Botë

Pasaportat e vaksinave, beteja e re në politikën amerikane

Descriptive Text

Pasaportat e vaksinave janë zakonisht një aplikacion me një kod që verifikon nëse dikush është vaksinuar apo testuar kohët e fundit negativ me COVID-19. Mirëpo ligjvënësit republikanë në SHBA gjithashtu kanë hartuar propozime për të ndaluar ose kufizuar këtë lloj të pasaportave

Pasaportat e vaksinave që po zhvillohen për ta verifikuar statusin e imunizimit ndaj COVID-19 dhe për t’ua mundësuar njerëzve të imunizuar që të udhëtojnë më lirshëm, të blejnë dhe të darkojnë, janë bërë pika e fundit e ndezjes në luftërat e përhershme politike të Amerikës, pasi republikanët po i portretizojnë ato si ndërhyrje me dorë të rëndë në lirinë personale dhe në zgjedhjet personale shëndetësore.

Aktualisht ato ekzistojnë vetëm në një shtet - një partneritet i kufizuar qeveritar në New York me një kompani private - por kjo nuk i ka ndaluar ligjvënësit nga një numër shtetesh që të nxitojnë me propozimet legjislative për ta ndaluar përdorimin e tyre.

Diskutimi nëse pasaportat janë reagim i duhur ndaj pandemisë apo veprimeve qeveritare jehon mosmarrëveshjet e hidhura gjatë vitit të kaluar në lidhje me maskat, urdhrat për izolim dhe madje edhe vetë vaksinat.

Pasaportat e vaksinave janë zakonisht një aplikacion me një kod që verifikon nëse dikush është vaksinuar apo testuar kohët e fundit negativ me COVID-19. Ato janë në përdorim në Izrael dhe janë në zhvillim e sipër në disa pjesë të Evropës, të para si një formë për të ndihmuar në mënyrë të sigurt rindërtimin e industrisë së shkatërruar të udhëtimeve nga pandemia.

Ato kanë për qëllim që ta mundësojnë hapjen e bizneseve në mënyrë më të sigurt, përderisa njerëzit po vaksinohen me vrull, dhe pasqyrojnë masat tashmë të vendosura për shkollat dhe udhëtimet jashtë shtetit, që kërkojnë dëshmi të imunizimit kundër sëmundjeve të ndryshme.

Përpjekja për bllokim

Por ligjvënësit në të gjithë SHBA-në tashmë po mbajnë një qëndrim kundër kësaj ideje. Senatorët në Pensilvani po hartojnë legjislacionin që do t’i ndalonte pasaportat e vaksinave, të njohura gjithashtu si certifikata shëndetësore ose leje udhëtimi, që të përdoren për të ndaluar njerëzit nga aktivitetet e përditshme.

"Të drejtat kushtetuese dhe ligjet e privatësisë shëndetësore i kemi për një arsye", tha udhëheqësi i shumicës së Dhomës së Pensilvanisë, Kerry Benninghoff, republikan. “Ato nuk duhet të pushojnë së ekzistuari në një kohë krize. Këto pasaporta mund të fillojnë me COVID-19, por ku do të përfundojnë?”

Benninghoff tha këtë javë se shqetësimi i tij ishte "përdorimi i parave të taksapaguesve për të gjeneruar një sistem që tani do të jetë, ndoshta, në duart e organizatave me teknologji të lartë, të cilat tashmë kanë pasur probleme me sulme dhe çështje të sigurisë".

Një koleg demokrat, Chris Rabb nga Philadelphia, sheh vlerë në pasaportat e vaksinave nëse zbatohen me kujdes.

Image

Pasaportat e vaksinave po krijohen për verifikimin e imunizimit të njerëzve për lëvizje të lirë gjatë pandemisë

Propozime të reja

Ligjvënësit republikanë në shtete të tjera gjithashtu kanë hartuar propozime për t'i ndaluar ose kufizuar ato. Një projektligj i paraqitur në legjislaturën e Arkansas të mërkurën do t’i parandalonte zyrtarët qeveritarë që të kërkojnë pasaporta vaksine për çfarëdo arsye dhe do të ndalonte përdorimin e tyre si kusht për "hyrje, udhëtim, arsim, punësim ose shërbime".

Senatori i shtetit republikan, Trent Garner, i quajti pasaportat e vaksinave "vetëm një shembull tjetër i administratës së Bidenit për ta përdorur COVID-19 për të vendosur rregullore ose kufizime për amerikanët".

Administrata e presidentit Joe Biden ka pasur kryesisht qasje praktike për pasaportat e vaksinave.

Në një konferencë për shtyp këtë javë, Andy Slavitt, administrator i përkohshëm i Qendrave për Shërbime të Kujdesit dhe Ndihmës Mjekësore, tha që i konsideron si projekt për sektorin privat, jo për Qeverinë.

Ai tha se Qeveria po i shqyrton udhëzimet federale për ta drejtuar procesin rreth pasaportave të vaksinave. Disa nga shqetësimet e tij janë këto: Jo të gjithë që do të kishin nevojë për një pasaportë kanë telefon të mençur; pasaportat duhet të jenë falas dhe në shumë gjuhë; dhe informatat shëndetësore personale duhet të mbrohen.

“Do të ketë organizata që do të duan t'i përdorin. Do të ketë organizata që nuk do të duan t'i përdorin”, tha dr. Brian Anderson nga Mitre, i cili operon në qendrat kërkimore të financuara në mënyrë federale dhe është pjesë e një koalicioni që punon për të zhvilluar standarde për certifikatat e vaksinave, për ta bërë më të lehtë përdorimin e tyre nga shitësit.

Anderson vuri në dukje se Nisma e Kredencialeve të Vaksinimit nuk po bën rekomandime se si - ose edhe nëse - organizatat zgjedhin t’i përdorin certifikimet.

Në Montana, deputetët këtë javë votuan sipas vijave të partisë për të çuar përpara një palë projektligjesh, që do ta ndalonin diskriminimin bazuar në statusin e vaksinës ose posedimin e një pasaporte të imunitetit dhe për ta ndaluar përdorimin e statusit të vaksinës ose pasaportave për të marrë përfitime dhe shërbime të caktuara.

Dhe një ligjvënës shtetëror republikan në Ohio foli në lidhje me konceptin, duke thënë se më shumë masa ose ligje nuk janë përgjigjja për çdo problem me COVID-19.

"Shtetasit e Ohios inkurajohen ta marrin vaksinën kundër COVID-19 për shëndetin dhe mirëqenien e tyre dhe të të tjerëve", tha Al Cutrona. "Sidoqoftë, një vaksinë nuk duhet të mandatohet ose të kërkohet nga Qeveria jonë që njerëzit tanë të integrohen përsëri në normalitet".

Diskriminim i madh

Guvernatori republikan i Floridas, Ron DeSantis, të premten lëshoi një urdhër ekzekutiv ku thuhet se asnjë entitet qeveritar nuk mund të lëshojë pasaporta vaksine, dhe bizneset në atë shtet nuk mund t'i kërkojnë ato. Ai tha se pret që legjislatura ta miratojë një ligj të ngjashëm.

Në urdhrin i tij thuhet që kërkimi i "pasaportave të ashtuquajtura të vaksinave COVID-19 për të qenë pjesë e jetës së përditshme - të tilla si pjesëmarrja në një ngjarje sportive, darkimi në një restorant ose shkuarja në kinema - do të krijonte dy klasa qytetarësh".

Marjorie Taylor Greene, anëtare e sapozgjedhur e Dhomës së Përfaqësuesve në Georgia, që ka përqafuar dhe promovuar një sërë pozicionesh politike të ekstremit të djathtë, u tha mbështetësve të saj në Facebook në fillim të kësaj jave se "diçka e quajtur pasaportë vaksine" ishte formë "komunizmi nga korporatat” dhe pjesë e një përpjekjeje demokratike për ta kontrolluar jetën e njerëzve.

Dhe një deputet në Louisiana ka përgatitur një projektligj për ta mbajtur shtetin nga përfshirja e ndonjë informate për vaksinimin në patentë shofer ose për ta bërë lëshimin e një patentë shoferi subjekt të statusit të vaksinës.

Në New York po paraqitet një pasaportë e vaksinës e sponsorizuar nga Qeveria, e quajtur Excelsior Pass. Një aplikacion për telefona të mençur tregon nëse dikush është vaksinuar ose së fundmi ka dalë negativ me COVID-19.

Guvernatori demokrat, Andrew Cuomo, mbrojti idenë për të lënë një punonjës në vendin e ngjarjes që të përdorë telefonin e tyre për të skanuar kodin e një pjesëmarrësi në koncert.

Zyrtarët e New York-ut nuk kanë publikuar detaje specifike rreth mënyrës se si do të funksionojë aplikacioni, se a do të ketë qasje në statusin e vaksinimit ose të testimit të dikujt ose do ta mbrojë emrin e përdoruesit, datën e lindjes ose vendndodhjen ku u skanua kodi i tyre. Politika e privatësisë së aplikacionit thotë se të dhënat do të "mirëmbahen në një mënyrë të sigurt" dhe nuk do të përdoren për shitje ose qëllime marketingu e as nuk të ndahen me një palë të tretë. Por disa ekspertë të privatësisë thonë se publiku ka nevojë për më shumë specifika për t'u siguruar që informatat janë të mbrojtura.

Albert Fox Cahn, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Projektit të Mbikëqyrjes së Teknologjisë në Qendrën e Drejtësisë Urbane, një grup i të drejtave civile dhe privatësisë me seli në New York, paralajmëroi se “Excelsior Pass” krijon një shtresë të re të mbikëqyrjes pa hollësi të mjaftueshme se si i grumbullon të dhënat ose mbron privatësinë.

"Ne në thelb kemi vetëm pamje ekrani të ndërfaqes së përdoruesit dhe asgjë më tepër", tha Cahn për “Excelsior Pass”.

Image

 Të ashtuquajturat pasaportat e vaksinave kanë ngjallur një betejë politike me republikanët, që po i cilësojnë si shkelje të lirive të njerëzve