Nëpërmjet letrave të adresuara, KE-ja u ka dhënë Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Gjermanisë, Hungarisë dhe Suedisë dhjetë ditë afat për t’iu përgjigjur shqetësimeve rreth shkeljes së udhëzimeve të dakorduara mbi luftimin e koronavirusit
Brukseli ka paralajmëruar të martën gjashtë shtete anëtare të Bashkimit Evropian se kufizimet e tyre të ashpra kufitare shkaku i COVID-19, përfshirë ndalesat për hyrje-dalje, duhet të hiqen, si rrjedhojë e shqetësimeve për pengimin më të gjerë të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave të bllokut.
Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Gjermanisë, Hungarisë dhe Suedisë u janë dhënë dhjetë ditë afat për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Komisionit Evropian për shkeljen e udhëzimeve të dakorduara bashkërisht mbi luftimin e koronavirusit.
Kufizimet e zbatuara nga Gjermania në kufijtë e saj me rajonin australian Tirol janë cekur si shkak i veçantë shqetësimi gjatë javëve të fundit, me ç’rast ambasadori gjerman në Vjenë është thirrur për bisedë rreth justifikimit të “masave të panevojshme që shkaktojnë më shumë dëm se dobi”.
Megjithëkëtë, ekzistojnë shqetësime në Gjermani se vendi mund të ndodhet në valën e tretë të pandemisë, teksa numri i rasteve ditore të infektimit për 100 mijë banorë gjatë shtatë ditëve të fundit ka mbërritur në 60.5 – që është shifër më e lartë se 55-57 në javën paraprake.
Shqetësimin lidhur me nisjen e valës së tretë të pandemisë në vend të martën është raportuar ta ketë shprehur edhe vetë kancelarja Angela Merkel. Sipas dy burimeve, ajo këtë gjë ua ka thënë shprehimisht ligjvënësve të partisë së saj konservatore, gjatë një takimi të së martës.
Burimet kanë bërë të ditur se Merkeli ka paralajmëruar gjithashtu se çdo zbutje e masave të izolimit, të zbatuara në fund të vitit dhe të zgjatura deri më 7 mars, do të duhej të ndërmerrej në mënyrë të kujdesshme dhe graduale.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, një ish-ministre gjermane, ka thënë të martën se është e vendosur që ta shmangë përsëritjen e muajve të hershëm të pandemisë, kur një sërë vendimesh të njëanshme përbrenda bllokut kishin nxitur kaos në kufij dhe kishin kërcënuar zinxhirët e furnizimeve.
Por gjatë javëve të fundit kontrollet më të ashpra kufitare janë zbatuar nga gjashtë vendet e bllokut në atë që një zëdhënës i Komisionit e quajti rrezik të qartë për funksionimin e tregut të lirë të mallrave, si dhe lëvizjes së qytetarëve.
“E nënvizojmë nevojën që kufizimet e lirisë së lëvizjes të jenë jodiskriminuese dhe proporcionale, dhe i nxisim shtetet anëtare që t’i bashkëdyzojnë dispozitat e tyre me rekomandimet e dakorduara bashkërisht, si dhe që t’i rishikojnë rregullat (e tyre) për lëvizjen e lirë”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit.
Kontrollet e diskutueshme kufitare përfshijnë ndalesën gjithëpërfshirëse të udhëtimeve joesenciale, të zbatuara nga qeveritë në Belgjikë dhe Suedi, si dhe kufizimet selektive të hyrjes që Qeveria në Berlin zbatoi për trafikun nga rajoni i Austrisë, Tirol, Republika Çeke dhe Sllovakia. Aktualisht vetëm qytetarët gjermanë, rezidentët e huaj dhe punëtorët esencialë lejohen që ta kalojnë kufirin.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka bërë thirrje të martën, nëpërmjet një postimi në Twitter, “për standarde të përbashkëta udhëtimi dhe transportimi të mallrave përbrenda BE-së me qëllim që të garantohet funksionimi i tregut unik”.
“Është domosdoshmëri që t’i kthehemi qasjes së koordinuar për të gjitha masat e ndërmarra lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave në Bashkimin Evropian”, ka thënë komisionari për Drejtësi i BE-së, Didier Reynders, një ish-ministër belg.
Ministri për Evropë i Gjermanisë, Michael Roth, ka insistuar se Qeveria e tij duhej të vepronte ndaj ekspozimit nga virusi, pasi që “është një vend transit në mes të BE-së”.
“I kundërshtoj akuzat se nuk u jemi përmbajtur ligjeve të BE-së... Këto masa qartazi u shkaktojnë barrë masive rajoneve kufitare, udhëtarëve, transportimit të mallrave dhe tregut të përbashkët, por mbrojtja e qytetarëve është prioriteti ynë”, ka thënë Roth.
Kufizimet në kufirin gjermano-austriak janë zbatuar në fillim të muajit, shkaku i shqetësimeve rreth numrit të lartë të të infektuarve në Republikën Çeke dhe Tirol me variantin e ri të koronavirusit, të identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar. \ AP