Gjykata Supreme ia ka hapur rrugën një prokurori në shtetin e New Yorkut për t’i siguruar të dhënat e Donald Trumpit lidhur me kthimin e tatimeve, duke ia shkaktuar një goditje të fortë ish-presidentit amerikan që ishte munduar t’i fshihte raportet financiare.
Të dhënat tani do t’i dorëzohen një jurie për rregullat e fshehtësisë, që e kufizon publikimin e tyre. Vendimi përbën një disfatë të rëndë për Trumpin, ani pse të dhënat e tij tatimore nuk mund të zbardhen për publikun.
Kjo nënkupton se hetimi i jurisë mbi pagesat e fshehta dhe çështjet e tjera financiare nuk mund të pengohet më nga beteja e Trumpit për t’i mbajtur sekret të dhënat.
Veprimi i gjykatës përbën njëherësh kulmimin e betejës së gjatë ligjore që ishte dërguar edhe një herë më parë në gjykatën e lartë. Hetimet e vazhdueshme vetë Trumpi i kishte quajtur si “ekspeditë peshkimi,” si dhe “vazhdimësi të gjahut më të madh të shtrigave” ndaj tij.
Dokumentet kanë të bëjnë me të dhënat mbi punësimin e ish-avokatit të Trumpit, Michael Cohen, në “Trump Organization”, si dhe pagesat e fshehta që Coheni besohet t’ua ketë bërë dy grave që kanë pretenduar se kanë pasur marrëdhënie intime me ish-presidentin.