Botë

SHBA-ja në alarm nga dezinformatat ruse për vaksinat

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë identifikuar tri publikime online të drejtuara nga shërbimet e Inteligjencës në Rusi, për të cilat kanë bërë të ditur se synojnë që t’i minojnë vaksinat ndaj sëmundjes pandemike të prodhuara nga “Pfizeri” dhe “Moderna”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka dhënë alarmin të hënën se administrata e presidentit Joe Biden është duke i monitoruar përpjekjet e ndërlidhura me shërbimet ruse të Inteligjencës për të minuar vaksinat kundër COVID-19 të kompanive “Moderna” dhe “Pfizer”.

“Jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë, jemi duke e monitoruar vazhdimisht dhe duke ndërmarrë hapa për ta adresuar”, ka thënë Psaki, gjatë një konference për media.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë identifikuar tri publikime online të drejtuara nga shërbimet e Inteligjencës në Rusi, për të cilat kanë bërë të ditur se synojnë që t’i minojnë vaksinat ndaj sëmundjes pandemike të prodhuara nga “Pfizeri” dhe “Moderna”.

“Këto publikime kanë përhapur çdo lloj dezinformate, përfshirë si për të dy vaksinat e këtyre kompanive, ashtu edhe për organizatat ndërkombëtare, konfliktet ushtarake, protestat dhe çdo lloj çështjeje përplasëse që mund ta shfrytëzojnë”, ka thënë Psaki.

“The Wall Street Journal” ka raportuar fillimisht mbi identifikimin e fushatës së pretenduar të dezinformimit. Mirëpo një zëdhënëse e Kremlinit ka mohuar menjëherë të hënën pretendimet amerikane se Rusia është duke përhapur dezinformata lidhur me vaksinat.

“Do ta luftojmë, me secilin mjet që kemi në dispozicion, fushatën e dezinformimit. Jemi pa dyshim të informuar dhe të familjarizuar me qasjen dhe taktikat e përpjekjeve ruse të dezinformimit”, ka shtuar Psaki, duke pretenduar se administrata Biden do ta shfrytëzojë “akëcilën mundësi”, ashtu që vaksinimi të zhvillohet në mënyrë të sigurt.

Për sa i përket vaksinës së prodhuar nga vetë Rusia, “Sputnik V”, dyshime në sigurinë dhe efikasitetin e saj të hënën ka shprehur trupi kryesor evropian i ilaçeve.

Përfaqësuesja e lartë e Agjencisë Evropiane për Ilaçe, Christa Wirthumer-Hoche, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të mos e rekomandojnë në nivel kombëtar përdorimin emergjent të vaksinës ruse kundër COVID-19. Krejt kjo derisa agjencia t’i hulumtojë hollësisht sigurinë dhe efikasitetin e saj.

Ekspertja evropiane ka thënë gjithashtu se për vlerësimin përfundimtar nevojitet pajisja me dokumentacionin e plotë. Kjo, ngase mungojnë të dhënat për personat e vaksinuar me këtë kurë dhe për këtë arsye ajo ka rekomanduar anëtaret e bllokut që të mos e miratojnë “Sputnikun” për përdorim emergjent. Ajo, madje, ka përjashtuar mundësinë që vaksina ruse të ofrohet në listën për vaksinim në vendet e BE-së. Kjo gjë u bë e ditur në ditën kur kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se pritet që deri në prill, më shumë se 100 milionë doza vaksinash të distribuohen në bllok për çdo muaj. \ AP