Botë

“Pasaportat” e vaksinave

Përbrenda shtetit izraelit pasaportat ose “kartoni i gjelbër”, që sigurohen nëpërmjet një aplikacioni, janë bërë shumë të vlefshme. Izraeli në ditët e fundit ka arritur marrëveshje me Greqinë dhe Qipron për të njohur “kartonët e gjelbër” të njëra-tjetrës. Marrëveshje të tjera priten edhe gjatë javëve të ardhshme, me qëllim të ringjalljes së turizmit para stinës së verës

Tel Aviv, 27 shkurt (AP) – Ngjyra vjollce shndriste skenën e klubit teksa nja 300 veta, me maska në fytyrë dhe të distancuar nga njëri-tjetri, shpërthyen në duartrokitje të lehta. Për herë të parë që prej fillimit të pandemisë, muzikanti izraelit, Aviv Geffen, luante në pianon e tij elektrike. Lëvizte gishtat para një audience të ulur para tij.

“Një mrekulli po ndodh sonte këtu”, u drejtua muzikanti kah turma.

Megjithatë, ndeja e ringjalljes të hënën mbrëma në tarracën e një qendre tregtare në veri të Tel-Avivit nuk ishte bash për gjithkënd. Në këtë aheng mund të merrnin pjesë vetëm ata që paraqitnin “pasaportën e gjelbër”, e cila vërtetonte se ata ishin vaksinuar ose ishin shëruar nga COVID-19.

Koncerti shumë i kontrolluar ofroi një pamje të shkurtër të një të ardhmeje që shumëkush po e dëshiron, pas muajve të tërë ngujim përbrenda shtëpive për mbrojtje nga koronavirusi. Qeveritë pretendojnë se vaksinimi dhe dokumentacioni i duhur do të lehtësojnë rrugën për të udhëtuar, argëtuar dhe për tubime të tjera shoqërore në një botë postpandemike.

Por kjo gjë gjithashtu ngre mundësinë e ndarjes së mëtejshme të botës përgjatë vijave të pasurisë dhe qasjes në vaksina, duke krijuar kësisoj probleme etike dhe logjistike që kanë alarmuar vendimmarrësit nëpër botë.

Qeveritë e tjera kanë kthyer sytë nga Izraeli, shtet ky që ka programin më të shpejtë të vaksinimit në botë dhe që po përballet me kritikat për përdorimin e vaksinës si monedhë dhe fuqi diplomatike.

Suksesi i Izraelit

Përbrenda shtetit izraelit, pasaportat ose “kartoni i gjelbër” që sigurohet nëpërmjet një aplikacioni, janë bërë shumë të vlefshme. Izraeli në ditët e fundit ka arritur marrëveshje me Greqinë dhe Qipron për të njohur “kartonët e gjelbër” të njëra-tjetrës. Marrëveshje të tjera priten edhe gjatë javëve të ardhshme, me qëllim të ringjalljes së turizmit para stinës së verës.

Ata që nuk dëshirojnë apo nuk mund të marrin dozën e vaksinës që ofron imunitet, do të lihen prapa, ka thënë ministri izraelit i Shëndetësisë, Yuli Edelstein.

“Është përnjëmend e vetmja mënyrë për të ecur përpara për momentin", ka thënë Geffen në një intervistë për “The Associated Press”.

Kontrolli në dyert e klubit, që pranoi vetëm ata që mund të provonin se janë plotësisht të vaksinuar, ofron të paktën një copëz peizazhi të normalitetit.

“Njerëzit nuk mund ta jetojnë jetën e tyre në botën e re, pa vaksina”, ka shtuar ai. “Duhet t’i marrim vaksinat. Na duhet”.

Vaksina nuk është në dispozicion për të gjithë në botë, qoftë për shkak të furnizimit apo çmimit. Ka edhe sish që nuk e duan atë, për arsye fetare apo të tjera. Në Izrael, një vend me 9.3 milionë banorë, rreth gjysma e popullsisë së rritur ka marrë dy dozat e kërkuara. Qeveria ka nisur një lloj presioni për të inkurajuar vaksinimin. Ligjvënësit izraelitë të mërkurën e miratuan ligjin që ia lejon Ministrisë së Shëndetësisë qasjen në informacionet e qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar. Sipas këtij ligji, emrat mund t’u ofrohen ministrive të arsimit, punës, çështjeve sociale dhe shërbimeve sociale, si dhe qeverive lokale, “me qëllimin që të lejohet që këto organe t’i inkurajojnë njerëzit të vaksinohen”.

Shpëtimi i vetëm

Qeveria ia ka adresuar një lutje emocionale shoqërisë me anë të koncertit të ofruar, duke paralajmëruar kësisoj hapjen e tregjeve historike të Izraelit.

“Me kartën e gjelbër, dyert hapen për ju. Mund të dilni në restorante, të stërviteni në palestër, të shihni një shfaqje”, thuhej në një njoftim të 21 shkurtit, ditën kur pjesa më e madhe e ekonomisë izraelite u hap pas gjashtë javëve izolim total.

Pastaj ngriti një pyetje në pikun e betejës botërore për t’i dhënë fund pandemisë, e cila ka goditur rëndë ekonomitë dhe ka lënë të vdekur gati 3 milionë njerëz.

“Si të merrni lejen e kalimit? Shkoni dhe vaksinohuni tani ”.

Kjo punë është shumë e thjeshtë në Izraelin që ka mjaftueshëm vaksina sa për të vaksinuar të gjithë mbi moshën 16-vjeçare, ani pse Qeveria është kritikuar për ndarjen e sasive të vogla për palestinezët në Bregun e okupuar Perëndimor dhe në Gaza.

Kryeministri, Benjamin Netanyahu, madje ka bërë të ditur këtë javë se synon që t’ua dërgojë vaksinat e tepërta disa prej shteteve mike të vendit. Prokurori i përgjithshëm i Izraelit ka thënë, të enjten, se plani është ngrirë shkaku se po analizohet ligjshmëria e këtij vendimi të kryeministrit.

Shumica e vendeve nuk kanë vaksina të mjaftueshme, duke vënë në pah debatin e gjerë etik se kush mund të sigurojë doza dhe si të hiqet qafesh COVID-19.

“Parimi kryesor i të drejtave të njeriut janë barazia dhe mosdiskriminimi”, ka thënë Lawrence Gostin, profesor në Universitetin e Georgetownit dhe drejtor i Qendrës Bashkëpunuese të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për Ligjin Kombëtar dhe Global të Shëndetit.

“Ekziston një krizë e madhe morale në barazinë në mbarë botën, sepse në vendet me të ardhura të larta, si Izraeli ose Shtetet e Bashkuara apo vendet e BE-së, ka të ngjarë që të arrijmë në imunitetin e tufave deri në fund të këtij viti”, ka sqaruar ai. “Ama, për shumë vende me të ardhura të ulëta, shumica e njerëzve nuk do të vaksinohen për shumë vjet. A duam me të vërtetë t’u japim përparësi njerëzve që tashmë kanë kaq shumë privilegje?”.

Lakmia e madhe

Është pyetje që ndjek pas komunitetin ndërkombëtar teksa vendet më të pasura po fillojnë që ta fitojnë betejën kundër koronavirusit dhe disa prej varianteve të tij.

Në prillin e shkuar, iniciativa e njohur si COVAX u formua nga OBSH-ja me qëllimin fillestar të sigurimit të vaksinave për vendet e varfra, në të njëjtën kohë kur dozat po përhapeshin në vendet e pasura. Kjo iniciativë e ka humbur atë synim dhe 80 për qind e 210 milionë dozave të administruara në të gjithë botën u janë ofruar vetëm 10 vendeve, ka thënë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Gana u bë shteti i parë nga 92 vendet që morën vaksina falas përmes kësaj iniciative. COVAX-i ka njoftuar se rreth 600 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” kanë mbërritur të mërkurën në këtë shtet afrikan. Kjo është një pjesë e 2 miliardë dozave që OBSH-ja synon t’i shpërndajë sivjet.

Kur këto shtete tek tani po fillojnë vaksinimin, ato të pasurat kanë nisur që të flasin për logjistikën e “pasaportës së gjelbër, sigurinë, privatësinë dhe ligjet”.

Qeveria britanike ka njoftuar se po e studion mundësinë e lëshimit të një lloj “certifikate të statusit për COVID”, që mund të përdoret nga punëdhënësit dhe organizatorët e ngjarjeve të mëdha ndërsa përgatitet të lehtësojë kufizimet për sivjet.

Kryeministri, Boris Johnson, ka thënë se politika mund të shkaktojë probleme.

“Nuk mund të jemi diskriminues ndaj njerëzve, të cilët, për çfarëdo arsye, nuk mund ta marrin vaksinën”, ka thënë ai.

Shumë vende nëpër Evropë po përpiqen që të zhvillojnë vaksinën e tyre, me qëllim që të ndihmojnë në ringjalljen e udhëtimeve verore, duke nxitur një rrezik që sistemet e ndryshme të mos funksionojnë siç duhet përtej kufijve të kontinentit.

“Mendoj se ka një potencial të madh për të mos funksionuar mirë ky synim”, ka thënë Andrew Bud, shefi i kompanisë për biometri të fytyrës, që po testohet në pasaportën digjitale në Britaninë e Madhe. Mirëpo nyjat teknike rreth pasaportave të vaksinave mund të jenë më të lehta për t’u zgjidhur, ka shtuar ai.

Sfidat më të mëdha “janë kryesisht etike, sociale, politike dhe ligjore. Si të ekuilibrohen të drejtat themelore të qytetarëve ... me përfitimet për shoqërinë”.