Botë

BE-ja e “shqetësuar thellë” për të drejtat e njeriut në Turqinë e Erdoganit

Descriptive Text

“Çështja e të drejtave të njeriut është e panegociueshme, është prioritet absolut... ne jemi shumë të prerë në këtë”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Jam thellësisht e shqetësuar për faktin se Turqia është tërhequr nga Konventa e Stambollit. Ajo ka të bëjë me mbrojtjen e grave dhe me mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe ky është qartazi një sinjal i gabuar i dhënë në këtë kohë”, ka shtuar ajo

Dy zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian kanë shprehur “shqetësime të thella” rreth të drejtave të njeriut në Turqi, teksa janë shprehur optimistë të martën për krijimin e marrëdhënieve më të forta të ndërsjella gjatë takimit të tyre të parë gjatë vitit me presidentin, Recep Tayyip Erdogan.

Diskutimet e së martës në kryeqytetin turk, Ankara, janë mbajtur pak kohë pas tërheqjes së Turqisë nga Konventa e Stambollit, e cila e dënon dhunën ndaj grave, si dhe ndërmarrjes së përpjekjeve zyrtare për shuarjen e partisë kryesore prokurde të vendit.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore janë thelbi i vlerave të Bashkimit Evropian dhe ne e ndajmë me presidentin Erdogan shqetësimin tonë të thellë për zhvillimet më të fundit në Turqi, në këtë aspekt”, ka thënë kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michell, pas afro tri orësh bisedime me Erdoganin.

Në anën tjetër, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se çështja e të drejtave të njeriut përbën një element “vendimtar” për marrëdhëniet më të mira BE-Turqi, teksa Ankaraja dhe Brukseli po e synojnë përmirësimin potencial të relacioneve midis një vale veprimesh pajtuese nga të dyja palët, gjatë javëve të fundit.

“Çështja e të drejtave të njeriut është e panegociueshme, është prioritet absolut... ne jemi shumë të prerë në këtë”, ka thënë Von der Leyen. “Jam thellësisht e shqetësuar për faktin se Turqia është tërhequr nga Konventa e Stambollit. Ajo ka të bëjë me mbrojtjen e grave dhe me mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe ky është qartazi një sinjal i gabuar i dhënë në këtë kohë”, ka shtuar ajo.

“Turqia duhet t’i respektojë rregullat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të cilën gjë, përndryshe, vendi është zotuar si një anëtare themeltare e Këshillit të Evropës”.

Presidenti turk nuk u është adresuar gazetarëve pas takimit, por zyra e tij ka lëshuar një deklaratë, në të cilën ka riafirmuar qëndrimin e Turqisë se synon që BE-ja “të ndërmarrë hapa konkretë drejt mbështetjes së një agjende pozitive”.

“Synimi përfundimtar i procesit evropian të Turqisë është anëtarësimi i plotë”, ka njoftuar zyra e Erdoganit, në një referencë për bisedimet e anëtarësimit, të cilat janë ngrirë gjatë dekadës së kaluar.

Turqia është zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në BE, por përpjekja e saj për t’u bërë anëtare e bllokut prej 27 vendesh ka ngecur. Gjatë javëve të fundit Erdogani ka ndërmarrë hapa pajtues me qëllim të zbutjes së marrëdhënieve me Brukselin, ndërsa liderët evropianë janë pajtuar që ta zgjerojnë tregtinë dhe ta përmirësojnë bashkëpunimin me Turqinë në çështjet e migrimit. Veprimet janë ndërmarrë pas ashpërsimit të tensioneve vitin e shkuar, shkaku i vendimit të Turqisë për t’ua hapur kufijtë drejt Greqisë fqinje emigrantëve dhe refugjatëve të strehuar në vend. Përplasje ka shkaktuar edhe vendosja e anijeve kërkimore turke në ujërat e kontestuar të Mesdheut, pretendime për të cilat kanë Turqia, si dhe Qiproja dhe Greqia.