Botë

Tensione në Meksikë gjatë protestës së grave kundër Obradorit

Me mijëra gra kanë marshuar përreth Pallatit Kombëtar në Mexico City, në shenjë proteste ndaj presidentit meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador.

Protesta, e organizuar me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas, kishte në shënjestër vendimin e Qeverisë për ngritjen e një barrikade prej betoni përreth Pallatit.

Në shenjë revolte, aktivistet kanë rrethuar strukturën me lule dhe kanë shkruar në të emrat e grave që janë viktima të vrasjeve.

Presidenti ka bërë të ditur se rrethoja e vendosur ka për synim mbrojtjen e ndërtesave dhe monumenteve të epokës koloniale, të cilat janë spërkatur me ngjyrë dhe janë mbushur me grafitë në demonstratat e mëhershme feministe.

Presidenti është vënë në shënjestër të kritikave edhe shkaku i mbështetjes që i ka ofruar kandidatit të partisë së tij për kryebashkiak të Guerreros, Felix Macedonia Salgado, i cili është akuzuar për përdhunimin e dy grave, por nuk është paditur lidhur me rastin.