Zyrtarët rusë të hënën kanë kërcënuar se vendi i tyre do t’i trajtojë aeroplanët e koalicionit të udhëhequr nga SHBA në disa pjesë të Sirisë si caqe sulmi pasi ushtria amerikane rrëzoi një aeroplan ushtarak të Ushtrisë Siriane të dielën.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se aeroplanët që fluturojnë mbi Siri, në perëndim të Lumit Eufrat, do të konsiderohen si caqe, raporton Fox News.
Lajmi erdhi një ditë pasi për herë të parë në histori një aeroplan amerikan rrëzon një aeroplan sirian – dhe hera e parë në rreth 20 vjet që kur SHBA ka rrëzuar një aeroplan në luftime ajër-ajër.
Hera e fundit kur një aeroplan amerikan ka qëlluar aeroplanë të një shteti tjetër ka qenë gjatë luftës në Kosovë më 1999 kur aeroplani amerikan F-15 Eagle rrëzoi një MiG-29 të Serbisë, transmeton Koha.net.
Të dielën, ishte një aeroplan amerikan F-18 Super Hornet që rrëzoi një aeroplan sirian SU-22 pasi ai aeroplan lëshoi bomba afër forcave partnere amerikane që po luftonin kundër ISIS-it.
Ministria ruse e Mbrojtjes po ashtu të hënën ka thënë se do t’i suspendojë koordinimet me SHBA-në në Siri rreth të ashtuquajturave “zona dekonfliktuoze” pas rrëzimit të aeroplanit sirian.