Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë arritur marrëveshje në parim për një marrëveshje të re për ndarjen e kostos së pranisë së trupave amerikanë, e cila ka për qëllim mbrojtjen kundër kërcënimit të agresionit të Koresë së Veriut, njoftuan të dy vendet.
Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Politiko-Ushtarake ka thënë se marrëveshja përfshin një rritje të kostos të Seulit, por nuk dha detaje me shifra, raporton AP.
Byroja shkroi në Twitter se marrëveshja, nëse finalizohet, do të riafirmonte aleancën e traktatit SHBA-Koreja e Jugut si “linja kryesore e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për Azinë Verilindore”.
Ministria e Jashtme e Koresë të hënën lëshoi një deklaratë të ngjashme, duke thënë se të dy vendet po kërkojnë të nënshkruajnë paraprakisht marrëveshjen, duke shtuar se marrëveshja në parim erdhi pas tre ditësh bisedime ballë për ballë në Uashington.
SHBA-ja mban rreth 28 mijë trupa në Korenë e Jugut për të ndihmuar në parandalimin e agresionit të mundshëm nga Koreja e Veriut, një trashëgimi e Luftës Koreane 1950-1953. Por sa duhet të paguajë Koreja e Jugut për praninë ushtarake amerikane ishte një çështje e ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe nën administratën Trump, e cila shpesh i kërkonte aleatit të saj aziatik që të rrisë në mënyrë drastike pjesën e saj.
Në vitin 2019, aleatët arritën një marrëveshje që kërkonte që Koreja e Jugut të paguante rreth 924 milionë dollarë për praninë e trupave amerikane, një rritje nga 830 milionë dollarë sa ishte në vitin 2018.
Por negociatat për një plan të ri të ndarjes së kostove u ndërprenë mbi një kërkesë të SHBA-së që Seuli të paguante pesë herë më shumë se sa kishte paguar më parë, deri tashmë në ardhjen e presidentit të ri amerikan, Joe Biden, që i ka hapur rrugë bisedimeve të reja.