Pas kthimit nga hapësira, Yuri Gagarini do të pritej nga turma e ekzaltuar, më e madhja në Rusi pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte bërë anëtar i legjislaturës supreme sovjetike dhe anëtar i komitetit qendror prestigjioz të Lidhjes Komuniste të Rinisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, amerikanët dhe sovjetikët ishin përfshirë në garë të ashpër se kush do të fitonte betejën për kozmosin
Moskë, 11 prill (Reuters) - Gjashtëdhjetë vjet më parë, në një mision që zgjati 108 minuta, 27-vjeçari Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që fluturoi në gjithësi, një arritje që të gjithë rusët ende e kujtojnë me krenari.
Njeriu i parë në hapësirë do të kthehej në ikonë të krenarisë së sovjetikëve, që ende po rimerrnin veten prej terrorit të Luftës së Dytë Botërore dhe diktatorit Josef Stalin.
Pas kthimit nga hapësira, Gagarini do të pritej nga turma e ekzaltuar, më e madhja në Rusinë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte bërë anëtar i legjislaturës supreme sovjetike dhe anëtar i komitetit qendror prestigjioz të Lidhjes Komuniste të Rinisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, amerikanët dhe sovjetikët ishin përfshirë në garë të ashpër se kush do të fitonte betejën për kozmosin.
Pavarësisht rreziqeve, gara për misionin ishte shumë e madhe. Në mesin e 20 pilotëve të rinj sovjetikë, Gagarini do të favorizohej nga eprorët. Atij i ishte dhënë lajmi vetëm tri ditë para se misioni të fillonte nga kozmodromi Baikonur në Kazakistanin e sotëm.
Në një letër dërguar gruas Valentina, ai i kërkonte të kujdesej për tri vajzat e tyre, “jo si princesha të vogla, por si njerëz të vërtetë”. Gjithashtu i kërkonte që të martohej nëse misioni do të ishte fatal.
Pavarësisht telasheve teknike, misioni u krye me sukses. Gagarini do të kthehej në model për botën komuniste. Gagarini është heroi kombëtar edhe 53 vjet pas vdekjes në një aksident ushtrimesh fluturimi.
Gagarini kishte udhëtuar në mbarë botën, duke iu treguar njerëzve çfarë kishte parë nga hapësira. Por ai kishte gëzuar vetëm disa vjet për vrojtime filozofike për misionin e tij historik. Ishte duke fluturuar një aeroplan MIG-15 afër Moskës në vitin 1968 vetëm disa ditë, pas ditëlindjes së 34-t kur do të humbte jetën.
Por arritja e tij e jashtëzakonshme do të frymëzonte kozmonautë si Fyodor Yurchikhin.
“Ky personalitet formësoi ëndrrën time për profesionin tim të ardhshëm. Isha dy vjeç kur Yuri Alekseevich Gagarini fluturoi në hapësirë. Nuk më kujtohet ajo ditë, megjithatë, kujtimet e vakëta të bazuara në kujtimet e prindërve të mi kishin ndikim tek unë”, theksonte ai.
23 ditë pas fluturimit të Gagarinit, më 5 maj 1961, amerikani Alan Shepard u bë njeriu i dytë në gjithësi.
Mposhtja e rivalëve të përbetuar kishte ndikuar theksueshëm në psikologjinë shoqërore sovjetike.
“Lansimi i satelitit të parë artificial dhe, për më tepër, nisja e Yuri Gagarinit, kishte efekt kolosal propagandues. U bë shumë i rëndësishëm, sepse papritmas u bëmë më ‘cool’ se Shtetet e Bashkuara”, thekson Vadim Lukashevich, ekspert i pavarur rus i aviacionit.
“Më 1945, ne fituam luftën kundër fashizmit, vendi ende nuk kishte rimarrë veten pas shkatërrimeve dhe disfatave. Sidoqoftë, ne u bëmë të parët në gjithësi”.
Pavarësisht prej ngjalljes së madhe të krenarisë kombëtare, Lukashevich thotë se Rusia e ditëve të sotme nuk është e domosdoshme të ketë shkathtësitë e njëjta si pasuese e Bashkimit Sovjetik kur bëhet fjalë për arritje të ngjashme.
“Bashkimi Sovjetik ishte një tjetër shtet. Kishte qëllime të ndryshme, kishte popuj të ndryshëm, kishte një sistem tjetër, burime të tjera, potencial tjetër. Kur Rusia thotë se është pasuese e Bashkimit Sovjetik, sipas traktateve ndërkombëtare të vitit 1991, nuk do të thotë se ajo është pasuese në kuptimin e mundësive të Bashkimit Sovjetik në kozmonautikë, në teknologji, e të tjera”, thekson ai.
