Botë

“Johnson & Johnson” nis dozat e para të vaksinës për në Evropë

Vaksina njëdozëshe amerikane kundër COVID-19, "Johnson & Johnson" ka nisur të hënën dërgesat e para të saj për në shtetet e Bashkimit Evropian, kanë bërë të ditur kompania e prodhimit dhe zyrtarë të BE-së.

Kompania në fillim kishte planifikuar të niste dërgesat për në Evropë në fillim të prillit mirëpo kjo ishte shtyrë pak për shkak të disa problemeve me prodhimin, shkruajnë mediat e huaja.

“Dozat e para për vendet anëtare të BE-së janë nisur sot”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian gjatë një konference për media.

Lajmin për nisjen e vaksinave Johnson & Johnson drejt BE-së e ka mirëpritur edhe partia e Angela Merkelit.

“Anija me dozat e Johnson & Johnson është nisur sot për në Evropë. Lajm shumë i mirë”, është shprehur Peter Liese, ligjvënës gjerman nga partia CDU.

Kompania amerikane e cila i prodhon vaksinat ka vendosur që të dërgojë 55 milionë doza të vaksinës për në shtetet e BE-së deri në fund të qershorit ndërkohë që edhe 120 milionë doza të tjera në tremujorin e tretë.