Serbia ka mesataren më të lartë të vaksinimit në Evropë, kryesisht për shkak të blerjes së vaksinave kineze dhe ruse. Dozat e Pfizerit dhe AstraZenecas tashmë janë shpërndarë. Besohet se rreth 2 milionë banorë të Serbisë janë vaksinuar me së paku një dozë
Qindra kërkues të vaksinave nga shtetet fqinje të Serbisë kanë vërshuar Beogradin të shtunën, kur autoritetet serbe ofruan vaksinim falas për të huajt gjatë fundjavës.
Rresht i gjatë i boshnjakëve, malazezëve dhe maqedonasve u krijua para qendrës kryesore të vaksinimit në kryeqytetin serb.
Përveç Serbisë, që ka numër të mjaftueshëm të vaksinave, shumica e shteteve ballkanike kanë mungesa të dozave, ose nuk janë furnizuar fare me vaksina.
Serbia ka dhuruar pako të vaksinave për Maqedoninë Veriore, Malin e Zi dhe Bosnjën.
Kritikët kanë thënë se presidenti populist Aleksandar Vuçiq, me vaksinimin falas, dëshiron ta shtrijë ndikimin në rajon dhe ta zbusë imazhin ultranacionalist që ka pasur pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ‘90.
Disa të tjerë janë të mendimit se dozat e AstraZenecas që u janë ofruar shtetasve të shteteve përreth janë në ditët e fundit të afatit të përdorimit dhe duhet të përdoren sa më shpejt që të jetë e mundur.
Portali boshnjak i lajmeve “Klix” ka raportuar për kolonë të gjatë në kufirin me Serbinë. Në raportin e portalit nga Bosnjë-Hercegovina thuhej se një biznesmene boshnjake kishte rezervuar një vend për vaksinim në qendrën e vaksinave në Beograd.
Së paku 10 mijë doza janë ofruar për maqedonasit, malazezët dhe boshnjakët, që ia mësynë të shtunën Beogradit.
Serbia ka mesataren më të lartë të vaksinimit në Evropë, kryesisht për shkak të blerjes së vaksinave kineze dhe ruse.
Dozat e Pfizerit dhe AstraZenecas tashmë janë shpërndarë.
Besohet se rreth 2 milionë banorë të Serbisë janë vaksinuar me së paku një dozë.
Të premten, Bashir Ahmad Shirzay nga Afganistani ishte në mesin e refugjatëve të parë që u vaksinuan në Beograd. Shteti ballkanik u bë i pari në Evropë që nis vaksinimin e njerëzve nëpër qendra të refugjatëve, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara.
“Duhet ta marrim vaksinën për të mirën e shëndetit. Virusi ka marrë shumë jetë”, ka thënë Shirzay.
530 refugjatë nëpër Serbi kanë nënshkruar për vaksinim. Të premten, refugjatët kanë marrë dozat e AstraZenecas në Beograd.
“Sot është një ditë shumë e veçantë, sepse po i vaksinojmë refugjatët dhe azilkërkuesit”, ka thënë Francesca Bonelli, përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara në Serbi.
“Është shenjë e rëndësishme se Serbia po përkrah refugjatët dhe shembull i mirë i përfshirjes së tyre në shoqërinë serbe”, ka shtuar ai.
Mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia janë nëpër Serbi dhe Bosnjë, teksa po presin një mundësi për të kaluar në Kroacinë anëtare të Bashkimit Evropian, para se të kalojnë në shtetet më të pasura të Perëndimit.
Refugjatët, shumë prej të cilëve jetojnë në kushte të rënda nëpër kampe, janë grupi më i rrezikuar nga pandemia. Një kamp në Bosnjë ishte epiqendër e përhapjes së koronavirusit në fillim të muajit mars.
“Vaksinimi është shumë i rëndësishëm, sepse refugjatët jetojnë në qendra të përbashkëta dhe mbajtja e distancës është e pamundur. Për këtë shkak vaksinimi është mundësi e mirë për t’i shmangur përhapjet e reja”, ka thënë Abebayehu Assefa Mengistu, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Serbi.