Shpërthimi i fuqishëm e hodhi Climisin përtokë. Sytë e tij të mjegulluar po rrotulloheshin në hatanë që sapo kishte filluar – tym, mbeturina dhe britma të pafundme. Besimtarë të shtrirë për tokë. Nuk merrnin frymë
Bagdad, 5 mars (AP) - Dita nisi si çdo tjetër e diel në kishën Zonja e Shpëtimit në Bagdad për besimtarin katolik Louis Climis. Ajo ditë, gati 11 vjet më parë, do të mbaronte me pellgje gjaku, ankth dhe jetë të humbura.
Gjashtë terroristë të “Al-Qaedas” sulmuan dhe rrethuan kishën, duke marrë jetën e dhjetëra njerëzve brenda. Në atë kohë, sulmi i 31 tetorit 2010 ishte më i përgjakshmi në serinë e dhunës ndaj të krishterëve të Irakut gjatë luftës sektare, pas pushtimit të këtij shteti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003. Një dekadë më vonë, ende cilësohet si sulmi më vdekjeprurës ndaj komunitetit katolik në Irak.
Masakra detyroi shumë të krishterë të largoheshin nga Iraku dhe e thelloi mosbesimin midis komunitetit dhe fqinjëve myslimanë. Humnerë që nuk i shihet fundi as në ditët e sotme.
Tani disa po mbështeten në vizitën e shumëpritur të Papa Françeskut për të ndihmuar në mbylljen e plagëve. Zonja e Shpëtimit, që i përket Kishës Katolike Siriake, është një nga ndalesat e para të Papës në vizitën historike në Irak, me të cilën të krishterët shpresojnë se do ta forcojnë pozitën e tyre në shtetin e dobët.
“Vizita e Papës është shpresë për ne, sepse do të flasë me zyrtarët irakianë për t’u thënë atyre që ta ndalojnë dhunën, t’i ndalojnë grupet e armatosura dhe t’i mbrojnë pakicat”, ka thënë Climis.

Të shtëna, shumë të shtëna...
Atë ditë fatale të 2010-s, Climis, asokohe 55 vjeç, ishte një udhëheqës i të rinjve të kishës. Kishte arritur në kohën e duhur për meshën e fundjavës me të birin 18-vjeçar, Radi. Bashkëshortja dhe fëmijët e tjerë qëndruan në shtëpi për t’i mbikëqyrur riparimet e kuzhinës. Për këtë, më vonë, Climis do të ishte mirënjohës.
Brendësia e lartë e kishës kumbonte nga zëri i atit Thair, që lexonte një fragment biblik. Vargun nuk do ta mbaronte kurrë. Fiks atë moment, vetëvrasësi i parë shpërtheu jelekun e mbushur me eksplozivë.
Shpërthimi i fuqishëm e hodhi Climisin përtokë. Sytë e tij të mjegulluar po rrotulloheshin në hatanë që sapo kishte filluar – tym, mbeturina dhe britma të pafund. Besimtarë të shtrirë për tokë. Nuk merrnin frymë.
Ai numëroi katër persona të armatosur. Nën shtatoren e Virgjëreshës Maria, njëri prej tyre filloi ta këndonte ezanin, thirrjen islame për lutje.
Clemisi kapi ngutshëm të birin dhe u nis drejt dhomës së shenjtë, ku ruheshin orenditë dhe shënimet e kishës. Kur njerëzit përpëliteshin për t’u shpëtuar plumbave, ai ua bëri me shenjë që të hynin brenda. Me mbi 40 persona në dhomë, mbylli dyert prej druri dhe rrëshqiti një shufër çeliku për t’i bllokuar dorezat e derës.
“Por, ishte shumë e hollë... çdonjëri nga katër terroristët mund të hynte në dhomë dhe të na vriste me lehtësi”, thotë ai, duke kujtuar skenën nga shtëpia e tij në Bagdad.
Climis dhe djali i tij ishin shtrirë në dysheme, duke dëgjuar tmerret matanë derës. Të bërtiturat mbyteshin nga plumbat. Fëmijët bërtisnin. Shpërthimet pas shpërthimeve i shkundnin muret.
Njëri prej personave të armatosur i tha një nëne që ta qetësonte foshnjën e saj që qante pareshtur. Kur nëna nuk mundi ta qetësonte, Climis dëgjoi një të shtënë. Të qarat e foshnjës pushuan përjetë.

Lutja për jetën
Mund ta dëgjonte Atë Wassimin, mikun e tij, duke provuar dhe arsyetuar me burrat. U qëllua dhe u vra.
Nga vrima e vogël e çelësit të derës pa një tjetër person të armatosur, që qëndronte vetëm disa metra larg. Sa i ri që ishte, mendoi Clemisi në atë moment.
Një granatë u hodh aq afër dhomës së atit saqë shpërtheu edhe ftohësin e ujit, duke përmbytur dhomën dhe ata që ishin ndodheshin. Duke u dridhur, Climis vuri re se veshët e tij po buçisnin.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë, është ende i shurdhër në veshin e tij të djathtë.
I dëshpëruar, telefonoi një mik që punonte në Komandën e Operacioneve të Bagdadit. Gjysmë ore dhe ndihma do të vinte, ia ktheu shoku.
Pas katër orësh paniku, dritat u fikën papritur. Climis u përgatit për më të keqen. Pasoi një shpërthim tjetër, më i fortë se të mëhershmit. Pastaj hapat përtej dere nxitonin dhe breshëria e armëve të zjarrit filloi.
Shërbimi elitar i kundër-terrorizmit në Irak sulmoi kishën në orën 21:00. Por, Climis nuk lejoi askënd të dilte nga dhoma - nuk kishin ide se çfarë po ndodhte jashtë asaj dere të dobët.
Pas një minute, dikush trokiti në derë dhe erdhi një zë: “Jam vëllai yt nga njësia kundër-terrorizmit. Tani të gjithë do të largohen të sigurt nga kjo kishë”.
Climis duhej ta shihte kishën e tij të dashur për herë të fundit. Oficeri i tha jo, ishte shumë e rrezikshme, mund të kishte mjete plasëse. Por, ai guxoi ta kthente shikimin edhe një herë drejt kishës.
“Nuk dëshiroj që dikush tjetër ta shohë atë që pashë unë. Gjymtyrë të trupave ngado. Pashë një trup vetëm me kokë, duar dhe gjoks, pjesa tjetër ishte zhdukur”, kujton Clemis.
Pastaj shikimi i tij u kthye nga tavani i harkuar. “Lart kishte copëza mishi njerëzor. Ato copa mishi qëndruan të varura për disa javë”, rrëfen ai.
52 besimtarë të krishterë dhe policë u vranë në sulmin dhe operacionin pasues të forcave të sigurisë për t’i liruar pengjet. ISIS-i, grup i lidhur me “Al-Qaedan”, mori përgjegjësinë për kërdinë.
Përsëritje e tmerrit
Katër vjet më vonë, një përsëritje e tmerrit nisi nga grupi që e quante veten “Shteti Islamik për Irak dhe Siri”. Pushtoi shumicën e Irakut, duke nxitur të krishterët që të iknin, dhe shkaktoi edhe më shumë margjinalizim përbrenda pakicës irakiane. Më vonë, grupet militante të shiitëve do të lëviznin dhe do të ngrinin pika kontrolli, duke provokuar frikë tek ata që mbetën.
Dy ngjarje të natës së tmerrshme të tetorit mbollën farën e mosbesimit për më shumë se një dekadë që do të pasonte.
Kur të armatosurit bënin kërdinë brenda kishës, dikush hapi zjarr nga jashtë në drejtim të dritares së dhomës së shenjtë. Climis nuk mund ta shihte se kush ishte, por mendoi se ishin të huaj që mbështesnin terroristët.
Në fakt, ishte Policia Federale që gabimisht hapi zjarr gjatë bllokimit disaorësh. Më vonë nisi mosmarrëveshja midis kësaj policie federale dhe njësitit kundër terrorizmit, thanë dëshmitarë të tjerë. Plumbat janë ende të ngulur në librat e grumbulluar në dhomën e shenjtë, thotë Climis.
Paaftësia e qeverisë
Ngjarja e dytë ende e përndjek Clemisin. Pse me të arritur në kishë, pyet ai, njësiti kundër terrorit nuk e nisi sulmin direkt, por priti me orë të tëra.
“Ata nuk hynë derisa morën leje nga qeveria e Irakut”, thotë ai. Pritja kushtoi me jetë të çmuara.
Atë ditë, thotë ai, “qeveria irakiane nuk e bëri detyrën e vet ndaj një komuniteti të lashtë irakian”.
Masakra në Kishë tmerroi të krishterët deri në palcë. Eksodi i tyre kishte filluar pas pushtimit të SHBA-së në 2003, por u rrit dukshëm pas masakrës. Një nga një, shumë nga miqtë dhe familjarët e Climisit filluan të largoheshin. Nuk kishin shpresë për drejtësi. Pas largimit të ISIS-it, disa vjet më vonë, pak gjëra kanë ndryshuar.
Pjesa më e madhe e familjes Climisit vjen nga qyteti verior i krishterë Qaraqosh, gjysma e anëtarëve janë të shpërndarë nëpër botë. Atij nuk i dalin gishtat e dorës për t’i numëruar vendet e ndryshme ku banojnë të afërmit e tij.
Vizita e Papës në Irak sjell shpresë se ai mund të jetë në gjendje jo vetëm që t’i rilidhë të krishterët e Irakut me atdheun e tyre, por edhe të flasë me udhëheqësit irakianë të cilët deri më tani i kanë lënë pas dore të krishterët, thotë Climisi.
Ai sot është dhjak në kishën Zonja e Shpëtimit, që është e hapur dhe mban shërbime të rregullta, por ende me forca të shtuara të sigurisë përreth. Hapësira brenda nuk ofron shenja të sigurisë së saj të errët, por kujtimi i atyre orëve të tmerrshme është i ngulitur në mendjet e besimtarëve.
Atëherë pse qëndroi Climisi?
“Sepse ky është vendi im”, thotë ai.