Botë

Johnsoni shpalos planin e zbutjes graduale të izolimit

Fëmijët në Angli do t’u rikthehen shkollave dhe njerëzit do të mund të takohen me miqtë për nga një kafe jashtë shtëpive brenda dy javësh, ka bërë të ditur kryeministri britanik, Boris Johnson. Me këtë ai ka shpalosur planin e tij për zbutjen graduale të një prej izolimeve më strikte në Evropë, shkaku i pandemisë.

Mirëpo ai ka thënë se për hapjen e parukerive dhe për drekimet në restorante duhet të pritet edhe pothuajse dy muaj të tjerë. Ndërkaq ka specifikuar se njerëzit nuk do të mund të përqafohen me personat e tjerë, me të cilët nuk jetojnë në një amvisëri, më së herëti deri në maj.

E përballur me variantin e ri të koronavirusit, për të cilin shkencëtarët kanë thënë se përhapet më shpejt dhe është më vdekjeprurës, Anglia ka kaluar pothuajse gjithë dimrin nën izolim të ashpër – të tretin që nga marsi i vitit 2020.

Zbutja e masave do të fillojë që nga 8 marsi, kur fëmijëve do t’u lejohet ndjekja e mësimeve me prani fizike në shkolla dhe kur do të bëhen të mundshme edhe mbledhjet e familjarëve. Sipas planit të Qeverisë, dyqanet dhe parukeritë do të rihapen më 12 prill, njëjtë sikurse klubet e natës dhe restorantet, ani pse vetëm në ambiente të hapura.