Botë

Austria e Danimarka bashkojnë forcat me Izraelin në prodhimin e vaksinave

Në pakënaqësi ndaj shpërndarjes së ngadaltë të vaksinave kundër COVID-19 përbrenda Bashkimit Evropian, Austria dhe Danimarka kanë shkëputur rrugët me Brukselin për të formuar aleancë me Izraelin në prodhimin e vaksinave të gjeneratës së dytë kundër mutacioneve të koronavirusit.

Veprimi i dy anëtareve të BE-së u ndërmor në kohën e zemërimit në rritje për vonesat në porositjen, aprovimin dhe distribuimin e vaksinave, të cilat kanë lënë vendet e bllokut 27-anëtarësh bukur prapa Izraelit në fushatën e vaksinimit.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka vlerësuar se derisa parimi i procedurave të BE-së për vaksina në vendet e bllokut është i saktë, Agjencia Evropiane e Barnave është treguar e ngadaltë në aprovimin dhe shpërndarjen e tyre.

Kjo gjë, ai ka thënë se, ka shtyrë vendin që të mos ngelet i varur nga BE-ja dhe të përgatitet më mirë karshi mutacioneve të mëtutjeshme.

Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen.

Si rrjedhojë, Kurz dhe Frederiksen do të udhëtojnë gjatë kësaj jave në Izrael, për ta parë nga afër avancimin izraelit në fushatën e vaksinimit./ AP