Botë

Një jetë në opozitë

Edhe kur ishte fëmijë, lideri opozitar i Rusisë i rezistonte autoritetit. Tani ai përbën kërcënimin përherë më të madh për autoritetin përfundimtar të vendit, presidentin Vladimir Putin

Moskë, 14 shkurt – Derisa po e priste përfundimin e izolimit shkaku i koronavirusit në banesën e tij me dy dhoma gjumi, gjatë pranverës, liderit opozitar rus Alexei Navalny i dukej vetja i padobishëm, meqë arma e tij më e fuqishme kundër Kremlinit – protestat rrugore – ishte vënë jashtë loje.

Megjithëkëtë, Navalny ndjeu se presidentit Vladimir Putin mund t’i rrëshqasë laku mbi pushtetin. Duke operuar nga dhoma e tij e ndejës, në vend të studios në Moskë që përdorte më herët, ai publikoi video që e kritikonin Putinin për dështimin në menaxhimin e krizës së koronavirusit dhe që i la rusët në vuajtje teksa ekonomia po pësonte. Duke konfirmuar se pandemia mund të shndërrohej në një katalizator politik, audienca e videove të Navalnyt në YouTube, sipas gazetës prestigjioze amerikane “The New York Times”, u trefishuar për të gjeneruar mbi 10 milionë shikues për muaj.

“Putini nuk mund ta menaxhojë gjithë këtë çmenduri dhe mund ta shihni se është krejtësisht larg gjatësisë së duhur”, kishte thënë Navalny në një intervistë në “Zoom”, gjatë majit. “Po vazhdojmë t’i godasim aty ku u dhemb”, ka shkruar “NYT”.

Metodik dhe i pakompromis, 44-vjeçari Navalny ka kaluar pothuajse gjysmën e jetës së tij në përpjekje për ta rrëzuar Putinin. I cilësuar shpesh si i vrazhdë, i ashpër dhe i etur për pushtet, madje edhe nga kritikët e tjerë të Kremlinit, ai vazhdoi me këmbëngulje derisa aktivistët tjerë opozitarë u sprapsën, emigruan, ndryshuan anë, shkuan në burg apo u vranë.

E gjithë kjo luftë u bë për të përherë e më personale, ani pse rreziqet – për Navalnyn e familjen e tij, sikurse për Putinin dhe të gjithë Rusinë – rriteshin vit pas viti. Por me kthimin e tij të guximshëm në Rusi, pasi i mbijetoi tentim-vrasjes verën e shkuar – si dhe me dënimin e gjatë me burgim si më se të sigurt – ai është transformuar.

Në betejë edhe prapa xhami

Image

Duke mos qenë më i bezdisshëm, Navalny është tani një simbol ndërkombëtar i rezistencës ndaj Putinit dhe elitës së Kremlinit, një lider i lëvizjes përherë më të madhe opozitare, ka shkruar gazeta amerikane në rrëfimin e saj mbi Navalnyn.

“Ai është i gatshëm të humbë çdo gjë”, ka thënë për gazetën ekonomisti Sergei M. Guriev, një bashkëpunëtor i besueshëm i Navalnyt që ka ikur në Francë më 2013, pas përballjes me presionin e Kremlinit. “Kjo gjë e bën atë më të ndryshëm prej të gjithë të tjerëve”.

Navalny tani ndodhet prapa grilave, i dënuar këtë muaj me më shumë se dy vjet burgim për shkeljen e rregullave të lirimit me kusht rreth rastit të 2014-s për përvetësim fondesh, në rastin që gjykata më e lartë evropiane e të drejtave të njeriut e cilësoi si politikisht të motivuar.

“The New York Times” ka shkruar se edhe nga burgu ai ka pushtuar lëvizjen. Dy ditë pas arrestimit të tij në Aeroportin e Moskës muajin e shkuar, ekipi i tij e publikoi një raport mbi pallatin sekret që supozohet të jetë ndërtuar për Putinin, i cili u shikua mbi 100 milionë herë në YouTube. Dy javë më vonë, nga ulësja e tij prapa një xhami qelqi në Gjykatën e qytetit të Moskës, Navalny parashikoi se rusët në fund të fundit do të ngrihen dhe të mbizotërojnë kundruall Putinit “plaçkitës”.

Nëse parashikimi i Navalnyt do të bëhet realitet, kjo varet pjesërisht nga fakti nëse aktivistët e tjerë opozitarë rusë mbesin të bashkuar teksa zëri i tyre po shuhet. Një sondazh i pavarur ka treguar se derisa 80 për qind e rusëve kanë dëgjuar për protestat që kanë mbërthyer vendin muajin e shkuar për lirimin e tij, vetëm 22 për qind i miratojnë ato, ka shkruar “NYT”.

Përveç kësaj, edhe shumë kundërshtarë të Putinit janë distancuar prej Navalnyt, duke e kritikuar për denigrimin e kujtdo që ai e sheh si jomjaftueshëm besnik. Dhe në vitet pas suksesit të tij më të madh zgjedhor – kur ka mbledhur 27 për qind të votave në zgjedhjet e 2013-s për kryebashkiak të Moskës – Navalny u bë edhe më i vrullshëm ndaj Putinit, njerëzve të afërt me të, dhe madje më i vendosur për ta rrëzuar atë.

Duke qenë i biri i një oficeri të Armatës së Kuqe, Navalny u rrit gjatë të ’80-ave në qytetet ushtarake jashtë Moskës, një botë të tërë larg ndikimit intelektual dhe politik që kishte ngërthyer kryeqytetin në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik. Babai i tij e përbuzte sundimin sovjetik, ndërsa nëna, një kontabiliste, ishte njëra prej përkrahëseve të hershme të partisë liberale “Yabloko”.

“Rebel” që në fëmijëri

Image

Si djalë i ri, Navalny urrente kur dikush i thoshte çfarë të bënte. Kur hyri në telashe me mësuesen, tregon për “NYT” nëna e tij Lyudmila I. Navalnaya, ai refuzoi që të shkonte në shkollë të nesërmen, duke thënë: “Nuk dua që askush të më detyrojë të mësoj”.

Ai studio për drejtësi dhe financa, ka punuar si avokat i patundshmërive dhe iu bashkua “Yablokos” më 2000, në vitin kur Putini ishte zgjedhur për të parën herë president. Ishte vënë në kërkim të mënyrave për të organizuar një opozitë të fuqishme ndaj Kremlinit. Dhe shumë pak kohë më vonë u përqendrua në rrjetin e brendshëm të korruptuar të Putinit, duke e gjetur aty gjithë të keqen e Rusisë.

Dikur ishte i prirë nga ndjenjat e fuqishme nacionaliste, teksa njëri prej sloganeve të hershme të tij ishte: “Ndalni ikjet nga Kaukazi!”. Kjo i kushtoi me përjashtim nga “Yabloko”.

Ata që janë të afërt me të thonë tani se ai nuk i ushqen më këto qëndrime nacionaliste.

“Detyrë e një politikani është t’u flasë sa më shumë syresh që nuk i ndajnë qëndrimet e tij – duhet të flisni me të”, ka thënë për “NYT” radio-prezantuesja dhe redaktorja e një reviste, Yevgenia M. Albats, duke folur nëpërmjet telefonit nga Cambridge, ku punon si anëtare e lartë e Universitetit të Harvardit.

Ai ndërkohë u bë edhe më i vendosur për ta jetësuar qëllimin e tij të vendosur: të qenët president.

“Ai nuk po e luftonte korrupsionin, jam i sigurt për të”, ka thënë Dmitri Dyomushkin, njëri prej aleatëve nacionalistë të Navalnyt në fillim të viteve 2000. “Po luftonte për pushtet”.

Shumëçka ndërmjet i ndodhi. Më 2018, autoritetet ia ndaluan garimin në zgjedhjet presidenciale, mirëpo ai, pavarësisht kësaj, i ra rreth e përqark vendit, duke hapur më shumë se 80 zyra rajonale dhe duke bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve që i cilësoi si të manipuluara për t’ia dhuruar Putinit mandatin e katërt. Gazeta amerikane ka raportuar se ai i organizoi protestat mbarëkombëtare dhe krijoi një ekip hulumtues që depërtoi në thellësi të të dhënave publike për t’i dokumentuar hesapet e diskutueshme të elitës ruse.

“Strategjia është kjo: Ky është një regjim i personalizuar, i rrënjosur në popullaritetin e Putinit”, ka thënë për “The New York Times” Gurievi, ekonomisti i afërt me Navalnyn. “Kjo është arsyeja pse radhët e Putinit duhet të shkatërrohen”.

Putini është radhitur lart në sondazhet e opinionit publik që prej aneksimit të Krimesë më 2014. Por nga mesi i 2018-s, Qeveria e ngriti moshën e pensionimit për më shumë se tetë vjet, dhe asokohe të ardhurat kishin rënë nga rritja e inflacionit. Mes izolimit kundër koronavirusit pranverën e shkuar, pakënaqësia publike, sipas “NYT”, u rrit edhe më shumë.

Navalny dhe aleatët e tij besuan se skena veçse është shtruar për provën e asaj që ishte përgatitur prej tyre tash e sa kohë. Verën e shkuar protestat masive kapluan Bjellorusinë fqinje, si dhe lindjen e largët të Rusisë, duke përbërë rreziqe të mëdha për Putinin.

Mandej, në gusht, Navalny humbi ndjenjat në një aeroplan mbi Siberi, duke bërtitur nga dhembja. Laboratorët perëndimorë më vonë konstatuan se ishte helmuar nga një agjent ushtarak nervor dhe mbijetoi falë pilotëve që realizuan uljen emergjente të aeroplanit, si dhe punëtorëve shëndetësorë, të cilët e trajtuan në qytetin e Omskut.

Më vonë u dërgua me urgjencë në Gjermani për trajtim. Pak pas daljes nga gjendja e komës, ai u përfshi në debatet politike për hallet e botës. E kritikoi vendimin e Twitterit për ta heshtur llogarinë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, duke e quajtur “akt të papranueshëm të censurës”.

Ndërsa javëve të fundit Navalny ka dhënë më të mirën nga vetja për të nxitur optimizëm.

“Gjithçka do të jetë OK”, ka thënë Albats t’i ketë shkruar ai nga burgu. “E edhe sikur të mos bëhet, do të ngushëllohemi me faktin se e dimë që ishim persona të sinqertë”.