Botë

Me retorikë trumpiane, Netanyahu kthen sytë kah zgjedhjet

Foto: AP

Teksa zgjedhjet e reja izraelite po afrojnë, “surrogatët” e kryeministri Benjamin Netanyahu po i vënë në veprim mësimet e nxjerra nga “libri shkollor” i ish-presidentit amerikan Donald Trump

Lideri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka goxha gjasa të mira që të dalë fitues në edhe një palë zgjedhje që do të mbahen në fund të këtij muaji, por edhe në rast se nuk del, disa prej surrogatëve të tij veçse e kanë vënë në qarkullim një shpjegim: Kundërshtarët e Bibit janë duke planifikuar që t’i vjedhin votat.

Ky pretendimi trumpian – që nuk mbështetet në kurrfarë dëshmie – sipas revistës politike amerikane “Foreign Policy” është vetëm një prej mënyrave se si fushata e Netanyahut po i ngjason përherë e më shumë përpjekjes së ish-presidentit amerikan për rizgjedhje, vitin e shkuar.

“Bibi ka bërë pretendime të paqena kundër rivalëve, ka larguar vëmendjen nga vdekjet e ndërlidhura me koronavirusin dhe e ka nënvizuar vetë rolin e tij në iniciativën e suksesshme për vaksinim. Madje, ka caktuar një ish-kolumnist të ‘Breitbart’ për këshilltar të fushatës së tij”, ka shkruar “Foreign Policy” në analizën e saj.

Në tre palë zgjedhjet e mëhershme brenda dy vjetëve të fundit, Netanyahu kishte përqendruar fushatën e tij pjesërisht në marrëdhënien e fortë me presidentin e atëhershëm Trump, i cili gëzon popullaritet të gjerë në Izrael. Pano gjigante kanë shfaqur kudo në vend pamjet e dy burrave tek përqafohen.

Por meqë Shtëpinë e Bardhë tani e menaxhon një demokrat, surrogatët janë përqendruar më pak në Trumpin dhe më shumë në mësimet e nxjerra prej tij.

“Mashtrimet zgjedhore kanë mbërritur”, ka paralajmëruar Iki Cohen, një aktivist i partisë Likud, duke shkruar në “Twitter” gjatë fillimit të fushatës në dhjetor.

Ngjashmëritë SHBA-Izrael

Coheni dhe të tjerët kanë aluduar se masat e reja zgjedhore për akomodimin e votimit në pandemi, duke përfshirë këtu zgjerimin e vendvotimeve dhe votat me postë, përbëjnë një mënyrë të manovrimit burokratik, të cilën kundërshtarët e Netanyahut mund ta përdorin për ta manipuluar rezultatin.

Sipas sondazheve të fundit, partia Likud e Netanyahut pritet që të fitojë më shumë vende sesa cilido fraksion tjetër parlamentar. Blloku i tij parlamentar i krahut të djathtë dhe partive fetare, sipas “Foreign Policy” po i afrohet shumicës prej 61 vendesh, sa i duhen për ta marrë nën kontroll Parlamentin e Izraelit.

Një sondazh i muajit shkurt, i ndërmarrë nga televizioni “Channel 13”, ka treguar se izraelitët e shohin Netanyahun si kandidatin më të përshtatshëm për këtë detyrë, krahasuar me rivalin e tij më të afërt, liderin opozitar Yair Lapid.

“Strategjia e mbjelljes së paqartësisë rreth legjitimitetit të zgjedhjeve mund të bëhet e dobishme si një Plan B, në rast se Netanyahu nuk ia del që ta sigurojë shumicën e qartë në Parlament dhe dështon që ta formojë një koalicion, proces ky që mund të zgjasë të paktën disa javë apo muaj”, thuhet në analizën e revistës amerikane.

“Kjo gjë do të ndihmonte në formësimin e vetëdijes publike se kompetencat institucionale, sërish, janë duke punuar kundër Netanyahut për t’ia parandaluar atij mbetjen në pushtet”, ka thënë Yossi Dorfman, një konsulent për mediat sociale dhe aktivist i lëvizjes që synon largimin e Netanyahut nga detyra shkaku i akuzave për korrupsion të ngritura kundër tij. “Ai synon që ta përdorë këtë energji për të ushtruar presion mbi institucionet që të vendosin në favor të tijin në rezultatet zgjedhore”.

Si në rastin e zgjedhjeve të fundit amerikane, këto sfida mund ta ngadalësojnë procesin e numërimit dhe t’i injektojnë edhe më shumë paqartësi procesit. Këto paqartësi mund t’u hapin rrugë pretendimeve për manipulime.

Metodat e kontestimit të legjitimitetit

Edhe para se të jepej njoftimi për masat e reja të votimit, surrogatët e kryeministrit në mediat sociale kanë sulmuar integritetin e Komitetit Qendror të Zgjedhjeve dhe e kanë akuzuar atë për veprime kundër Netanyahut në zgjedhjet e mëhershme.

I biri i kryeministrit, Yair Netanyahu, vazhdimisht e luan rolin e sulmuesit në rrjete sociale, në mbështetje të babait të tij.

“Befas mu kujtua se si zgjedhjet (në Izrael) janë vjedhur nëpërmjet zarfeve të dyfishta”, ka shkruar ai në “Twitter” gjatë nëntorit të 2020-s, duke e përdorur termin izraelit për votat me postë.

Sipas “Foreign Policy”, sulmet në mediat sociale janë të përqendruara në pretendimet se gjyqtari i Gjykatës Supreme, i cili e udhëheq Komitetin, Uzi Fogelman, është një lloj mjeti i së majtës izraelite.

Image

“Ajo që po ndodh këtu nuk është fare më pak e rëndë sesa ajo që Trumpi dhe surrogatët e tij i kanë bërë masave në natën e mësymjes në Capitol”, ka shkruar Ben Caspit, një kolumnist politik izraelit i së përditshmes “Maariv”.

Njësoj sikurse Trumpi, Netanyahu është përfshirë në përplasje me anëtarët e vetë partisë së tij. Kjo pasi që një grup syresh mund potencialisht të lidhin partneritet me partitë në qendrën apo të djathtën e Izraelit pas zgjedhjeve, në mënyrë që ta formojnë një koalicion alternativ dhe kësisoj t’i japin fund qeverisjes 12-vjeçare të Netanyahut.

Por për dallim prej Trumpit, “Foreign Policy” shkruan se Netanyahu është kryesisht i përmbajtur në nxitjen e mbështetësve të tij nëpërmjet mediave sociale. Fushata e shënjestrimit të legjitimitetit të zgjedhjeve operon më shumë si një lloj “dhome e jehonës” dhe jo si një operacion i disiplinuar i përçimit të mesazheve, ka thënë për revistën një ekspert i mediave digjitale.

“Nuk mendoj se dikush në Balfour është duke i koordinuar të gjitha këto përpjekje. Nuk ju duhet që të keni njerëz të ulur përreth tryezës”, ka thënë për gazetën “Tehilla Shwartz Atshuler”, një anëtare e Institutit Izraelit për Demokraci. “Peizazhi është shumë më i ndërlikuar. Është më shumë si një koleksion i akterëve të pavarur, akëcili prej të cilëve e di se cilën pjesë të lojës ta luajë. Në këtë gjë Trumpi ishte një gjeni i vërtetë. Dhe këtë gjë mendoj se po përpiqet që ta bëjë Likudi”.

Në fillim të këtij viti, organizata joqeveritare izraelite me prirje të së djathtës ekstreme “Im Tirtzu” ka lansuar fushatën “Stop mashtrimeve”, duke u dhënë jehonë pretendimeve për mashtrimin e votuesve në SHBA. Organizata pretendon për manipulime me numërimin e votave në zonat arabo-izraelite.

“Im Tirtzu”, e cila ka mbledhur me miliona dollarë nga donatorët amerikanë nëpërmjet fushatave kundër grupeve majtiste izraelite, ka akuzuar po ashtu Komitetin Qendror të Zgjedhjeve për gabime në numërimin e votave gjatë tri palë zgjedhjeve të mëhershme. Por për këtë nuk ka ofruar ndonjë dëshmi. “Foreign Policy” ka shkruar se nëpërmjet përshkrimit të fushatës së saj si një “iniciativë për integritetin e zgjedhjeve”, kjo organizatë u ka bërë thirrje mbështetësve që t’i monitorojnë vendvotimet lidhur me dhënien e ryshfetit votuesve apo për shkeljet e tjera të ngjashme në votimet e 23 marsit.

“Për aq kohë sa nuk ka mbikëqyrje në Komitetin Qendror të Zgjedhjeve, votuesit djathtistë nuk do të kenë ndonjë rëndësi”, ka shpjeguar Ream Shai, një mbështetës i Likudit. “Ajo që ka ndodhur në SHBA do të ndodhë edhe këtu!”.

Gazeta amerikane ka shkruar se disa analistë janë duke u pyetur nëse fushata e dezinformimit mund të kulmojë me dhunë të ngjashme sikurse në rastin e ngjarjeve të 6 janarit në Capitol të SHBA-së. Mirëpo Jonathan Rynhold, profesor i shkencave politike në Universitetin Bar-Ilan, ka aluduar për “Foreign Policy” se shkaku që Netanyahu ballafaqohet me kundërshtarë edhe nga e djathta, do të jetë e vështirë që të fuqizohet rasti se e majta ka vjedhur pushtetin.

“Do të kemi dy parti të mëdha të qendrës së djathtë, dhe në cilëndo mënyrë që të dalë, ato do të kenë mospajtime me Netanyahun”, ka thënë ai.

Në analizën e revistës politike ngrihen gjithashtu shqetësime se platformat e mediave sociale dhe autoritetet izraelite nuk janë duke bërë sa duhet për luftimin e fushatës së dezinformimit.

“Njëjtë sikurse në rastin e Amerikës, autoritetet izraelite nuk janë duke e parë pamjen e plotë”, ka shkruar “Foreign Policy”.

Analizë e revistës “Foreign Policy”Top of Form