Botë

Protesta në Tbilisi, pasi policia arrestoi liderin e opozitës në Gjeorgji

Policia në Gjeorgji ka bastisur selinë e partisë kryesore opozitare të vendit dhe ka arrestuar liderin e saj, duke nxitur protesta në kryeqytetin Tbilisi.

Arrestimi i Nika Melias, shef i Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare, ka thelluar tensionet politike që kanë shpërthyer që prej zgjedhjeve parlamentare të tetorit, të cilat opozita kërkon që të përsëriten.

Mediat shtetërore kanë raportuar se edhe 20 persona të tjerë janë arrestuar në aksionin policor. Bastisja e policisë ka ndodhur vetëm pak orë pasi Parlamenti e emëroi një kryeministër të ri, meqë pararendësi i tij e kishte kundërshtuar arrestimin e Melias nga shqetësimi për përshkallëzimin e krizës politike në vend.

Melia përballet me akuzat e nxitjes së dhunës, gjatë protestave të vitit 2019. Asokohe, ai ishte lënë në liri me kusht dhe ishte urdhëruar të bartte byzylyk elektronik.