një automjet tjetër.

“Teksa po e shikoja xhirimin dhe po e dëgjoja komandën e polices, mu krijua bindja se policja e kishte ndërmend që ta përdorte elektroshokun e jo ta qëllonte z. Wrightin me një të shtënë të vetme”, ka thënë Gannon. “Kjo bindje mu krijua teksa po i shikoja pamjet dhe reagimin e tensionuar të polices menjëherë pas shkrepjes aksidentale që rezultoi me vdekjen tragjike të z. Wrightit”.

Byroja Shtetërore për Zbardhjen e veprimeve Kriminale ka nisur menjëherë hetime për rastin. Ndërkaq autoritetet kanë bërë të ditur se një kalimtare e rastit ka pësuar lëndime të lehta si pasojë e përplasjes së veturave.

Nëna e 20-vjeçarit të vrarë, Katie Wright, ka thënë se kalimtarja ishte e dashura e të birit të saj.

Gannon nuk ka pranuar që t’ia zbardhë identitetin polices, por e ka përshkruar atë si zyrtare “shumë të lartë”. Ai nuk ka treguar as nëse do ta shkarkojë atë, si pasojë e hetimeve.

Kryebashkiaku i Brooklyn Center, Mike Elliott, e ka quajtur rastin “thellësisht tragjik”.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të garantuar që drejtësia të vihet në vend dhe që komunitetet tona të jenë një tërësi”, ka thënë ai.

Duke folur para trazirave midis të dielës dhe të hënës, nëna e Wrightit, Katie, ka nxitur protestuesit që ta ruajnë qetësinë dhe që të përqendrohen në humbjen e të birit të saj.

“E gjithë kjo dhunë, në rast se vazhdon, atëherë krejt puna do të përqendrohet te dhuna. Duhet të përqendrohet në të birin tim, i cili është qëlluar pa arsye”, ka thënë ajo para një turme afër vendit të ngjarjes. “Duhet të sigurohemi që krejt kjo punë të jetë për të dhe të mos thyejmë vetura të policisë, për shkak kjo nuk do ta rikthejë të birin tim”.

Protestuesit e mbledhur afër vendit të ngjarjes kanë valuar flamuj dhe kanë bartur pankarte, në të cilat shkruante “Black Lives Matter”. Të tjerët kanë marshuar paqësisht.

Trazirat kanë shpërthyer pak kohë pas të shtënave, kur demonstruesit nisën të mblidheshin në rrugë, disa prej të cilëve janë ngjitur sipër veturave policore. Forcat e policisë kanë përdorur gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është informuar për vrasjen, ndërsa Shtëpia e Bardhë është vënë në kontakt me guvernatorin, kryebashkiakun dhe autoritetet lokale të zbatimit të rendit, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Vrasja e së dielës ka rikujtuar ngjarjet e majit të vitit të kaluar, kur vrasja e George Floydit në duart e policit, Derek Chauvin, kishte nxitur protesta të dhunshme në Minneapolis, por edhe gjetkë në botë, kundër dhunës së tepruar policore dhe racizmit. Gjykimi kundër Chauvinit ka vazhduar edhe të hënën. Prokurorët që dëshmuan në gjykim kanë thënë se Floydi do të ishte gjallë sikur polici të mos ia mbante gjurin në qafë për 9 minuta e 29 sekonda, për ta çuar drejt vdekjes nga mungesa e oksigjenit.