1 perditesime
23:55

Netanyahu shpall fitoren në zgjedhjet në Izrael

Ndonëse exit-pollet nuk kanë dhënë një fitues të qartë në zgjedhjet parlamentare në Izrael që u mbajtën sot, kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se partia e tij Likud ka arritur një “fitore të madhe” me partitë tjera të krahut të djathtë.

“Është e qartë se shumica e qytetarëve izraelitë janë të krahut të djathtë, dhe duan një Qeveri të krahut të djathtë të fortë dhe stabile që do ta mbrojë ekonominë e izraelit, sigurinë e Izraelit dhe tokën e Izraelit. Kjo është ajo që do të bëjmë ne”, ka shkruar Netanyahu në Facebook./AP

21:52

Sondazhet: Nuk ka fitues të qartë në zgjedhjet izraelite

Sondazhet televizive kanë sinjalizuar se nuk ka fitues të qartë nga zgjedhjet e së martës në Izrael, në atë që e lë të papërcaktuar fatin e kryeministrit, Benjamin Netanyahu, dhe e sinjalizon vazhdimin e bllokadës politike në vend, edhe pas katër palë zgjedhjesh brenda dy vjetësh.

Sondazhet e tri televizioneve kryesore izraelite kanë treguar se Netanyahu dhe aleatët e tij religjiozë dhe nacionalistë, e as kundërshtarët e shumtë të tij nuk kanë arritur të sigurojnë një shumicë parlamentare.

Kjo gjë mund të hapë rrugën për një paralizë disajavore, por edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të pesta të njëpasnjëshme. Me gjithë të dhënat e sondazheve, rezultatet përfundimtare mund të mos bëhen të ditura për ditë me radhë. Sipas projeksioneve pothuajse identike të kanaleve televizive, Netanyahu dhe aleatët parashihet që të sigurojnë 53 deri në 54 vende në Knesset.

Kundërshtarët mund të fitojnë 59, teksa partia “Yamina” e Naftali Bennetit është projektuar që të sigurojë 7 apo 8 deputetë. \ AP